Administrata detyrohet me forcë të protestojë përpara Parlamentit

Punonjësit e Administratës Publike dhe ata të Bashkisë së Tiranës janë detyruar dje që të dalin të protestojnë para Kuvendit për t’u kërkuar deputetëve që të votojnë Reformën në Drejtësi. Me urdhër të Ramës të gjithë drejtuesit e institucioneve u kanë dërguar sms punonjësve që të dalin për të protestuar para Kuvendit në orën 10:00 të ditës së enjte.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka detyruar punonjësit e Bashkisë që të dalin në protestë para Parlamentit, duke kërkuar miratimin e Reformës në Drejtësi. Burimet thanë se shumica prej tyre nuk kishin as informacionin minimal për reformën. Gratë kanë qëndruar që prej orëve të para të paradites së djeshme, duke sfiduar temperaturat e larta. Të njëjtat burime thanë se, Veliaj ka ushtruar presion ndaj punonjëseve që të dalin në protestë për të mbështetur Reformën në Drejtësi.
Me gjithë presionin e madh të drejtuesve, në protestë para selisë së Kuvendit ndodheshin fare pak njerëz me pankarta në duar të përgatitura në zyrat e PS. Në protestë kanë qenë edhe disa punonjëse të OSHEE, të cilat janë detyruar me dhunë të lënë punën dhe të protestojnë. Dje, rreth orës 10:00 kur pritej që Parlamenti të niste seancën për të miratuar draftin e reformës, dhjetëra qytetarë ishin mbledhur përpara ambienteve të Kuvendit. Mediat pro qeverisë njoftuan se po protestonin qytetarë të thjeshtë dhe Shoqëria Civile, por në fakt rezultoi se në protestë ndodheshin punonjës të Administratës Publike si dhe punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe disa persona të Fondacionit Soros.
Para mediave u shfaqën disa gra militante të PS, duke u shprehur se kërkojnë që të votohet Reforma në Drejtësi. Ndërkohë, një punonjëse e OSHEE njoftoi nëpërmjet telefonit se ishte detyruar me forcë që të shkonte në protestë para Parlamentit. “Na thanë shkoni në protestë, ose përndryshe do të pushoheni nga puna”, u shpreh ajo.
Aq qesharake ishte kjo protestë sa shumica e të pyeturve se përse kishin dalë të protestonin nuk ishin në gjendje të argumentonin arsyen e vërtetë. Me të drejtë kanë pyetur nëse ata kanë apo jo informacion në lidhje me atë çfarë palët po negociojnë dhe më së shumti me termat teknik që ata përdorin siç është ‘vettingu’ ose e thënë ndryshe monitorimi nga ndërkombëtarët në lidhje me emërtimet në institucionet e reja të gjyqësorit që parashikon edhe Reforma në Drejtësi.
Të pyetur shumë nga emisioni “Stop”, përgjigjet e dhëna për  “vettingun” ata kanë dhënë përgjigje qesharake. Një pjesë e tyre e ngatërrojnë me termin miting, një pjesë e tyre me seli parti dhe një pjesë që përgjigjen se duan Reformë në Drejtësi.
Para tre ditësh një grup të ashtuquajturish aktivistë civilë protestuan para selisë së Kryesisë së Kuvendit, ku me pankarta në duar kërkonin miratimin e Reformës në Drejtësi. Në këtë protestë ku pjesëmarrja ishte e jo më shumë se 20 personave spikasnin aktivistë të njohur të Partisë Socialiste. Në fakt në protestë nuk ka qenë aspak Shoqëria Civile, por kanë qenë anëtarët e organizatave bazë të Partisë Socialiste, e madje edhe persona të dënuar nga drejtësia amerikane.
Anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS, komisionerë të PS, Kryetarja e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste për Njësinë 5 apo Kryetarja e PS për Njësinë 11 u shfaqën me pankartat në duar për miratimin e Reformës në Drejtësi.
Në këto protesta spikasnin gjithashtu edhe personazhe jo vetëm për lidhjet me PS, por edhe për bëmat e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët nga të dënuar për vjedhje në SHBA, këtu, në Tiranë shfaqen duke protestuar para Kuvendit për “drejtësi” ndaj qytetarëve përmes miratimit të Reformës në Drejtësi.
Kosta Bajraba, një drejtues në PS gjatë kohës që Rama ishte në opozitë, bashkë me gruan e tij u kapën duke vjedhur në një supermarket në Shtetet e Bashkuara. Gruaja e tij, Bardha Barjaba ishte në protestë për miratimin pa vonesa të Reformës në Drejtësi! Edhe gjatë ditës së djeshme u ndoq e njëjta skenë, zyrtarë të PS dhe punonjës administrate të detyruar me forcë që të dalin për të protestuar.

Artikulli paraprakProkuroria: Hetimi i gjyqtares u dekonspirua para arrestimeve
Artikulli tjetërFleckenstein: Zgjedhje të reja nëse qeveria nuk është e aftë të funksionojë