Shërbimet partnere: Paraja nga droga tejkalon buxhetin e shtetit

Vendet e Bashkimit Evropian nisën të reagojnë ndaj anormalitetit të rëndë që po konsolidohet tashmë me shpejtësi në Shqipëri. Në Holandë, që në fakt njihet edhe si Barometri i politikave dhe zhvillimeve të mëtejshme në hapësirën evropiane është kërkuar zyrtarisht rivendosja e sistemit të vizave me Shqipërinë.
Ky nuk është ende një vendim përfundimtar politik dhe institucional i Holandës, por ka dy elementë shumë domethënës që praktikish i vendos shqiptarët në fije të perit.
E para, kërkesa është zyrtare nga agjensitë që janë të ngarkuara me çështjen e sigurisë dhe luftën kundër kriminalitetit. E thënë ndryshe, politika dhe institucionet shtetërore vendimmarrëse do ta kenë shumë të vështirë të mos i përgjigjen kërkesës së këtyre agjensive e nga ana tjetër t’u kërkojnë atyre garantimin maksimal të sigurisë dhe rendit për qytetarët e tyre. Përkundër, politikanët vendimmarrës do dilnin përgjegjës direkt përballë qytetarëve që do të votojnë për ta.
E dyta, që nga dhjetori i vitit 2016, Këshilli i Ministrave të BE ka miratuar tashmë mekanizmin e pezullimit të lëvizjes së lirë për vendet jo anëtare ku çdo vend anëtar mund ta aktivizojë atë.
Kriteret e parashikuara në këtë mekanizëm aktualisht penalizojnë drejtpërdrejt Shqipërinë më së shumti.
Kërkesa për azil nga qytetarët e Shqipërisë është katastrofike (në barazpeshë me Sirinë në luftë) dhe krimi i organizuar me bazë trafikun e drogës në majat më të larta të 25 viteve të fundit dhe më e larta nga rajoni ynë.
Shqipëria mbërriti në këtë derexhe nga një situatë krejt normale në 2007–2013 në “macen e zezë” për sigurinë e qytetarëve evropianë në 2015–2017 me një papërgjegjshmëri in-extremis dhe përmes një qetësie olimpike të aktorëve përgjegjës, duke menduar se duke i vënë në gjumin e hashashit shqiptarët nuk do ndihej askush tjetër.
Por ja që qeveritë dhe institucionet e vendeve anëtare evropiane kanë filluar të shohin rrezikun dhe kërcënimin e dëmit që po ju bëhet qytetarëve të tyre nga lëvizja masive nga Shqipëria dhe kryesisht strukturimi mafioz i grupimeve dhe rrjetit të trafikimit të drogave.
Ky rrezik në analizën e riskut që ata bëjnë konkludon shumë i lartë, kur tashmë nuk mund të fshihet më roli kyç i grupeve kriminale mafioze në networkun politik, proceset elektorale dhe për efekt në kontrollin territorial dhe institucional të shtetit shqiptar dhe nga ana tjetër humbja përditë e më shumë e sensit të stabilitetit dhe mundësive të jetës në Shqipëri.
Burokratët e disa prej institucioneve ndërkombëtare të akredituar në Shqipëri e kanë neglizhuar tërësisht këtë risk, e kanë fshehur këtë realitet shqiptar, kanë bllokuar çdo analizë dhe informacion për autoritetet e tyre përgjegjëse. Kjo për arsye të tyre, por që shqiptarëve tani po u kushton të pa imagjinueshmen.
Qytetarët shqiptarë kanë qenë që nga krijimi i shtetit të tyre të pavarur populli më i diskriminuar në konceptin e lirisë e të lëvizjes. Për pasojë të komunikimit dhe zhvillimit. Ndaj dhe fitimi i kësaj të drejte universale prej tyre në vitin 2008 ishte një ëndërr e bërë realitet në qiellin e shtatë.
