Shuhet Bajram Rexhepi, Njeriu i Luftës dhe i Paqes

Në Kosovë, por edhe jashtë kufijve të saj, Bajram Rexhepi njihet si njeriu i paqes. Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare në një spital në Turqi. Ai për afro 40 vite nuk u ndal së punuari, një periudhë të gjatë kohore si kirurg, madje edhe në kohë lufte, ndërkaq në kohë paqeje si kryeministër i parë i vendit i institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse udhëhoqi procese të rëndësishme politike. Bajram Rexhepi, u lind më 3 qershor në vitin 1954 në qytetin e minatorëve, Mitrovicë. Rexhepi, ishte diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1979 dhe studimet-universitare i kishte përfunduar në Zagreb në vitin 1985.
Punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopit në Spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990. Më pas, ai u bë udhëheqës i qeverisë në ‘hije’ në qytet dhe u zgjodh i dërguar i Mitrovicës në Kuvendin e Kosovës. Gjatë luftës më 1999 me Serbinë, Rexhepi iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kaloi tre muaj në male, duke shërbyer si mjek në zonën operative të Shalës, duke kryer shumë operacione të rënda në rrethana dhe kushte aspak të përshtatshme për një kirurg. Pas përfundimit të luftës, Rexhepi shërbeu si kryetar i Këshillit Bashkiak të Mitrovicës dhe kryetar i pjesës së jugut të qytetit të ndarë. Ai gjithashtu ishte dhe kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në qytetin e tij. Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si Kryeministrin e parë të Kosovës dhe Ibrahim Rugovën si President.
Në vitin 2007, ai rizgjidhet sërish me votën e qytetarëve të Mitrovicës si kryetar i Mitrovicës, për ta përfunduar këtë mandat në vitin 2009. Rexhepi kishte ushtruar edhe funksione të tjera të rëndësishme, si atë të Ministrisë të Punëve të Brendshme. Ishte viti 2015, ku Rexhepi la politikën dhe iu kthye profesionit të tij, si kirurg në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Mirëpo, natën e 17 prillit të këtij viti, një orë pasi kishte përfunduar orarin e punës, pësoi sulm në tru në shtëpinë e tij. Atij i ishin bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme në repartin e neurologjisë, por për shërim ishte dërguar në shtetin turk. Pas disa muajsh qëndrimi në gjendje kome në një spital në Turqi, ish-Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10:00. Ai lë pas gruan, Shpresa Rexhepi dhe vajzën e tij, Vanesën.
Këshilli organizativ për varrimin e ish-Kryeministrit Bajram Rexhepi kanë marrë vendim bashkë me familjen e të ndjerit që të martën të kryhet ceremonia e varrimit. Kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi do të varroset në Mitrovicë në orën 16:30, njofton Klan Kosova. Nga ora 10:00 deri në 11:00 do të bëhen homazhe në Kuvendin e Kosovës. Ai do të varroset me ceremoni shtetërore dhe gjithçka do të përcillet nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Basha: Rexhepi u largua si shërbëtor i popullit të tij

Bajram Rexhepi ishte njeri i veçantë dhe shqiptar i madh. Pak njerëz i kanë shërbyer popullit të tyre si ai, duke u kujdesur me përkushtim si mjek për jetët e njerëzve, duke luftuar për lirinë e tyre dhe duke drejtuar përpjekjet e tyre për demokraci dhe përparim. Kam patur nderin të takohem shpeshherë me Bajramin dhe do të ruaj përherë brenda meje mbresat e pashlyera për dinjitetin, përunjësinë dhe mirësinë e tij. Në këto momente të dhimbshme të ndarjes së tij të parakohshme nga jeta bashkoj lutjet e mia me ato të familjarëve dhe miqve të tij. U prehtë në paqe! I paharruar kujtimi i tij!

Berisha: Rexhepi, një luftëtar guximtar i lirisë

Ish-Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi u nda nga jeta! Të dashur miq, familja Rexhepi, Kosova dhe mbarë kombi humbën sot një burrë të shquar, një luftëtar guximtar të lirisë, një shtetar të zotin, ish-Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi. Me këtë rast le t’iu shprehim ne ngushëllimet më të sinqerta familjes së ish-Kryeministrit të ndjere Rexhepi, autoriteteve të Kosovës dhe të lutemi së bashku që shpirti i tij i mirë të prehet në paqë!

