Burgjet, Avokati i Popullit dhe OSBE kritika për shkeljen e të drejtave të njeriut

Avokati i Popullit Igli Totozani rekomandon mbylljen e burgut të Krujës, ku aktualisht qëndrojnë të dënuarit për të cilët gjykata ka vendosur mjekim të detyrueshëm. Sipas Totozanit ky institucion  nuk përmbush asnjë standard për trajtimin e kësaj kategorie personash, për të cilët duhet të ngrihet një institucion i posaçëm. “Këta persona për të cilët shërbimi primar që i duhet ofruar është ai mjekësor i specializuar mbahen në institucione penitenciare, ku kushtet infrastrukturore, mungesat në burime njerëzore me staf të specializuar (mjekë psikiatër, ndihmës mjekë dhe kujdestar) e bëjnë këtë trajtim johuman  dhe degradues. Ndaj dhe së fundmi  institucioni ynë ka rekomanduar mbylljen IEVP Krujë, si një institucion i cili nuk përmbush standardet për trajtimin e kësaj kategorie personash. Gjithashtu kemi rekomanduar  marrjen e masave të menjëhershme për ngritjen e Institucionit të Posaçëm Mjekësor” thekson Totozani. Deklarata e Totozanit u bë gjatë një tryeze  të rrumbullakët  të zhvilluar në bashkëpunim me OSBE në lidhje  mbi situatën e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në institucionet shtetërore gjatë vitit 2015. Totozani, u ndal, gjithashtu, te çështjet e mbipopullimit dhe të të burgosurve me probleme të shëndetit mendor. Ai tha se megjithë hapjen e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale në Fier dhe Berat, si dhe rikonstruksionin e institucionit “Jordan Misja”, mesatarja vjetore e mbipopullimit është 25% mbi kapacitet, një realitet që, sipas tij, duhet ndryshuar patjetër. “Mbetet akoma një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe e ligjit për shëndetin mendor trajtimi i personave për të cilët nga gjykatat është vendosur masa “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” në Institucione penitenciare e Spitale Psikiatrike. Ligji për shëndetin mendor e ka parashikuar qartë në nenin 28 të tij, ngritjen e Institucionit të Posaçëm Mjekësor për të cilin pati edhe një Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Shëndetësisë në 2014, por që nuk u zbatua asnjëherë,” tha ai. Në të njëjtën linje me Avokatin e Popullit ishte e edhe  Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton i cili kërkoi më shumë kujdes për kategori te dënuarish. “Është shumë e rëndësishme që ata të trajtohen jashtë sistemit të burgjeve siç përcaktohet nga legjislacioni vendas dhe ndërkombëtar” tha Wilton.  Wilton, tha se, gjatë viteve të fundit, mbrojtja e të drejtave të njeriut të të burgosurve në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm, falë edhe punës së pandalshme të Avokatit të Popullit. Megjithatë, tha ai, mbipopullimi mbetet një shqetësim, i cili vë në vështirësi administratën e burgjeve; kërcënon të drejtat e personave të privuar nga liria; mund të çojë në trajtim të papërshtatshëm të të burgosurve; si dhe dobëson së tepërmi mundësinë e rehabilitimit. Ai shtoi se një tjetër shqetësim i veçantë, ngritur nga Prezenca e OSBE-së, është trajtimi i të burgosurve me probleme të shëndetit mendor. “Është shumë e rëndësishme që ata të trajtohen jashtë sistemit të burgjeve, sikurse përcaktohet nga legjislacioni vendas dhe ai ndërkombëtar”, tha Wilton. Ai tha se shpresonte që përpjekjet e qeverisë për të ndërtuar një spital të ri për personat me problem të shëndetit mendor që kanë kryer krime dhe që me vendim gjykate janë të detyruar t’i nënshtrohen trajtimit të japin fryte së shpejti. Një tjetër shqetësim i ngritur nga Totozani ishte edhe mbipopullimi në paraburgime,  i cili është në masën  25% mbi kapacitetin . Avokati i popullit kërkoi më shumë bashkëpunim nga drejtoria e burgjeve  pasi në shumë raste sipas tij ekspertët e Avokatit të Popullit nuk janë lejuar  nga drejtuesit e burgjeve te monitorojnë situatën , raste sipas tij që janë  janë referuar prokurorisë.

Artikulli paraprakDegradimi, 8 mijë militantë iu shtuan pushtetit të partisë në pushtetin lokal
Artikulli tjetërBankat e nivelit të dytë transferojnë 285 milionë dollarë jashtë Shqipërisë