Armik më i madh se krimi!

Jozefina Topalli

Tamam kur në Itali u hap lajmi se një tjetër skaf u kap në Itali me 1 ton drogë nga Shqipëria, Kryeministri i vendit tonë Edi Rama, nga godina e rikonstruktuar e Ministrisë së Brendshme, mes të tjerave tha:
Policia ka një armik më të madh se krimin, PD. Të sulmosh popullin opozitar nga Ministria e Brendshme nuk është vetëm politizim ekstrem i policisë, por është kërcënim i dhunshëm, që as nuk imagjinohet në vendet me demokraci. Megjithatë kjo është pjesa më “minore” në këtë histori. Ajo që të kujton etërit e diktaturës është krahasimi i njerëzve opozitarë si njerëz të partive fashiste, fiks siç bënin në 1990 kur shqiptarët po rrëzonin sistemin.
Por kulmi ishte, kur Edi Rama na quan ne si armiq, armiq më të rrezikshëm se krimi. Ky është mentaliteti stalinist i një njeriu që urren këdo që nuk pajtohet me të. Ky është një alarm i përsëritur i një sjellje lunatike. Edi Rama konsideron opozitën armike më të rrezikshme se krimin. Kjo të lë pa fjalë… por që duhet të shkundë këdo që kupton e beson sado pak nga demokracia, liria, ligji, të drejtat politike, të drejtat njerëzore.. Dje kur po e dëgjoja, m’u kujtua një histori personale e viteve ‘90.
Sapo kisha mbaruar gjimnazin dhe po bëja gati dokumentet për të kërkuar të drejtën e Shkollës së Lartë. E dija që me 99% nuk do më jepnin atë të drejtë, por përsëri kisha në fund të shpirtit një rreze shprese. Im atë që po më ndiqte në përgatitjet e mia më tha: -Nuk të japin të drejtën e shkollës, ti e din këtë. Edhe pse e dija se babai kishte të drejtë, përsëri u mbrojta, duke iu përgjigjur se- “kam rezultatet më të mira të gjitha viteve në gjithë qytetin, nuk mund të mos më japin të drejtën e shkollës. Në fund unë matematikë dua të studioj. Kam fituar përherë vendin e parë këtu në Olimpiadë të Matematikës. Këtë degë se preferon njeri.
Babai, që më ndiqte me sy gjithë dhimbje shtoi: – “Po, ne na kanë klasifikuar armiq të popullit. E kupton çfare do thotë?”.
Unë u ngriva. Njerëzit e mi ishin dergjur burgjeve dhe internimeve këtë e dija, por nuk e dija se ne (edhe unë, edhe pse 18 vjeçe) isha armike e popullit. Kujtoj që mbeta me deftesë në dorë e ngrirë; shikoja nga babai dhe nuk e kuptoja.. pse isha armike e popullit … Pse.

Artikulli paraprakRaporti i Fraser: Taksat e larta dhe korrupsioni, dy problemet kryesore në Shqipëri
Artikulli tjetërZgjedhjet e lira me çmontimin e kupolës kriminale në qeveri