7 milionë euro për të tërhequr dëshminë ndaj Shullazit, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria për Krime të Rënda zgjeron hetimet për personat e tjerë të përfshirë në grupin e Emiljano Shullazit, pas dëshmisë së dhënë nga Ylvi Beqja në Gjykatë. Burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se, hetimet kanë nisur ndaj personave, emrat e të cilëve ka përmendur Beqja gjatë dëshmisë së tij, në seancën e sigurimit të provës. Hetimet, thonë burimet, kanë nisur për Ervis Martinajn, i cili edhe pse në kërkim nga policia për një dënim me 3 vite burg, dyshohet se i ka bërë presion Beqajt për të tërhequr dëshminë ndaj Shullazit. Sipas biznesmenit Ylvi Beqaj gjatë një takimi, Martinaj i ka kërkuar të tërheqë dëshminë ndaj Shullazit kundrejt shpërblimit prej 7 milionë eurosh. Beqja ka rrëfyer para Gjykatës se, ky person e ka garantuar se, 1 milion euro ishin të gatshme për t’u dhënë direkt në dorë, ndërsa pjesa tjetër do t’i jepej me këste, vetëm që ai të hiqte dorë nga dëshmia kundër Shullazit. Por Beqja ka rrëfyer se kjo gjë nuk është pranuar nga ai.
Pas refuzimit të ofertës, Beqja ka pretenduar se është kërcënuar nga Martinaj, që tashmë po hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në hetim, mësohet se janë edhe disa tregtarë, emrat e të cilëve nuk bëhen publike, por që kanë dalë në disa media, duke akuzuar Ylvi Beqajn, personin e mbrojtur nga drejtësia, se i ka para borxh. Tregtarët sipas biznesmenit Beqja, i kanë detyruar të dalin publikisht për ta akuzuar atë. Pretendime, të cilat po verifikohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Nga ana tjetër, avokatët e Emiljano Shullazit dhe të akuzuarve si pjesëtarë të bandës së tij, kanë thënë se pretendimet e Ylvi Beqajt nuk janë të vërteta. Ata kanë thënë se do të ballafaqohen në seancë gjyqësore me dëshmitarin e mbrojtjes, për pretendimet e tija.
Ndërkohë, seanca e ballafaqimit midis Emiljano Shullazi dhe biznesmenit Ylvi Beqaj ka dështuar sërish ditën e djeshme. Shkak janë bërë sërish mungesa e avokatëve mbrojtës. Deri më tani janë më shumë se 15 seanca të dështuara dhe shkak kryesor për këtë gjë bëhen kryesisht avokatët, por edhe vetë Shullazi. Emiljano Shullazi është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë me akuzën për gjobëvënie.

Artikulli paraprakCali: Lagunën e shfrytëzon Armando Prenga edhe pasi fituam gjyqin
Artikulli tjetërNew Europe: Saga e vilës shqiptare të Vlahutin vijon