AKU nuk garanton dot sigurinë ushqimore

Shqiptarët nuk dinë çfarë hanë. Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk arrin të garantojë sigurinë ushqimore në vend. Në këtë përfundim KLSH ka arritur pas auditit të kryer për periudhën janar 2012-dhjetor 2016, ku sipas këtij institucioni janë konstatuar një sërë shkeljesh. ‘Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të cilat kanë cenuar sigurinë ushqimore dhe për pasojë jetën ekonomike dhe sociale në vend, me një ndikim të rëndësishëm në uljen e besimit të konsumatorëve’. Rezultatet e këtij auditimi, KLSH ia ka vënë në dispozicion Komisionit për Ekonominë dhe Financat, si dhe ka njoftuar Kryeministrin e vendit me shkresën nr. 29/9 prot., datë 07/08/2017 për konkluzionet dhe rekomandimet e dhëna për përmirësimin e shpejtë të situatës së sigurisë ushqimore në vend. Rezultatet e analizave tregojnë se përmirësimi i sigurisë ushqimore në vend është i kufizuar, pasi me treguesit e analizave jo konform me standardet, pra të ushqimeve të dëmshëm për shëndetin, ka luhatje të theksuar. Në vitin 2012 kanë rezultuar 3.8% e mostrave me tregues jashtë standardit, zbresin në 1.8% në vitin 2015 dhe ngrihen në 2.8% në 2016. KLSH konstaton paaftësinë dhe mungesën e kapaciteteve të AKU në kontrollin e sigurisë ushqimore që prodhohet në vend dhe asaj që importohet. Sipas ligjit për ushqimin, objekt i kontrollit zyrtar nga ana e AKU janë operatorët e biznesit të regjistruar për të kryer veprimtari, që lidhen me biznesin e ushqimit, duke i bërë të pafuqishëm ndaj bizneseve informale të kësaj fushe, dhe kërcënim serioz ndaj sigurisë ushqimore, duke ditur që informaliteti vlerësohet të jetë mesatarisht 36%. Mungesa e përfshirjes në programin e inspektimeve nga AKU të bizneseve të reja ushqimore që krijohen gjatë vitit, ndikon në sigurinë ushqimore, duke theksuar se vetëm në vitin 2015 janë regjistruar 56,787 ndërmarrje, nga të cilat 17% të tyre e përbëjnë akomodimi dhe shërbimi ushqimor, të cilat rrjedhimisht përbëjnë risk ushqimor. AKU nuk ka një numër të saktë të operatorëve të biznesit ushqimor në rajone, të cilat janë objekt inspektimi, pasi ka shpërpjestime të theksuara midis rajoneve të këtij biznesi ndaj numrit gjithsej.

Nuk kontrollohen ushqimet e importuara nga jashtë

Shqipëria është dhe vazhdon të jetë një vend importues me vëllim të konsiderueshëm të produkteve ushqimore, çka e bën marrjen e mostrave një element shumë të rëndësishëm të inspektimit në PIK i lidhur me sigurinë ushqimore në vend. Megjithëse marrja e mostrave kryhet sipas planit dhe/ose në varësi të gjykimit të inspektorit, AKU nuk ka një përshtatje në numër dhe të profesioneve me origjinën e produkteve të importuara. Kështu, 6 zooteknikë (Durrës, Korçë, Gjirokastër, Kukës dhe Vlorë) duhet të inspektojnë mishin, gjënë e gjallë dhe produktet e tjera me origjinë shtazore; ose mësuesi i bio-kimisë apo të kimisë industriale duhet të inspektojnë mallrat e importuara joshtazore në Hanin e Hotit, Durrës, Vlorë dhe Kakavijë; në Bllatë (Dibër) inspektori veterinar ka kontrolluar për vitin 2016 vetëm 4 praktika të produkteve me origjinë shtazore; në Gjirokastër janë 2 inspektorë për produktet me origjinë joshtazore, kur për numrin e praktikave që hyjnë në PIK Kakavijë duhet të jetë dyfishi i tyre, si dhe janë 3 veterinerë që kontrollojnë gjysmën e praktikave të mallrave me origjinë joshtazore; e njëjta gjë konstatohet dhe për pikat e kalimit kufitar të Morinit, Qafë Thanë dhe Kapshticë. Mungesa e shpërndarjes së drejtë të numrit dhe profesioneve të inspektorëve sipas origjinës së produkteve të importuara ul ndjeshëm performancën e inspektorëve dhe për pasojë ndikon sigurinë ushqimore. Në përgjithësi në të gjitha PIK mungon infrastruktura e domosdoshme për të garantuar siguri dhe besueshmëri në rezultatet e analizave të mostrave, pasi mungojnë pajisjet e nevojshme të inspektorit për marrjen, mbajtjen dhe transportimin e mostrës; mungesa e ambienteve të përshtatshme në PIK për mbajtjen e mallit të bllokuar deri në daljen e rezultatit të analizave.

