Apartamentet në Tiranë, më të shtrenjta se në Paris e New York

Një apartament në Tiranë mund të kushtojë mesatarisht 70-100 mijë euro, ndërsa në Milano e Paris, edhe 300-500 mijë euro, por kur vjen puna për të llogaritur aftësinë blerëse të qytetarëve përkatës, kryeqyteti shqiptar rezulton më i shtrenjtë.
Një indeks i “Numbeo.com” rendit 269 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është).
Tirana gjendet në vendin e 235, duke u renditur mes qyteteve ku është më e vështirë për të blerë një shtëpi me të ardhurat e disponueshme. Parisi në Francë dhe Milano në Itali renditen përkatësisht në vendet e 231 dhe 232. Edhe më i lirë është New Yorku, që gjendet në vendin e 194.
Ky indeks, sipas “Numbeo”, llogaritet përgjithësisht si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve ndaj të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, të shprehura si vite të ardhurash. Ai merr në konsideratë të ardhurat e disponueshme neto, një apartament mesatar prej 90 metra katrorë dhe çmimin për metër katrorë (si një mesatare e çmimit në qendër dhe në periferi të qytetit).
Në Tiranë, sipas këtij indeksi, duhen 17.4 vite të ardhura për të blerë një apartament, ndërsa në Milano, një familjeje i duhen 17 vite, në Parir 16.8 vite. Në New Yorku duhen 12.7 vite, në Zyrih 10.1. Edhe në Vjenë, një destinacion shumë i preferuar i Europës, mjaftojnë 13.7 vite.
Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Sarajeva, me 12.9 vite. Në Shkup ky tregues është 15.6, në Podgoricë 14.1, Sofja dhe Selaniku e kanë 9.1, Athina 10.4. Qyteti më i shtrenjtë i rajonit, sipas fuqisë blerëse, është Beogradi, me 21.5 vite.
Në Europë, më i shtrenjti është Londra, ku do të duheshin 27 vite të ardhura për të blerë një apartament.

Beogradi dhe Tirana, më të shtrenjtët në rajon

Edhe në vlerë absolute, çmimet e apartamenteve në qendër të kryeqytetit janë ndër më të shtrenjtat në rajon, së bashku me Beogradin. Aktualisht, çmimet e apartamenteve brenda Unazës në Tiranë variojnë nga 1200-2000 euro për metër katrorë, por ka dhe disa zona që janë shtrenjtuar ndjeshëm. Në zonën e Televizionit Shqiptar, çmimi i apartamenteve ka arritur në 3,000 euro për metër katrorë. Tendenca është në rritje. Banka e Shqipërisë konfirmoi së fundmi se indeksi i çmimeve të banesave në kryeqytet u rrit me rreth 4% në tremujorin e fundit. Agjentët e real estate dhe ndërtuesit presin që kjo tendencë të vazhdojë edhe këtë vit.
Aktualisht, nivelin më të lartë të çmimeve në rajon për qendrën e ka Beogradi, me mesatarisht 2000 euro për metër katrorë, por për hyrjet luksoze arrin edhe në 4000 euro, sipas Eurobank Property Services. Çmime mes 1500-2000 euro/m2 ka dhe Podgorica.
Në rajon, më i lirë mbetet kryeqyteti i Maqedonisë, ku çmimet po bien që prej vitit 2011, pas një rimëkëmbjeje të shkurtër më 2010-n. Në Shkup, çmimi mesatar i banesave ra me 1.8% më 2015-n në MKD 52,916 (USD 963) për metër katrorë, në raport me vitin e mëparshëm, sipas Institutit maqedonas të Statistikave.
Në Sarajevë, çmimet mesatare të apartamenteve në qendër janë rreth 1400 euro/m2.
Por, ndryshe nga qendra, periferia në Tiranë është më e lira në rajon dhe luhatet mes 450-600 euro për metër katrorë, ndërsa në vendet e rajonit është minimum 800 euro/m2.

Pallate deri në 40 kate në qendër të Tiranës

Oferta për banesa luksi do të shtohet ndjeshëm në kryeqytet me hyrjen në fuqi të Planit të ri Rregullues të Tiranës në mes të këtij viti. Ky model zhvillimi, që do të synojë ndërtimin e kullave shumëkatëshe, do të synojë të rrisë më shumë vlerën e qendrës së Tiranës se sa të zgjidhë problemin e strehimit në kryeqytet. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri tek Parku i Liqenit.
Më herët, duke konsultuar planin e ri të kryeqytetit, kryebashkiaku Erion Veliaj ka pohuar se për të kursyer hapësirat publike do të synohet në ndërtesat më të larta. “Nëse kemi 500 metra katrorë, a nuk është më inteligjente të përdorim vetëm 100 metra katrorë dhe ta bëjmë 10-katësh, pasi ajër kemi, hapësira s’kemi. Më mirë shko sipër dhe na liro tokë ku të luajnë fëmijët, ku të zhvillohen hapësira publike”, ka argumentuar kryebashkiaku në takimet konsultative për Planin e ri Rregullues.
Por teksa plani i ri sapo ka përfunduar, grupet e interesit janë në pritje të zhvillimeve të reja. Ndërtuesit, ata që pritet të përftojnë nga torta e ndërtimeve të reja, kanë bërë gati projektet, disa nga kullat shumëkatëshe pritet të nisin këtë vit. Nga kontaktet me ndërtuesit, “Monitor” mësoi se dy prej tyre do të jenë në qendër të Tiranës pranë Sheshit Skënderbej, me një lartësi mbi 30 metër. Projektet tashmë janë gati dhe po presin kalimin në Këshillin Kombëtar të Territorit të Planit të ri Rregullues. Gjithashtu projekti i një kulle tjetër me 40 kate është gati të fillojë këtë vit në vend të Parkut të Lojërave në Rrugën e Elbasanit (7 xhuxhat), një zonë kjo shumë afër bulevardit kryesor “Dëshmorët e Kombit” dhe shumë pranë zyrave të qeverisë.
Kulla të tjera do të shtohen përgjatë aksit kryesor të qytetit që nis nga Universiteti i Tiranës deri në ekstremin tjetër të Bulevardit të Ri që po ndërtohet nga Stacioni i Trenit në Lumin e Tiranës.
Për një pjesë të urbanistëve, kjo është “goditja e fundit” që po i jepet zhvillimit urban të Tiranës. Besnik Aliaj, urbanist i njohur, anëtar i Këshillit Bashkiak (i dorëhequr tashmë pas aprovimit të planit), tha se Plani Urbanistik përqendron të gjitha fondet në ekonomi për të zhvilluar vetëm qendrën e kryeqytetit. Ai tha se kjo mënyrë zhvillimi, përveçse do të krijojë një flluskë në qendrën e Tiranës, lë jashtë vëmendjes totalisht zhvillimet në periferi. Ai tha se plani i ri e tregon qartë se zhvillimi do të përqendrohet në kufijtë e vjetër të Tiranës, duke lënë jashtë vëmendjes totalisht Tiranën e madhe, metropolin e vendit.

Artikulli paraprakShqipëria po plaket shpejt, mosha mesatare tani 35 vjeç
Artikulli tjetërMbyllen 10 mijë biznese në 5 muaj