Luksi i Ramës, 140 milionë euro

Edi Rama përgjatë katër viteve të qeverisjes duket se ka pasur një pasion të shfrenuar për rritjen e shpenzime të luksit. Janë ato shpenzime që kanë të bëjnë me mobilime zyrash, makina të shtrenjta për ofiqarët apo shpenzime për rikonstruksione vilash qeveritare etj. Për shembull, për vitin 2017, që është dhe vit elektoral, në buxhetin e shtetit ka planifikuar 30 milionë euro shpenzime vetëm për Kryeministrinë. Në vitin 2015 shpenzimet e luksit për qeverinë arritën në shifrën e 91 milionë eurove dhe në vitin 2016 kjo shumë shkoi në rreth 22 milionë euro. Pra, në tre vitet e fundit, vetëm për arredime zyrash dhe jetë sheikësh qeveritarët e mazhorancës me në krye Ramën kanë shpenzuar jo pak, por 140 milionë euro, aq sa thuajse është dhe kostoja e rritjes së pensioneve në masën 80% siç ka premtuar opozita.

Viti 2017

Për vitin 2017 Rama ka akorduar në buxhet 30 milionë euro për arredim zyrash dhe shërbime të tjera të luksit vetëm në aparatin e kryeministrit. Bazuar në numrin e punonjësve që ka ky institucion, Rama duket se ka akorduar rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga një tjetër i ngjashëm i kryeministrit, Arben Ahmetaj. Ky i fundit i përfolur që në vitet 2004 për korrupsion me telefoninë fikse, në kohën kur ishte zëvendësministër. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to? Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin dhe një milion euro të tjera për blerje makinash. Këto janë shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore.

Vitet 2015-2016

Shpenzimet luksoze të qeverisë u faktuan në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga i cili për vitin 2015 dolën një numër i pafund shkeljesh që kanë të bëjnë me afera, skandale dhe vjedhje të qeverisë përmes tenderave, koncesioneve e fondeve abuzive. Dëmi në total për atë vit që i shkaktohej buxhetit, sipas KLSH, shkonte në 919 milionë euro ose gati 15% e tij. Kryetari i PD, Lulzim Basha do të denonconte asokohe këtë skandal, duke treguar në detaje se ku kishin vajtur këto para. “Ekonomia në krizë, papunësia rritet çdo muaj, borxhi në shifra alarmante, asnjë investim publik, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’ka rritje pensionesh e rrogash. Mesatarisht 2 mln lekë për familje u janë vjedhur shqiptarëve nga oligarkia Rama në vitin 2015. 91.6 milionë dollarë të shqiptarëve janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi, bileta avionësh, për luks. Me këto para do të ishin hapur 12 mijë vende pune në vit me paga 500 dollarë në muaj ose do ju ishte paguar ndihmë e plotë ekonomike 94 mijë familjeve në nevojë, ose do të ishin ndërtuar dhe mobiluar 38 shkolla të reja”. Por abuzimi me fondet për shpenzimet e luksit do të vazhdonte dhe në vitin 2016. Nga fondi i investimeve publike ajo do të merrte 20 milionë euro për rikostruksione dhe mobilim zyrash, ndërsa 2.6 milionë euro i kaluan aparatit të Kryeministrisë për shërbimet jashtë vendit. Për këtë vit, fondin për përmirësimin e zyrave e ka marrë Ministria e Ekonomisë, e cila me 20 milionë euro investim duket se do të jetë kthyer në ndonjë hotel me 5 yje që do e kishin zili dhe sheikët e Dubait.

