Cali: Lagunën e shfrytëzon Armando Prenga edhe pasi fituam gjyqin

Anëtarët e familjes Cali kanë deklaruar dje në Gjykatë se pavarësisht se, kanë fituar gjyqin për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut, sërish ajo shfrytëzohet nga ish-deputeti i PS, Armando Prenga. “Me një vendim të dytë, pezullim ekzekutimi na kanë komunikuar se nuk keni leje të përdorni. Aty e përdorin do pukjanë nën hijen e Armando Prengës. Armandi e ka fituar tenderin jo na”, u shpreh Gjergj Cali.
Pak muaj me parë, familja Cali paditi tenderin e Ministrisë së Bujqësisë, që i kish dhënë lejen Prengës për shfrytëzimin e Lagunës. Shkalla e Parë Administrative i dha të drejtë Calëve. Më pas, Ministria e Bujqësisë e apeloi duke e humbur procesin dhe vendimi mori formën e prerë. Por ekzekutimi i vendimit është pezulluar nga Gjykata e Lartë deri në përfundim të gjykimit edhe në këtë Gjykatë.
Gjykata e Lartë i vazhdoi lejën e shfrytëzimit të Lagunës së Patokut familjarëve të Armando Prengës, edhe pse kishte dy vendime kundër. Tre gjyqtarë të kësaj gjykate në dhomën e këshillimit mësohet se kanë vendosur të pezullojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit Administrativ, që i heq të drejtën familjarëve të Prengës të shfrytëzojnë Lagunën. Argumentet e këtij vendimi ende nuk bëhen të ditur, pasi tre gjyqtarët nuk e kanë zbardhur vendimin e arsyetuar, që u hoqi të drejtën peshkatarëve të familjes Cali të shfrytëzojnë Lagunën e Patokut.
Në favor të familjes Cali, kanë vendosur dy gjykata, ajo e Shkallës së Parë dhe Apelit Administrativ. Këto gjykata, kanë shfuqizuar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, që i heq të drejtën e shfrytëzimit familjes Cali dhe ia kalon vëllait të ish-deputetit Armando Prenga. Por këtë vendim, familjarët e deputetit Prenga e kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar njëherazi pezullimin e këtij vendimi deri sa dosja të shqyrtohet në themel nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë. Tre gjyqtarët, në dhomë këshillimi pranuan rekursin e familjarëve të deputetit Prenga, duke i dhënë të drejtën të vazhdojnë shfrytëzimin e Lagunës deri sa Ministria e Bujqësisë të zhvilloi procedurat e tenderit të licencës së re.
Nga ana tjetër, procesi penal ndaj ish-deputetit Armando Prenga që akuzohet për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe plagosje të rëndë, u shty për me datën 27 mars, pasi nuk u paraqitën avokatët mbrojtës. Pritet që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në seancën e ardhshme të vendosë transferimin e dosjes drejt Gjykatës së Kurbinit, pasi Prenga tashmë nuk ka imunitet. Me heqjen e mandatit të deputetit nga KQZ-ja, Armando Prenga nuk mund të gjykohet nga Gjykata e Lartë. Armando Prenga, akuzohet për dy plagosje me armë ndaj pjesëtarëve të familjes Cali, kanosjen e tyre dhe armëmbajtjen pa leje. Ngjarje e cila ka ndodhur mbrëmjen e 5 shtatorit të vitit 2015 para Komisariatit të Kurbinit.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë pritet të shpallë mos kompetencën për gjykimin e çështjes ndaj ish-deputetit të PS, Armando Prenga, i akuzuar për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Seanca, e cila pritej të zhvillohej ditën e djeshme është shtyrë, pasi mungonte një prej anëtarëve të trupit gjykues.

Artikulli paraprakTropojë, banorët e 11 fshatrave peticion qeverisë për rrugën Kam-Qafë-Prush
Artikulli tjetër7 milionë euro për të tërhequr dëshminë ndaj Shullazit, Prokuroria nis hetimet