Paaftësia e inspektorëve në ushtrimin e kontrolleve

Nga shqyrtimi i numrit të inspektimeve për inspektor në vitin 2016, konstatohet se ka diferenca të theksuara midis rajoneve. Në se mesatarisht një inspektor i AKU ka kryer 176 inspektime (përafërsisht 1 inspektim çdo 2 ditë kalendarike), pesë inspektorë në rajone janë nën këtë mesatare, më e theksuar kjo në Gjirokastër (117), Vlorë (134) dhe Kukës (143). Në strukturën e masave administrative ulet numri i pezullim/bllokimeve, dyfishohet numri i gjobave, dhe janë me rritje të theksuar të numrit të paralajmërimeve, duke demonstruar jo vetëm ulje të cilësisë së inspektimit, si rezultat i njohjes së përciptë të ligjit bazë të sigurisë ushqimore të harmonizuar me atë të inspektimit, dhe i mangësive të kapaciteteve inspektuese. Janë vështirësuar procedurat e inspektimeve me ndarjen e sektorit të inspektimit të ushqimit në sektorin e inspektimit me origjinë jo shtazore dhe në atë me origjinë shtazore, pasi në operatorët e biznesit ushqimor, të cilët prodhojnë, përpunojnë, shpërndajnë dhe tregtojnë produkte me origjinë shtazore, përdoren ose tregtohen edhe produkte me origjinë jo shtazore të tilla si aditivët, ngjyruesit ushqimorë, uji, konservantët, stabilizantët, emulsionet, të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme e proceseve teknologjike. AKU nuk ka arritur të ketë numrin e inspektorëve të përcaktuar në organikë për 8 persona, duke ndikuar në një numër më të vogël inspektimesh dhe për pasojë në sigurinë ushqimore, që në këtë mangësi përfshihet dhe Departamenti i Administratës Publike. Ka një numër të konsiderueshëm inspektorësh, profesioni i të cilëve nuk ka lidhje me fushën e sigurisë ushqimore që ata kanë objekt kontrolli: janë 15 inspektorë zooteknikë, madje edhe në sektorin OJSH (si Dibër, Fier, Gjirokastër, Tiranë) dhe atë të mbrojtjes së bimëve në rajonin e Gjirokastrës; në sektorin e mbrojtjes së bimëve janë inspektorë që kanë formim profesional për bio-kimi (2) në Dibër dhe Shkodër apo inxhinier pyjor në këtë sektor në Lezhë etj., duke ulur ndjeshëm cilësinë e inspektimeve dhe për pasojë nuk jep ndikimin e pritur në përmirësimin e sigurisë ushqimore në vend. Inspektorët në AKU rezulton se kanë pasur trajnime sporadike, si dhe kanë munguar kryesisht dhe veçanërisht temat për inspektimin dhe inspektorët nuk i janë nënshtruar testimit profesional fillestar.

Gjoba dhe kompromise

AKU nuk ka pasur bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim të veprimtarisë së sektorëve në Drejtorinë e Përgjithshme dhe me rajonet për çështjen e gjobave, pasi rezultojnë diferenca të theksuara në numrin dhe vlerën e gjobave. AKU nuk ka pasur një ndëshkim vijues të veprimtarisë së operatorëve të biznesit ushqimor në kundërshtim me ligjin, pasi numri i gjobave ka luhatje nga viti në vit. Veç kësaj, megjithëse numri i gjobave është rritur pothuajse tre herë, vlera e tyre as nuk është dyfishuar, gjë që tregon se inspektorët janë të prirur drejt një kompromisi me subjektet në dëm të zbatimit të ligjit për ushqimin dhe për pasojë dhe në sigurinë ushqimore nga vendosja e gjobave minimale. Komisioni i ankimit në AKU nuk ka miratuar metodikën apo parime të tjera shtesë, mbi të cilat duhet të mbështetet inspektori për përcaktimin e vlerës së gjobës, për rastet kur gjobat janë në vlera minimale deri në ato maksimale. AKU nuk ka bërë publik komisionin e ankimit me mjete të përshtatshme siç kërkohet ligjërisht, duke e kthyer këtë në një veprimtari jo transparente dhe subjektive, e cila ndikon ndjeshëm për rritjen e nivelit të sigurisë ushqimore.

