Kosovë, qindra milionat e investuara në KEK, të pamjaftueshme

Mbi 400 milionë euro llogariten investimet që janë realizuar që nga viti 2003 e këndej në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës. Ndërkohë që nuk dihet se sa është vlera e donacioneve. Përfaqësues të Shoqërisë Civile, konsiderojnë se vlera e investimeve është më e lartë dhe investimi është bërë në sektorë të paqëndrueshëm. Korporata operon me dy termocentrale: – Termocentralin “Kosova A” dhe atë “Kosova B”, ku edhe janë realizuar investimet. Skënder Bucolli, drejtor i zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Korporatën Energjetike të Kosovës ka thënë për Radion “Evropa e Lirë” se, investimet, janë realizuar qoftë në formë vetanake apo përmes donacioneve. “Investimet vetanake në Termocentralin “Kosova A”, janë mbi 160 milionë euro, ndërsa në Termocentralin “Kosova B” rreth 200 milionë euro”. “Investimet nga donacionet në këto dy termocentrale llogariten të jenë mbi 47 milionë euro”, ka thënë Bucolli. Të gjitha këto investime, sipas tij, janë si rezultat i shfrytëzimit të termocentraleve pa kritere gjatë viteve të ‘90-ta, mos investimi për një kohë të gjatë në to, si dhe pajisjet e vjetëruara dhe të pariparuara sipas planit. Por, përfaqësues të Shoqërisë Civile konsiderojnë se që nga përfundimi i luftës janë investuar mbi 1.2 miliardë euro në sektorin e energjisë. Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë” thotë se është vështirë të matet vlera e saktë e investimeve, pasi ndihma financiare e donatorëve për Kosovën nuk është zbatuar përmes ndihmës direkt në Buxhetin e Kosovës, por donatorët kanë udhëhequr vetë me të gjitha procedurat e investimeve. “Gjithmonë ka qenë problem të identifikohen investimet në sektorin energjetik, duke marrë parasysh se në vitet e para të pas luftës, pjesa më e madhe e investimeve është dhënë nga donatorët ndërkombëtarë”, ka thënë Demi. Edhe Kushtrim Puka, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji (KOSID), ka thënë se vlera e investimeve është më e lartë se një miliard euro. Sidoqoftë, edhe shifra prej 400 milionë euro, siç deklarojnë zyrtarë të KEK-ut, sipas tij, konsiderohet e lartë, pasi që investimet janë realizuar në termocentrale të vjetëruara. Puka, pohon se autoritetet përgjegjëse është dashur të investojnë në kapacitete alternative të energjisë elektrike. “Janë termocentrale shumë të vjetra. Termocentrali “Kosova A” konsiderohet si ndotësi më i madh në gjithë Evropën. Madje, Kosova pasi është nënshkruese e Traktatit të Athinës ka qenë e obliguar që ky termocentral të mbyllet deri në vitin 2017”, thekson Puka. Në anën tjetër, Skënder Bucolli, nga Korporata Energjetike e Kosovës, thotë se investimet kanë qenë të domosdoshme, në mënyrë që të kthehet gjendja normale e prodhimit. Ai thotë se investimet, edhe pse jo të mjaftueshme, por të domosdoshme, kanë rezultuar me performancë shumë më të mirë dhe është rritur dukshëm prodhimi dhe stabilizimi i energjisë elektrike. Agron Demi, pajtohet se prodhimit i energjisë elektrike është në nivelin më të lartë, që nga lëshimi në funksion të këtyre termocentraleve dhe ka përmirësim të furnizimit me energji elektrike. Por, ai shprehet se investimet e deritashme janë shpenzuar në sektorë të paqëndrueshëm. “Ajo çka është problematike, termocentralet janë shumë të vjetra, sidomos Termocentrali “Kosova A”, ku vetë menaxhmenti i KEK-ut dhe punëtorët frikësohen se mund të kolapsej nga dita në ditë. Ky është problemi më i madh që po investohet në një sektor që nuk është i qëndrueshëm për shkak të vjetërsisë së termocentraleve”, shprehet Demi. Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese, blloku i parë ka filluar punën në vitin 1962, kurse Termocentrali “Kosova B” është lëshuar në funksion në vitin 1983. Për tejkalimin e problemeve rreth furnizimit me energji, Qeveria e Kosovës kishte përgatitur që moti planin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, por i cili nuk ëshët realizuar. Ndërkaq, duke u nisur nga qasja e re e ruajtjes së mjedisit, kohëve të fundit shtohen idetë që të investohet më shumë në format alternative të sigurimit të energjisë.

Artikulli paraprakA duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme për drogën?
Artikulli tjetërBizneset: Kuvendi të pranojë dekretin e Presidentit për dhomat e tregtisë