OKB: Përmbytjet në Shqipëri katastrofë për emergjencë civile

Organizata Botërore e Shëndetësisë i cilëson përmbytjet në Shqipëri si katastrofa natyrore për të cilat qeveria duhet të kishte shpallur gjendjen e emergjencës dhe të paguante dëmet e shkaktuara. Ndër fatkeqësitë natyrore, përmbytjet dhe rrëshkitja e tokës i krijuan dëmet më të mëdha ekonomike Shqipërisë gjatë periudhës 1990-2014 sipas përllogaritjeve të bëra nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Rrezikut nga fatkeqësitë (UNISDR).
Gjatë 24 viteve, 38.2 për qind e dëmit ekonomik është krijuar nga përmbytjet dhe 33.5 për qind, nga rrëshkitja e tokës dhe 7 për qind janë dëme të krijuara nga përmbytjet e shpejta. Pjesa e mbetur e dëmeve prej rreth 20 për qind ndahet ndërmjet dëmeve që kanë sjellë tërmetet, shtrëngatat, zjarret, stuhitë e borës etj.
Zyra e Kombeve të Bashkuara llogarit që gjatë periudhës 1990-2014 në Shqipëri janë shkatërruar plotësisht 118 shtëpi, dhe janë dëmtuar rëndë rreth 2000 të tjera dhe janë zhvendosur nga vendbanimet më shumë se 3600 njerëz. Sipas OKB-së dëmi ekonomik ka qenë 21 milionë euro, por sipas autoriteteve shqiptare humbjet nga fatkeqësitë natyrore janë shumë herë më të larta me 36 milionë euro në një vit kalendarik.
Por Zyra e Kombeve të Bashkuara llogarit humbjet nga fatkeqësitë natyrore në bazë të disa klasifikimeve. Një fatkeqësi që të konsiderohet e tillë duhet të kenë humbur jetën të paktën 10 persona, mbi 100 persona të tjerë duhet të jenë të rrezikuar seriozisht dhe kur qeveria kombëtare duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të bëhet thirrje për ndihmë ndërkombëtare.
Shqipëria që nga viti 2010 ka pësuar të paktën 4 përmbytje të mëdha, por qeveria përmbytjen e fundit nuk e përllogariti si katastrofë natyrore. Për pasojë ndihmat nga jashtë dhe detyrimet e brendshme për kompensim janë vetëm në bazë vullnetare.
Drejtoria e Emergjencave Civile në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore të tilla si përmbytjet, tërmetet, zjarret etj. Që nga 2009, ku përmbytjet kanë vijuar me intensitet të lartë, dëmi në total në vlera neto i krijuar deri në fund të 2015-ës llogaritet rreth 200 milionë euro.
Vetëm nga reshjet e 6 janarit 2015 që krijuan përmbytje në disa zona në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug të vendit, dëmi u llogarit në rreth 15 milionë euro nga të cilat rreth 9 milionë euro u krijuan nga shembja e rrugëve dhe urave.

Asnjë hartë me zonat e rrezikuara nga përmbytjet

Përmbytjet në vendin tonë janë kthyer në një rutinë të përvitshme, por pavarësisht kësaj asnjëherë nuk është marrë iniciativa në krijimin e një harte të zonave më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore. Krijimi i një harte me fshatrat që rrezikojnë më shumë nga përmbytjet do të ndihmonte në planifikimin dhe menaxhimin më të mirë të emergjencave në aspektin shëndetësor dhe social të tyre.
Në këtë mënyrë ndoshta do të planifikohej edhe në buxhetin e shtetit një fond më i lartë se 1.3 milionë euro për emergjencat civile. Ndërkohë që, sipas përllogaritjes nga institucionet ndërkombëtare dhe Drejtoria e Emergjencave Civile fatura financiare që duhet të paguajë shteti çdo vit si rezultat i fatkeqësive natyrore është në vlerën e 35 milionë euro sa i përket dëmeve ekonomike. Sa i përket faturës shëndetësore dhe sociale që shteti duhet të paguajë në rast të emergjencave civile nuk ka të dhëna zyrtare.

Artikulli paraprakDerbi, i Juventusit
Artikulli tjetërBanorët përplasen me kryebashkiakun e Ramës: Gjeni zgjidhje mos na sillni patate