2023, shqiptarët paguan 100 milionë euro për të siguruar makinat

Tregu i sigurimeve ka shënuar këtë vit një rritje të dukshme, në thelb të të cilit ka qenë performanca e mirë e segmentit të automjeteve. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Produkti MTPL e brendshme, për periudhën janar-shtator 2023, pati një rritje prej 8.41% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.61% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

E shprehur në volum arkëtimesh nga kompanitë, primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar-shtator 2023 arritën rreth 10,2 miliardë lekë, apo afërisht 100 milionë euro, ose 7.19% më shumë se në muajin janar-shtator 2022.

Rritje të dukshme në 2023 kanë shënuar edhe dëmshpërblimet e paguara nga kompanitë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga aksidentet. Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-shtator 2023 kapën vlerën 3,5 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 7.77% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sa i takon gjithë tregut të sigurimeve në tërësi, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-shtator 2023 kapën vlerën 17 miliardë lekë, ose 9.85% më shumë se në janar-shtator 2022. Gjatë muajit janar-shtator 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,093,347 me një rritje prej 11.41% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.02% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 7.91% dhe risigurimi 0.07 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.93% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.07% të totalit të tregut. (Lorenc Rabeta)

Artikulli paraprakJoshka Fisher: Bota është kthyer edhe njëherë siç ishte më 1914-n
Artikulli tjetërLobimi rus/ Kreshnik Spahiu: Britanikët dhe Amerikanët e dinë të vërtetën, po të kishin dyshime nuk investoheshin politikisht te Lulzim Basha