Prindërit e përmalluar prej vitesh mund të shihnin fëmijët e tyre dhe të rroknin në gjoks aromën e nipërve dhe mbesave (siç i thonë tek ne) “mjaltit të mjaltit”, fatkeqët e prekur nga sëmundje lehtësisht të kurueshme nga avangarda mjekësore evropiane, por fatale për jetën në spitalet tona gjetën “dermanin” e nevojshëm, studentët e ambicjeve të gjeneratës së sotme të digjitalizuar shpërthyen kapacitetet e tyre në botën universitare evropiane, etj., etj.
Këto e përfitime të tjera nga normaliteti shqiptar i 2008, rrezikohen seriozisht të humben nga anormaliteti ynë i 2017.
Ky fatalitet që ka mbërritur bash tek porta jonë nuk lindi ashtu vetiu nga i nxehti ekstrem i kësaj vere. Kushdo me sy në ballë e mendje të kthjellët e shihte tek rrëmihte çdo ditë. Pak nga pak, por i zi katran.
Në nëntor të vitit 2016 në cilësinë e Kreut të Shtetit thirra mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të reaguar ndaj fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të drogave. (kupto aktiviteti i krimit të organizuar agresiv). Vlerësimet e agjensive inteligjente vendase dhe të huaja tregonin se nga shkurt-marsi deri në shtator-tetor të 2016 paraja e qarkulluar nga trafikimi i drogës ishte më e madhe se buxheti vjetor i shtetit !!!
Ky shqetësim dhe angazhim institucional u bojkotua, u ironizua, u anatemua dhe u injorua. Mbërritëm ku mbërritëm!
Po kush po e pëson, dita nga dita, keq e më keq. Qytetarët shqiptarë. Humbja do të vijë për të gjithë nëse nuk e ndalim. Demokratë e socialistë, votues dhe abstenues do t’i shohim së shpejti në rradhët e gjata të mureve të ambasadave, por pa marrë asgjë në fund. Nëse vizat rivendosen miq të mi, nuk do dihet se kur do mundemi përsëri të shkojmë tek fëmijët, nipërit e mbesat, në spital për emergjencën e jetës apo shkollën e fëmijëve?!
Holanda “barometër” nuk lë asnjë hezitim për vlerësimin e klimës si efekt domino i vendeve të tjera. Kështu është politika në fund të fundit.
Rreziku eminent dhe fortësisht i paralajmëruar është tek dera. E sigurt që çeljen e negociatave për anëtarësim këtë vit e kemi përfundimisht të humbur.
Gallataxhinjtë e shoqatava të quajtura “civile” nuk po duken ku janë.
Trendi i diskursit politik është sponsorizuar i tëri pa përjashtim tek anti-opozitarizmi.
Shqipëria ku po shkon? Nuk po merr mundimin ta thotë kush. E çfarë mund t’i kërkohet qytetarëve të thjeshtë, kur hallin e kanë tek buka e përditshme, kur elita e vendit duket kaq e frikësuar?
Shpresa vdes e fundit. Një goditje fatale, në front kombëtar nga Dibra në Tepelenë, nga Vlora në Shkodër, nga Durrësi në Elbasan e nga Fieri në Tiranë ndaj grupeve të krimit të organizuar tashmë në fashion të plotë mafioz është dhe duhet të jetë hapi i parë publik dhe institucional.
Nëse nuk shohim konfiskime të pasurive kriminale, duke filluar me të atyre organizatave të përfshira në procesin elektoral për të deformuar ndërgjegjen e qytetarëve.
Nëse nuk shohim procese ligjore të vërteta dhe transparente të hetimit dhe gjykimit të ashtuquajturve politikanë që deklarojnë miliarda pa punuar asnjë ditë.
Nëse nuk shohim pastrim të Parlamentit nga kriminelët ordiner, por me shumë para (droge dhe prostitucioni kuptohet).
Nëse nuk shohim…. (ka shumë syresh), do ta harrojmë shumë shpejt ta shohim Evropën live, (fëmijët, nipërit e mbesat emigrant, spitalet për kurim, shkollat për arsimim, tregjet për biznes etj).
Po, do ta shohim përmes BBC dhe Euronews!

Artikulli paraprakAKU nuk garanton dot sigurinë ushqimore
Artikulli tjetërPse Holanda kërkon rikthimin e vizave?