A ka ndërhyrë Rusia në fitoren e Trumpit?

Nga Irani e deri në Kili, operacionet e fshehta të CIA-s amerikane kanë rrëzuar nga pushteti dhe kanë ngjitur në pushtet me dhjetëra udhëheqës e diktatorë, shkruan Kerëlin Bejlon në të përjavshmen amerikane, “Njuzuik”. Dhe në fakt, mesa duket, Rusia ka marrë një prej faqeve të librit të udhëzimeve të agjencisë amerikane të zbulimit dhe e ka vënë në zbatim.
Në fakt, komuniteti amerikan i zbulimit kishte drejtuar gishtin nga hacker-at e mbështetur prej Kremlinit në disa raste, gjatë fushatës zgjedhore amerikane, ndërhyrje të cilat kanë nxjerrë zbuluar edhe e-mail-et e Hillary Clintonit, si dhe të pjesëtarëve të Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk e ka fshehur në asnjë rast admirimin e tij për Donald Trumpin, të cilin madje një herë e ka quajtur edhe “lideri absolut” në garën presidenciale në SHBA. Nuk ka vonuar përgjigjja e këtij të fundit, i cili i ndjerë edhe pakëz i përkëdhelur, nuk ka kursyer lavdet për presidentin rus, duke shtuar madje se do të “konsideronte njohjen e aneksimit të Krimesë” nga Rusia dhe do të hiqte sanksionet. Deklarata që me siguri e kanë bërë t’i hyjë edhe më shumë në zemër udhëheqësit të Kremlinit.
E vërteta është që e-mail-et e nxjerrë shkaktuan jo pak probleme për fushatën e Clintonit. Në disa prej tyre dilte qartë se Komiteti Kombëtar Demokrat kishte sabotuar fushatën e Bernie Sendërsit në favor të Clintonit. Një tjetër grup e-mail-esh që u nxorën në tetor, nxorën zbuluar para publikut fjalimet që Clintoni kishte mbajtur tek Goldman Sachs.
Në të vërtetë, e gjithë kjo është për t’u besuar, po të kesh parasysh veprimtarinë e Rusisë në hapësirën kibernetike. Dikur, KGB ishte sofistikuar në luftën propagandistike dhe pasardhësja e saj, është persosur në po këtë luftë, por këtë herë në terrenin dixhital. E ka bërë përmes përdorimit të grupeve “të pavarur” të hacker-ave, duke siguruar që, nëse veprime të tillë të shpinin në Rusi, qeveria të pretendonte se prapa tyre qëndronin thjesht hacker-a të pavarur patriotë.
Ajo që është e qartë, sidomos sot pas zgjedhjeve, është se në një garë shumë të ngushtë, 48 me 47%, veprime të tilla bëhen vendimtare dhe e përmbusin balancën. Dhe në fakt i krijuan një disavantazh Klintonit. Roli i Rusisë në këto zgjedhje ishte domethënës, për arsye se, duke parë që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë më të tensionuarat që nga Lufta e Ftohtë, Rusia dha një dorë për t’u siguruar që në Shtëpinë e Bardhë do të vinte kandidati që do të ishte më miqësor ndaj Rusisë. E para, bën që të ketë më pak gjasa për një përshkallëzim dhe e dyta, e bën presidentin e SHBA që të ndjejë njëfarë borxhi mirënjohjeje ndaj Kremlinit.
E gjithë kjo situatë mund të ketë dy pasoja të mëdha: Të bëjë Trumpin më të pajtueshëm me Rusinë dhe mbi të gjitha, Rusia, pasi ka parë suksesin e këtyre metodave në zgjedhjet e SHBA, të shtojë dhe forcojë përdorimin e tyre edhe gjetkë nëpër botë.

Artikulli paraprakSteven Gerrard e “mbyll” me Los Angeles Galaxy
Artikulli tjetërHillary Clinton: Nuk doja të dilja nga shtëpia