Banorët përplasen me kryebashkiakun e Ramës: Gjeni zgjidhje mos na sillni patate

Dritan Leli, kryetar i Bashkisë së Vlorës priste ta falenderonin në Novoselë, kur u shkoi banorëve të përmbytur me makarona, sheqer dhe miell. Në vend të kësaj, u përball me irritimin e vlonjatëve që i kërkuan llogari për përmbytjet që përsëriten vit pas viti në Vlorë. Madje kryebashkiaku u gjend në një situatë të vështirë, kur u rrethua nga banorët e zonës që i bërtisnin në fytyrë, duke i kërkuar të mos i gënjente me makarona. Që në fillim të takimit, vlonjatët ia bënë të qartë Lelit se donin pastrimin e kanaleve kulluese, thellimin e lumit dhe marrjen e masave që përmbytjet të mos përsëriteshin. Në videon që kanë publikuar mediat duket se përgjigjet arrogante të Dritan Lelit, ndonjëherë edhe fyese e kanë acaruar situatën. Banorët akuzuan direkt Kryetarin e Bashkisë se ishin pikërisht njerëzit që e shoqëronin atë që kishin ndërtuar shtëpitë mbi kolektor dhe kishin bllokuar kanalet kulluese. Situata është tensionuar deri në pikën që, Dritan Leli e ka parë të arsyeshme ta mbyllë gojën dhe të mos i përgjigjet më banorëve, duke menduar se do të ishte më mirë që të ikte nga takimi. Në momentin që u largua, pranë tij u afruan dy policë, që i qëndruan pranë për çdo të papritur. Janë 130 pakot e para, të cilat kanë mbërritur në Njësinë Administrative Novoselë, por banorët kërkojnë një zgjidhje përfundimtare për t’i dhënë fund përmbytjeve të përvitshme. Ndihmat nuk japin asnjë zgjidhje për dëmet e mëdha materiale që ka shkaktuar vërshimi i ujit. “Duam zgjidhje për lumin, jo makarona dhe sheqer” ishte qëndrimi i banorëve. Ata kanë kërkuar zgjidhje të situatës dhe ngritjen e argjinaturës që do të pengojë vërshimin e lumit drejt banesave dhe biznese të tyre. Banorët kanë kërkuar nga Leli zgjidhje për lumin, i cili sipas të banorëve sërish vitin tjetër do të përmbysë këtë zonë. “Në 2015 sollët ndihma dhe me lumin nuk u bë asgjë, tani prapë në 2017 u përmbytëm. Nuk duam patate dhe makarona, duam zgjidhje për lumin”, janë shprehur banorët. Ndërkohë, kryebashkiaku Leli është larguar duke thënë se duhet të shkojë diku tjetër për shkak të një problemi me një rrugë, por ka premtuar se do të kthehet sërish për të folur me banorët. Novosela është një nga zonat e cila u prek më shumë nga përmbytjet e 30 nëntorit, ku shumë banorë kanë pësuar dëme të mëdha në banesa, por edhe në serat e stallat e tyre.

Në Qarkun e Fierit tokat bujqësore vijojnë të përmbytura

Edhe pse është tërhequr uji nga zonat e përmbytura, problematikat vazhdojnë akoma, më shqetësues mbetet fati i bagëtive, pasi ka mungesë ushqimi dhe strehimi për to është mjaft problem.
Thuajse të gjitha stallat në Hoxharë, Povelsh, Feras janë të mbuluara nga uji. Veterinerët bëjnë apel që të gjendet sa më shpejt një zgjidhje për strehimin e tyre, pasi një pjesë mjaft e madhe e bagëtive janë ftohur dhe si pasojë pritet të përhapet edhe ndonjë sëmundje, çka mund të shkaktojë problem shumë të mëdha. “Bagëtia nuk ka ça ha, ata 5 dengje që kemi ca u mbytën ca janë lart nuk janë mbytur akoma, do t’i nxjerrim nga e keqja. Jo, jo nuk na kanë sjellë asgjë”, shprehet një prej banorëve, ndërkohë që një tjetër banor shton se: “Shumë bagëti kanë ngordhur, edhe qengja kanë ngordhur. Ushqimi mungon”. Fermerët nuk e dinë akoma se çfarë do të ndodh për fatin e bagëtive të tyre, pasi ka edhe mungesë të medikamenteve. Kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Bujqësisë, por akoma nuk kanë marrë asnjë përgjigje.“Të tëra bagëtitë mi ka zënë barku. Bagëtitë janë ftohur, vetë dje morëm 25 mijë lekë ilaçe”, thonë disa banorë të tjerë. Ndërkohë në zonën e Darzezës toka bujqësore vazhdon të jetë e përmbytur, për pasojë edhe të mbjellat kanë shkuar dëm, pasi gjithçka tashmë është e shkatërruar. Banorët thonë se dëmet janë kolosale.

 

Artikulli paraprakOKB: Përmbytjet në Shqipëri katastrofë për emergjencë civile
Artikulli tjetërLiverpool “keqtrajton” Spartakun