5 drejtorë presion nxënësve dhe mësuesve për zgjedhjet

Ministria e Arsimit, tashmë e drejtuar nga ministrja teknike Mirela Karabina, ka bërë publikë emrat e mësuesve dhe zyrtarëve të arsimit që dyshohet se janë të përfshirë në fushatë elektorale. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Arsimit sqaron se ndaj personave në fjalë ka informacione që janë aktivizuar në fushatë dhe i ka paralajmëruar se janë nën monitorim për t’u vërtetuar raportimet ndaj tyre. Janë gjithsej shtatë zyrtarë dhe mësues, të cilëve do u verifikohet aktiviteti i tyre dhe që do të ndëshkohen me masa disiplinore sipas rastit siç parashikon ligji në rast se u vërtetohet veprimtaria e tyre në fushatë elektorale.

Emrat

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e Ministrisë së Arsimit bëhen me dije dhe emrat e personave që janë nën monitorim. Janë kryesisht shefa të zyrave të arsimit në rrethe, por edhe mësues të thjeshtë. Rasti më specifik është ai i shefes së arsimit në Bulqizë, e cila ka arritur deri aty sa t’i bëjë dhe presion nxënësve dhe mësuesve për përfshirje në fushatë elektorale. “Ministria e Arsimit dhe Sportit në respektim të të drejtave kushtetuese dhe në vijim të deklaratave zyrtare të Departamentit të Administratës Publike është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet ligjore të përcaktuara për mbarëvajtjen e procesit mësimor, si dhe të drejtat politike të nëpunësve civilë përgjatë fushatës zgjedhore. Në këtë kuadër, në të gjitha takimet zyrtare me përfaqësuesit e institucioneve arsimore, autoritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kanë informuar të gjitha strukturat në varësi, mbi detyrimet dhe kufizimet që nëpunësit e administratës, në veçanti, kanë për përmbushjen e kalendarit të programit mësimor dhe rregullat e sjelljes dhe të veprimtarisë së tyre brenda afateve kohore të përcaktuar për të gjithë nëpunësit dhe drejtuesit. Mbi bazën e informacioneve të raportuara, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka konstatuar përfshirjen e disa drejtuesve e punonjësve arsimorë në fushatën elektorale, duke ushtruar presion në forma të ndryshme tek nxënësit dhe mësuesit dhe është duke bërë verifikimet e duhura mbi bazën e përcaktimeve ligjore, për personat e poshtëshënuar: Përgjegjëse e Zyrës Arsimore, Kurbin, znj. Majlinda Shalsi-Cara; Përgjegjës i Zyrës Arsimore, Gramsh, z. Xhevit Dermyshi; Përgjegjës i Zyrës Arsimore, Has, z. Selman Qema; Mësuese në gjimnazin “Ibrahim Rrugova” Tiranë, znj. Arjana Metaliaj; Mësues në gjimnazin “Asim Vokshi” në Bajram Curri, z. Afrim Brahaj; Përgjegjëse e Zyrës Arsimore, Bulqizë, znj. Bedrie Manjani, e cila përveç pjesëmarrjes në fushatë në kundërshtim të plotë me përcaktimet ligjore, ka bërë presion të hapur ndaj mësuesve për përfshirjen e nxënësve në fushatë elektorale gjatë orarit mësimor (10:00-13:00). Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë monitorimin e të gjithë institucioneve për të garantuar respektimin e të drejtave politike të nëpunësve civilë, si dhe zbatimin e përpiktë të përcaktimeve ligjore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Fenomeni

Në fakt marrëveshja e firmosur më 18 maj këtë kishte si qëllim, shmangien e përfshirjes së administratës në fushatë zgjedhore. Problemi u rëndua, sidomos kur bëhet fjalë për arsimin, gjatë kohës kur Rama ndërmori takime me ata që votojnë për herë të parë, e cila është dhe pjesa, e cila në mendësinë e tij mund të joshet më lehtë në këto prag votimesh. Nga të gjitha anët e vendit vinin pamje të autobusëve të mbushur me nxënës që shkonin nga një rreth në tjetrin, për të mbushur takimet e Ramës. Natyrisht në krye të këtij aksioni ishin drejtorët e drejtorive arsimore, por dhe drejtorët e gjimnazeve. Kulmi do të ishte kur zhvilloi takimin e Tiranës, ku mësimi u bë me orë të shkurtuara, madje u premtua dhe ditë pushimi të nesërmen për ata që do të merrnin pjesë në këtë takim elektoral. Bëhet fjalë për takimin ku ish-drejtoresha e Doganave do e krahasonte Ramën me Skënderbeun. Por jo vetëm kaq. Përfshirja e PS-së me anë të FRESSH në gjimnaze ishte kthyer në një gangrenë dhe për mësuesit, pasi ata që angazhoheshin në fushatë për Ramën u ishte dhënë e drejta me anë të një urdhri të pashkruar që jo vetëm të mos merrnin pjesë në mësime, por dhe notat të vendoseshin fiktive, duke dhënë kështu shembullin më të keq për të rinjtë. Nga ana tjetër, janë kjo kategori personash, të cilët shkojnë gjimnaz më gjimnaz duke premtuar bursa apo të drejta studimi, të gjitha në këmbim të një vote në zgjedhjet e përgjithshme. Firmosja e marrëveshjes ku ministria kaloi me drejtues teknikë dhe ndryshimet në Kodin Penal, pritet ta frenojnë në maksimum këtë fenomen.

Ministria e Shëndetësisë pezullon lejet vjetore

Pas Ministrisë së Financave edhe ministri i Shëndetësisë urdhëron pezullimin e lejeve vjetore për periudhën nga 1 qershori deri më 25 qershor 2017. Urdhri për anulimin e lejeve vjetore është për punonjësit e ministrisë dhe institucionet e varësisë së ministrit të Shëndetësisë, Arben Beqiri. “Të gjithë nëpunësit që janë duke kryer lejen vjetore njoftohen për ndërprerjen e saj. Urdhri, planifikimi i lejeve për punonjësit e shëndetësisë do të bëhet pas datës 26 qershor. Urdhri i ministrit Beqiri mban datën 1 qershor 2017”.

Artikulli paraprakDaul: Mos i votoni ata që ju çojnë në qorrsokak
Artikulli tjetërBerisha ironizon fushatën e Ramës në Pukë