Mbyllen 10 mijë biznese në 5 muaj

Bizneset e përfshira në biznesin pasiv arritën së fundmi në 106,439 sipas listës, në të cilën Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i përfshin këto biznese.
Në muajin gusht, lista e bizneseve pasive numëronte 95,089 subjekte, çka do të thotë se për pesë muaj, ajo është shtuar edhe me 10 mijë biznese të reja. Bizneset që kalojnë në status pasiv nuk kanë ushtruar veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm dhe nuk dorëzuar deklarata tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm.
Lista e bizneseve pasive është shtuar ndjeshëm vitin e fundit. Lista e publikuar për herë të parë në muajin maj tregoi se rreth 91 mijë biznese kishin pushuar aktivitetin.
Që nga maji i vitit të kaluar kanë kaluar 8 muaj dhe lista e bizneseve pasive është shtuar me 15 mijë subjekte. Nisur nga këto zhvillime shihet se rreth gjysma e bizneseve në vend kanë pushuar aktivitetin (nga rreth 180 mijë biznese që raportohen statistikisht).
Ministria e Financave ka sqaruar se këto biznese datojnë që prej vitit 1991 dhe ka pasur qindra e qindra parregullsi në pasivitetin e regjistruar të tyre ndër vite. Shumë prej tyre kanë falimentuar, por nuk kanë bërë procedurën e falimentit, shumë të tjera janë mbyllur dhe nuk kanë bërë procesin e mbylljes, biznese të tjera kanë kaluar në pasivitet ligjor dhe nuk janë pastruar kurrë nga regjistrat.
Por fakti që lista po shtohet me shpejtësi tregon se bizneset nuk janë duke operuar në një terren favorizues edhe këtë vit, edhe pse ekonomia është futur në një trend rritës.
“Monitor” po zhvillon një sondazh me një kampion prej 300 subjektesh nga 10 mijë bizneset që kanë kaluar në status pasiv pesë muajt e fundit nga e gjithë Shqipëria dhe do t’i publikojë së shpejti rezultatet e këtij anketimi të dytë. (I pari u zhvillua në shtator të 2016-s dhe përfshinte vetëm bizneset që kishin mbyllur aktivitetin në Tiranë në gjysmën e parë të vitit).
Pastrimi i regjistrit është marrë si një nga masat antievazion. Kështu Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka krijuar edhe një regjistër me bizneset që realisht janë tatimpagues. Më pas, ky regjistër duhet administruar në mënyrë rigoroze, duke i përjashtuar bizneset që nuk paguajnë për dy apo tri periudha tatimore rresht.
Bizneset mund të futen sërish në regjistër vetëm pasi të kenë shlyer detyrimet, por teksa lista e bizneseve pasive është publike, askush nuk mund të verifikojë listën e pastër të bizneseve.
Ndërsa lista tjetër e bizneseve jo korrekt mund të verifikohet fare lehtë nëse spekulon me faturat e TVSH dhe kjo duhet t’i bëhet e ditur menjëherë publikut.
Pjesa tjetër e bizneseve që janë në listën e “pastër” e marrin automatikisht rimbursimin e TVSH-së.
Ndërkohë, programi për kthimin e TVSH duhet të kontrollojë nëse furnizuesi nuk është në listë pasive dhe do të paralajmërojë tatimpaguesin se furnizuesi i tij nuk është i autorizuar të lëshojë fatura të TVSH-së.
Gjithashtu, dogana nuk duhet të përpunojë importet ose eksportet për tregtarët që nuk janë në regjistrin e pastër.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpjegon se qëllimi i publikimit të kësaj liste është që të vihen në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje-blerje) me subjekte, të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv.
Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj.

Artikulli paraprakApartamentet në Tiranë, më të shtrenjta se në Paris e New York
Artikulli tjetërSadiku e Ajeti shënojnë gola