Rënie me 27% e analizave laboratorike

AKU kryen analizat në laboratorë të paautorizuar akoma nga ministri i Bujqësisë, i cili duhet të miratojë me urdhër listën e tyre, duke përcaktuar tipin e laboratorit dhe analizat, që janë të autorizuar të kryejnë. Konstatohet se ka prirje të rënies së numrit të mostrave të analizuara me 27% (ose 4,873 mostra), në një kohë që rritet numri i operatorëve të biznesit ushqimor dhe përfshihen gjithnjë e më shumë ushqime të reja dhe tradicionale, si dhe përsoset industria përpunuese ushqimore. Ka rënie të treguesve analitikë për mostër nga 3.4 në vitin 2012 në 2.3 në vitin 2016, çka do të thotë se, ndërsa modernizohet gjithnjë më shumë prodhimi, përpunimi, shpërndarja dhe tregtimi i llojeve të ushqimeve, treguesit e analizuar për një mostër bien, duke ulur ndikimin e veprimtarisë analizuese laboratorike të AKU në monitorimin e sigurisë ushqimore në vend. Në vitin 2016 për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve janë kryer 6% e analizave të vitit 2012, ose në shkallë vendi kryhen mesatarisht vetëm 2 analiza në 3 ditë, megjithëse është një nga sektorët më me risk për sigurinë ushqimore. E njëjta gjë vërehet dhe në analizat për mbrojtjen e bimëve, të cilat kanë rënie të konsiderueshme, duke i bërë produktet ushqimore me origjinë bimore të rrezikshëm për shëndetin e popullatës, për shkak dhe të mbetjeve pesticide që ato mund të kenë.

33% e specialistëve për sigurinë ushqimore u shkarkuan

AKU është karakterizuar me largime nga puna, të cilat kulmojnë në vitin 2014 me ikjen e afër 33% të të gjithë stafit dhe specialistëve (gjithsej 137 persona) dhe bashkë me të dhe të kualiteteve të trajnuara, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve pa shkaqe të përligjura, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit nga pagesat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mbi 78 milionë lekë për të gjithë periudhën e audituar 2012-2016. Sipas raportit të KLSH, AKU, në periudhën e audituar 2012-2016, ka ndryshuar raportin midis specialistëve në qendër dhe inspektorëve në rajone, në dëm të këtyre të fundit, duke i zvogëluar në vitin 2014 me 13 inspektorë. AKU nuk ka një shpërndarje racionale të subjekteve për inspektor sipas sektorëve në shkallë vendi, pasi sektori i mbrojtjes së bimëve ka 33 subjekte inspektimi për inspektor, 69 subjekte inspektorët e sektorit me origjine shtazore dhe 151 subjekte për inspektor në sektorin e inspektimit të ushqimeve dhe operatorëve të biznesit ushqimor joshtazor. Sipas strukturës dhe organikës aktuale, AKU ka shpërpjestime të konsiderueshme të numrit të inspektorëve midis rajoneve dhe sektorëve brenda tyre lidhur me ngarkesën e subjekteve për inspektim, pasi, p.sh për sektorin OJSH, inspektorët e Beratit duhet të inspektojnë pesëfishin e subjekteve të Kukësit; sektori i inspektimit të operatorëve ushqimor me origjinë shtazore të rajonit të Gjirokastrës kanë ngarkesën më të ulët prej 44 subjektesh nga 75 mesatarisht në shkallë vendi. Nëse konsiderohen të përafërta kushtet e tjera dhe shpërndarja e inspektorëve të bëhej mbi bazën e përqindjes së numrit të subjekteve të regjistruara sipas tre sektorëve të mësipërm, rezulton se në rajonin e Durrësit janë 7 inspektorë më shumë se ky raport, si dhe nga 6 inspektorë në Gjirokastër dhe në Kukës, pothuajse 10% e numrit gjithsej. Për vitet 2015 dhe 2016, konstatohet se AKU në Qafë Morinë Tropojë (Kukës), Gorricë (Korçë) dhe Shëngjin (Lezhë) nuk është kryer asnjë lloj importi, eksporti apo tranziti të produkteve ushqimore.

 

Artikulli paraprakShuhet Bajram Rexhepi, Njeriu i Luftës dhe i Paqes
Artikulli tjetërShërbimet partnere: Paraja nga droga tejkalon buxhetin e shtetit