30 vite më parë lindi RD-ja e 30 vite më vonë kemi Ertv-në

Nga Alban Daci

28 vite më parë, në një situatë kautike lindi Rilindja Demokratike, gazeta e parë që nuk ishte organ i PPSH-së, por ishte themelimi i fjalës së lirë, i asaj fjale që shumë intelektualë e burra fisnike kishin dhënë jetën në përplasjen e egër me censurën dhe Regjimin. Rilindja Demokratike në atë kohë ishte më shumë se sa simbol i lirisë, ishte busulla e orientimit të shoqërisë drejt pluralizmit politik, proceseve demokratike. RD në vazhdim është konsideruar një hapësirë e rëndësishme e mendimit të lirë dhe një pasurisë e rëndësishme e penës së intelektualëve më të rëndësishëm të vendit e mbi të gjitha, mbeti për një kohë të gjatë e vetmja e përditshme që përcillte e promovonte filozofinë politike të djathtë.

Shqiptarët që kanë përjetuar vitet ’90 si shenjë revolte dhe si një uri për liri e demokraci nuk do e kishin menduar e besuar kurrë se 30 më vonë situata do të përsëritej e ndoshta në formën më të shëmtuar të sajën. Historia botërore ka nxjerrë leksione se shoqëritë janë të orientuar për nga progresi dhe asnjëherë për nga regresi, por nga ky rregull i histografisë po bën përjashtim Shqipëria jonë e dashur.

Diktatorët me të mëdhenj të gjithë kohërave si Musolini, Hitleri, Pinochet, Mau Ce Dun, Stalini si dhe vetë Enver Hoxha nuk kanë pasur asnjë organ shtypi me emrin e tyre. Madje, ata preferonin të identifikohesh me qytetarët edhe kur këta të fundit nuk ishin me ta. As politikanë miliarder të kohëve tona si Trump apo Putin nuk kanë ndonjë gazetë apo kanal televizivë që mbart emrin e tyre. Këtë përjashtim e bën Kryeministri ynë, i cili është lideri i vetëm në botë i të gjitha kohërave që ka një kanal televiziv online me emrin e tij të quajtur “Ertv”.

Kryeministrit tonë nuk i mjaftojnë Rtvsh apo edhe të gjitha mediat e tjera që i ka në shërbimin e tij, por ka një Ertv. Shumica janë mundur ta akuzojnë Kryeministrin se nuk ka asnjë transparencë për këtë. Kjo është vetëm një anë e medaljes, por ajo që më shqetëson më shumë është psikoza dhe orientimi politik i Kryeministrit tonë. Ertv dëshmon qartë dhe pa mëdyshje orientimin e tij të çmendur për autoritarizëm dhe diktaturë si dhe paranojën që ai ka nga fjala e lirë e nga vetë demokracia.

Është i vetmi kryetar Parti në bllokun e demokracive perëndimore, nëse mund të quhet kështu edhe Shqipëri, që i tha troç partisë së tij se s’dua të bëj zgjedhje për garën e kreut të PS dhe kryetari i vetëm jam unë. Shqiptarët mendojnë dhe thuajse të gjithë besojnë se politika është e keqja më e madhe. Rama bashkë me bashkëpunëtorët e tij, duke përdorur pushtetin dhe monopolin mediatik, po i frymëzon shqiptarët që ta urrejnë politikën dhe kështu kjo e fundit mbetet një fushë dhe një privilegj vetëm për Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij.

Jo të dashur shqiptarë, nuk është politika gjëja me e keqe e njerëzimit, por janë personazhet që sot e kanë uzurpuar, mopolizuar dhe pushtuar politikën shqiptare duke e keqperdour mirëbesimin e qytetarëve. Madje ky pushtet s’ka nevojë fare për besimin e shqiptarëve, sepse parlamentin, bashkitë e të gjitha i mori pa i pyetur fare shqiptarët. Nuk u pyeti edhe kur ndryshoj Kushtetutën.

Politika është forma me e mirë e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Shqiptarët si mund ta ndryshojnë politikën, kur rruga e vetme për ata bërë është pikërisht pjesëmarrja dhe angazhim në politikë. Kryeministri çdo ditë sulmon mediat duke i konsideruar kazan dhe këtë e bën për dy arsye: për t’i intimiduar ata; për të manipuluar dhe monopolizuar të vërtetën. Kështu qytetarët mund të besojnë se në një mjedis të pavërtetash dhe gënjeshtrash, e vërteta më e mirë është ajo e Ramës.

Media shqiptare dhe fjala e lirë ndodhet në një krizë të thellë. Për ta kuptuar këtë mjafton të bësh një shkrim që kritikon Pushtetin dhe nuk gjen një portal apo një të përditshme që e merr përsipër për ta publikuar. Kjo ndodh për dy arsye:

– shumica e mediave, pavarësisht sharjeve që bën Rama çdo ditë, janë në shërbimin e tij dhe kanë interesa e privilegje tek ai
– ndërsa të tjerët, kanë frikën e hakmarrjes së pushtetit e po ashtu në të njëjtën kohë rrojnë me shpresën se një ditë do të thirren e do të bëhen pjesë e pazareve të pushtetit.

Për të kuptuar se sa e kapur është media, mjafton të shkruash një shkrim me frymëzim politik të djathtë, jo detyrimisht partiak dhe nuk gjen dot një portal apo një gazetë ku mund ta publikosh. E djathta shqiptare ka një krizë të thellë të hapësirës mediatike për tu zhvilluar si filozofi politike. Nja dy portale që mund të quhen të djathtë, në fakt janë hapësirë që kanë për qëllim për të promovuar disa persona brenda të djathtës di diversion apo si luftë për pushtet.

Shtypi shqiptar po kalon një krizë të thellë dhe nëse nuk do të kishin pasur facebook apo youtube, shqiptarët do të ushqeheshin çdo ditë, nga mëngjesi deri na darkë me propagandë. Shtypi klasik shqiptar e ka tradhtuar me kohë qytetarin dhe është palë e oligarkisë dhe i shërben pushtetit duke marrë në këmbim privilegje ekonomike, poste në institucione të ndryshme apo bursa për studime jashtë shteti të fëmijëve të tyre.

Sigurisht, shpirti i gazetarisë së lirë nuk ka vdekur në Shqipëri dhe kjo është një traditë e gjatë e shqiptarëve që nuk nënshtrohen përballë të vërtetës. Shqiptarët s’kanë pranuar censurën otomane e as atë të Regjimit Komunistë. Megjithatë, ata pak gazetarë që mbrojnë e thonë të vërtetën, janë të diskriminuar ekonomikisht, luftohet në çdo rrethanë e shumë herë mbeten edhe pa punë. Ka ardhur koha që gazetarëve të vërtetë që thonë e mbrojnë të vërtetën, të promovohen dhe të trajtohen në formë të merituar ekonomike.

Kjo ka për të ndodhur vetëm kur të shkrihet Ertv bashkë me personat dhe filozofinë që e kanë ndërtuar. Dilema është nëse media e lirë është mjeti për të justifikuar demokracinë, apo demorkacia është pasoja për të garantuar median e lirë. Në kushtet që jemi sot, mendoj se fjala e lirë është forca që mund të garantoj median e lirë e po ashty vota e shqiptarëve, e lirë dhe e pa kushtëzuar është mjeti që do të rikthej demokracinë!

Artikulli paraprakPërse ankohej vazhdimisht 25 vjeçarja që u përplas për vdekje nga një trajler në portin e Durrësit
Artikulli tjetërPamjet që vijnë sot nga Vlora janë dëshmi se Rama e ka mbajtur fjalën