250 kompani, detyrime ndaj mjedisit

Agjencia Kombëtare e Mjedisit prezantoi Regjistrin Online të Shkarkimeve dhe të Transferimit të Ndotësve – PRTR në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky regjistër është tashmë funksional prej janarit 2017.
250 kompanitë më të mëdha në vend do të deklarojnë shkarkimet e tyre direkt në këtë sistem për 91 lloje ndotësish, në ajër, tokë dhe ujë, bazuar në detyrimin ligjor që ato kanë për deklarimin e shkarkimeve nga 1 deri në 2 herë/vit.
Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka në fjalën e tij theksoi se bashkëpunimi dhe transparenca me publikun, aktorët vendimmarrës dhe shoqërinë civile ka qenë prioriteti i tij, në këto 3 vite e gjysmë drejtim të Ministrisë së Mjedisit, me misionin kryesor mbrojtjen e mjedisit për shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Më tej ai nënvizoi: – “Transparenca për publikun do të jetë prioriteti ynë, dhe ky regjistër me akses të lirë nga çdokush e ofron këtë. AKM ka treguar në këto 3 vite, bazuar edhe në 3 progres raportet që kemi marrë një punë cilësore në mbrojtje të mjedisit. Vazhdoj të theksoj idenë, se qytetari është për ne partneri ynë më i ngushtë, në misionin tonë për mbrojtjen e mjedisit”.
z. Julian Beqiri, drejtor i Përgjithshëm i AKM, gjatë prezantimit të tij u ndal në rëndësinë që ky proces merr me funksionimin e këtij regjistri tashmë online, në informimin e publikut. Ai theksoi se gjatë muajve të fundit është trajnuar stafi i operatorëve privatë, për mënyrën e hedhjes në sistem të të dhënave.
“Më 2013, ne gjetëm vetëm 13 subjekte që bënin vetëdeklarim të shkarkimit të ndotësve, sot pranë AKM janë mbi 1000 subjekte që e bëjnë këtë vetëdeklarim, nga të cilat 250 kompanitë më të mëdha industriale e bujqësore duke filluar nga 2017, do ta bëjnë në këtë regjistër online. Është e rëndësishme të kuptohet se AKM dhe ISHMP me kapacitetet e tyre monitoruese dhe kontrolluese do të kontrollojnë subjektet në mënyrë periodike, për vetëdeklarimet që ato do të bëjnë”, nënvizoi Beqiri.
Ky regjistër mundëson për publikun, qasjen online në informacionin mjedisor për 250 kompanitë më të mëdha, në lidhje me sasinë vjetore të shkarkimeve (emetimeve) të ndotësve në:
• Ajër, ujë, tokë (kg/vit) (duke përfshirë të gjitha shkarkimet: e qëllimshme, aksidentale, rutinë dhe jo rutinë, ku shkarkimet aksidentale raportohen veçmas).
• Transferimin e mbetjeve dhe ndotësve në ujërat e ndotura (ton/vit) (lëvizja e mbetjeve të destinuara për te impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane përtej kufijve të një aktiviteti ndotës, që mund të kryhet nëpërmjet një kanali ose ndonjë mjeti tjetër si për shembull, konteinerë apo tankerë).
• Për 91 ndotës kryesorë duke përfshirë metalet e rënda, pesticidet, gazet me efekt serrë (GHG-të) dhe dioksinat.
• Shkarkimet nga burimet difuze kur kemi disponueshmëri të dhënash në ajër, ujë dhe tokë, të transferimeve të mbetjeve dhe të ndotësve jashtë objektit (off-site), si dhe në ujërat e ndotura urbane.
Me ngritjen dhe funksionimin e këtij sistemi, Shqipëria bëhet pjesë e rrjetit europian të raportimit për ndotësit e mëdhenj që janë subjekt i këtij raportimi, ku Agjencia Kombëtare e Mjedisit është përgjegjëse për zbatimin e saj.

Artikulli paraprakDortmund firmos me talentin Isak
Artikulli tjetërDeulofeu lojtar i Milanit