850 milionë lekë vetëm për vilën e kasapit Mehmet Shehu

Në buxhetin e vitit 2017 janë parashikuar për rikonstruksionin e vilës së Mehmet Shehut plot 650 milionë lekë apo 500 mijë euro. Shuma është e barabartë me ato që janë dhënë dhe për strehimin e 20 familjeve të përmbytura të Bregut të Lumit. Por kësaj shume, sipas projektbuxhetit të parashikuar i shtohen dhe 210 milionë lekë të tjera për mobilim të pjesshëm që në total arrijnë vlerën e 850 milionë lekëve. Pra, 850 milionë lekë për një vilë, e cila sot është rezidencë qeveritare dhe Edi Rama e viziton shpesh sidomos gjatë orëve të drekës, ku pas punës së lodhshme (të mosbërit asgjë), shkon tek vila 30 për të pushuar. Por le të bëjmë një llogari të thjeshtë… Me 850 milionë lekë që do të harxhohen vetëm për rikonstruksionin, do të mjaftonte të strehoheshin të paktën 20 familje ose e barabratë me ndërtimin e një pallati pesë apo gjashtë katësh, për këtë qëllim. Por jo, po harxhohen afro 1 milion dollarë, për luksin kryeministror. Për të kënaqur midetë e Edi Ramës, i cili pas ardhjes në krye të shtetit në vitin 2013 po shijon benefitet e pushtetit, me paratë e taksapaguesve. Për çfarë i duhet gjithë ky luks kryeministrit për një ambient që e përdor vetëm disa ditë në javë, nga pak orë, ose për t’u takuar me aleatët për punët e koalicionit? Një vilë qeveritare, e cila me paratë e harxhuara do të mund të kryheshin punë të tjera publike ose mund të shkonin për financimin e qendrave sociale për fëmijë, që mos shikonim më pamje si të Afrikës të fëmijëve që afrohen për të lypur në semaforë. Kujt do i duhen rikonstruksione që s’kanë asnjë vlerë historike apo kulturore, por thjesht i sjellin në vëmendje shqiptarëve një kohë të errët dhe kriminale?! Përgjigjja është e thjeshtë, Edi Rama po shpenzon pa fre për luksin e tij tashmë në fund të mandatit, ndoshta i fiksuar nga ideja se pushtetin e sotëm do e gëzojë përjetësisht nën shembullin e idhujve të tij shpirtërorë dhe diktatorialë. Një ide që po na kushton të gjithëve shumë.

Në katër vjet, Rama shpërdoroi 18 miliardë euro të buxhetit

Në katër vite,  Rama mendohet të ketë pasur një buxhet prej më shumë se 18 milionë eurosh, por kjo do të jetë e vetmja qeveri që ka abuzuar me fondet në mënyrën më skandaloze të mundshme. Nuk është hapur një rrugë, madje nuk janë përfunduar as ato pak kilometra që u lanë të gatshme nga qeveria Berisha. Sot jemi përpara një situate që nuk janë mbyllur ende ato pak kilometra në akset kryesore të vendit, si fjala vjen by pass-i i Fierit ose 12 kilometrat e rrugës nga Iba deri tek TEG, të cilat deri më tani kanë kushtuar 120 milionë euro, ose 10 milionë euro kilometri në kodra ranore. Rrogat nuk janë rritur dhe niveli është ai i vitit 2013, në katër vjet nuk u rritën as pensionet, munguan rimbursimet në shëndetësi, munguan investimet në arsim. Qeveria tregoi se ishte e aftë vetëm për të gjetur mënyra se si të abuzojë me fondet dhe taksat e qytetarëve shqiptarëve. Ka qenë e aftë vetëm t’i tregojë burgun për t’i vjedhur dhe qindarkën e fundit dhe për të mos u afruar asnjë shërbim. Ajo ka qenë e aftë vetëm për të mbajtur një grusht njerëzish oligarkë afër saj, të cilët katër apo pesëfishuan pasurinë në vitet e sundimit Rama. Në rast se këto para do të ishin shpërndarë në mënyrë të ndershme tek popullsia këto katër vjet (sepse investime nuk u dukën kurrkund), sot situata e varfërisë duhej të ishte ndryshe. Por Rama nuk bëri asgjë nga këto, madje thelloi në mënyrë gati të pariparueshme hendekun e pabarazisë në vend. Sot e gjithë pasuria kombëtare, kontrollohet nga 10 apo 12 klientë të tij, të cilët kanë zaptuar gjithçka është e përbashkët në këtë vend. Shëndetësinë, arsimin, minierat, energjetikën, turizmin dhe në rast se nuk merren masat radikale e ardhmja parashikohet një katastrofë për këtë vend. Laku i varfërisë do të vazhdojë të shtrëngohet gjithnjë e më shumë nga përqendrimi i parasë në pak duar. Shqipëria në rast se vazhdon të udhëhiqet me këto metoda abuziviste nuk e ka të largët ditën e falimentimit si shtet, kur e gjithë pasuria kombëtare të jenë asete e bankave ndërkombëtare. Të vetmit të fituar nga kjo histori do të jetë ai rrethi i ngushtë i liderit global dhe ofiqarët e tij, sa për shqiptarët shpëtimi i vetëm do të vazhdojë të mbetet braktisja e vendit.

Artikulli paraprakKLSH: 1.47 miliardë euro vjedhje dhe korrupsion
Artikulli tjetërAfro 3 miliardë euro prodhime të importuara