A duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme për drogën?

Bledi KASMI

Ndërsa i gjithë vendi është nën pushtetin e karteleve të drogës të koordinuara me strukturat e inkriminuara drejtuese të policisë, rendi kushtetues mund të konstatohet lehtësisht se është i rrezikuar. Numri i të vrarëve për konfliktet e drogës po rritet. Trafikantët kanë në duart e tyre pikat strategjike të sigurisë kombëtare, duke nisur nga portet, aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar.
Ndaj tyre nuk ka asnjë rezistencë. Të vetmit garantë të këtij rendi kushtetues për momentin janë, një pjesë e Prokurorisë, Shërbimi Informativ, një pjesë e Forcave të Armatosura dhe opozita. Edhe këto institucione, në kushtet e njehsimit të qeverisë me interesat e karteleve të drogës e kanë gjithnjë dhe më shumë të vështirë për të reaguar në mënyrë institucionale.
Është koha që Parlamenti të veprojë.
Pyetja që kërkon përgjigje është nëse mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për situatën e krijuar dhe nëse jo cilat do të jenë alternativat dhe pasojat?
Rama me të ardhur në pushtet, një nga vendimet e para që ndërmori ishte ndryshimi i ligjit për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme.  Ligji i ndryshuar përcakton se; në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
Jemi në kushtet kur qeveria është në një konflikt të pastër interesi me këtë ligj të Gjendjes së Jashtëzakonshme. Ajo nuk mund të inicojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, sepse është ajo që qëndron pas karteleve të drogës. Presidenti po ashtu mund të vihet në lëvizje vetëm me një kërkesë të Këshillit të Ministrave që nënkupton një tjetër paralizë për të ndërmarrë veprime të forta dhe përdorimin e Forcave të Armatosura ndaj trafikantëve të drogës.
Ndoshta këtë ka pasur parasysh edhe ministri i Drejtësisë tre ditë më parë, kur kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë ndaj trafikantëve të drogës. Ai adresoi një kërkesë për qeverinë dhe përgjigjen e mori nga ministrja e paradhomës së Ramës, e cila tha se siguria kombëtare është një çështje serioze.
Ministrja të cilës i janë rrëzuar disa pilotë në trafikimin e drogës edhe jashtë Shqipërisë dhe që i janë provuar pistat e avionëve të ushtrisë të dhëna me qera për avionët e drogës, natyrisht është në konflikt interesi me luftën ndaj drogës sikurse edhe shefi i saj.
Duke parë këtë ngërç institucional për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kryetari i opozitës ka dhënë alternativën e vetme që mbetet për t’u vënë në lëvizje. Rrëzimi i kartelit të drogës në qeveri. Pa rrëzimin e këtij karteli, në Shqipëri nuk do të mund të flitet më për liri kushtetuese, aq më pak për zgjedhje.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKosovë, qindra milionat e investuara në KEK, të pamjaftueshme