Afro 3 miliardë euro prodhime të importuara

Produktet, të cilat prodhohen në Kosovë, nuk po arrijnë t’i zëvendësojnë produktet e importuara. Kosova, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, po vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar. Kontributi i eksporteve në volumin tregtar, sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2016 ishte shumë i ulët, me rreth 310 milionë euro, kurse importi afër 3 miliardë euro. Përqindja më e madhe e produkteve të importuara vjen nga Serbia me 13,9 për qind, pasuar nga Gjermania me 12,3 për qind. “Tregtia e mallrave në vitin 2016 kishte deficit tregtar në vlerë prej 2,479,8 milionë euro, që tregon për një deficit tregtar më të lartë për 7.4 për qind krahasuar me 2015, ku edhe në këtë vit kemi bilanc negativ. Totali i eksporteve në këtë vit ishte 309,6 milionë euro, ndërsa importi 2,789,4 milionë euro. Eksporti mbulon importin për vetëm 11.1 për qind”, thuhet në statistikat e tregtisë së jashtme të publikuar ditë më parë nga ASK-ja. Ky deficit i lartë tregtar, nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë vlerësohet të jetë mjaft shqetësues për ekonominë e vendit. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo gjendje e deficitit të lartë tregtar në Kosovë është reflektim i politikave jo të duhura fiskale. “Reforma e fundit fiskale e dy viteve të fundit ka gjeneruar shumë pak rezultate pozitive në këtë aspekt, por në të njëjtën kohë duhet ta kemi parasysh edhe futjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që ka liberalizuar më tej tregtinë me shtete anëtare të Bashkimit Evropian, duke i shtuar kështu edhe më tej presionin konkurrues mbi produktet e prodhuara në Kosovë”, thotë Zeka.

Artikulli paraprakLuksi i Ramës, 140 milionë euro
Artikulli tjetërEurostat: Shqiptarët, më të varfrit