Premtimi i Bajram Rexhepit në intervistën e fundit

Kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi, në vitin 2015 kishte folur për herë të parë për problemet me shëndetin. Në një intervistë në emision “E diela me Vesën”, Rexhepi kishte treguar për herë të parë se vuan nga një tumor, nga i cili edhe vdiq sot në orët e mëngjesit, shkruan Magazina.al. Në këtë intervistë, Rexhepi kishte treguar për trajtimin e kësaj sëmundjeje, duke shpresuar se ishte shëruar. “Sa isha kryetar i Mitrovicës, në vitin 2008, kam pasur limfomë, tumor i gjëndrave limfatike, tumor agresiv. Në fillim kam dashur të mendoj se kam vetëm një problem me dhëmb, por më vonë u konstatua se ishte problem tjetër. Jam operuar në Prishtinë, edhe pse kam pasur mundësi të shkoj jashtë vendit, kam besuar gjithmonë në mjekët tanë. Kam qenë në Hamburg për testime. Tri cikle i kam përfunduar në Kosovë, tri atje. Më kanë kërkuar të shkoj çdo gjashtë muaj, por nuk po i mbahem. Tash jam mirë dhe kam harruar që jam operuar. Vullneti dhe vendosmëria më kanë shëruar”, pati deklaruar Rexhepi. Ai më tej tregon se si nuk i kishte treguar familjarëve të tij, gruas dhe vajzës, për sëmundjen që kishte deri në momentet e fundit. “I kam premtuar vajzës që deri sa ta rehatoj, nuk do të vdes, por do të jem pranë saj”, kishte thënë Rexhepi në këtë intervistë të vitit 2015.
Fjalët prekëse të vajzës së Rexhepit
Lajmi për vdekjen e kryeministrit të parë të Kosovës, Bajram Rexhepi, i ka prekur të gjithë. Pas shumë statuseve ngushëllimi nëpërmjet mediave sociale nga liderët tanë dhe miq të familjes, ka folur edhe vajza e të ndjerit, Vanesa Rexhepi. “Të kam në zemër gjithmonë. Faleminderit për çdo sekondë ma të bukurin në botë. Të dua vetëm ty”, ka shkruar Vanesa nën një fotografi të babait të saj, të cilën e ka postuar në llogarinë e saj në Facebook.

Miku i Bajram Rexhepit: Sulmi në tru pasi punoi 27 orë pandërprerë në spital

Ylber Durmishi, miku i Bajram Rexhepit, ka rrëfyer për jetën dhe veprën e tij si kryeministër, por edhe si mjek në njërën nga qendrat mjekësore në Mitrovicë. Ai ka treguar se si Rexhepi bashkë me kolegët e tij mjekë kishin punuar 27 orë pa ndalë në shërbimet e pacientëve. “Aq shumë e deshi profesionin e tij prej mjeku, duke bërë operacione të mëdha. Bajrami ka intervenua në shumë operacione dhe së bashku me kolegët e tij kanë mbajtur deri në 27 orë pandërprerë, duke punuar në Spitalin në Bajr. Jeta e tij dhe karriera përfundoi dhe menjëherë pas punës, ai ka pasur sulm në tru”, ka rrëfyer miku i ngushtë i Bajram Rexhepit. Trupi i Rexhepit do të vijë në Kosovë nesër në mëngjes. Ai do të varroset në varrezat e dëshmorëve në fshatin Shipol të Mitrovicës, ndërkohë që ora e saktë e varrimit nuk është caktuar ende.

Një minutë heshtje për Bajram Rexhepin

Qeveria e Kosovës dje themeloi Komisionin për organizimin e ceremonisë mortore për ish-Kryeministrin, Bajram Rexhepi. Nën udhëheqjen e Kryeministrit Isa Mustafa, Qeveria mbajti mbledhje pas marrjes së lajmit për vdekjen e ish-Kryeministrit Bajram Rexhepi. Pas një minutë heshtjeje, kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për themelimin e Komisionit të Veçantë për organizimin e ceremonisë mortore për ish-Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, Komision që do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ndërsa anëtarë do të jenë: ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Sokol Havolli, një përfaqësues nga familja, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, si dhe përfaqësues nga Protokolli i Shtetit. Kryesuesi i Këshillit mund të emërojë edhe anëtarë të tjerë, nëse e konsideron të nevojshme. Mustafa tha se Kosova sot ka humbur një personalitet, një njeri të devotshëm, një mjek të mirë dhe një aktivist të lirisë e të pavarësisë, pjesëmarrës i luftës çlirimtare të Kosovës. “Bajram Rexhepi do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministri i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, duke kontribuar në avancimin e agjendës shtetndërtuese”, tha Kryeministri Mustafa.

Artikulli paraprakSkënderbeu beson
Artikulli tjetërAKU nuk garanton dot sigurinë ushqimore