202 euro taksë për çdo fluturim nga Rinasi, çmimi i biletave drejt rritjes

Jo vetëm që aeroporti i Rinasit nuk ka konkurrent, pra është i vetmi operator në vend, por edhe shteti vetëm i rrit taksat nga viti në vit. Kështu, Albcontol ka nisur nga janari të vjelë tarifë fikse më të lartë për çdo fluturim, që niset nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Sipas njoftimit të publikuar nga Eurocontol vihet re se pagesa është dukshëm më e lartë se ajo që është aplikuar gjatë vitit 2016. “Taksimi për pagesën mbi terminalin për çdo fluturim që niset nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës për vitin 2017 është 202 euro. Norma e interesit për pagesat e vonuara të detyrimeve të terminalit është 9.88%. Pagesat duhet të bëhen vetëm në euro. Organizata Eurocontol është e ngarkuar në mbledhjen e pagesave të terminalit në emër të Albcontol”, thuhet në njoftimin e Eurocontol. Kjo tarifë vitin e kaluar ishte 158.7 euro, ndërkohë që norma e interesit për pagesat e vonuara ka qenë më e lartë, konkretisht në 10.06 për qind. Edhe pse 1 vit më parë ndryshoi marrëveshja e TIA me qeverinë shqiptare dhe u lejua të ndërtohej një aeroport i ri në Kukës, ende nuk është bërë asnjë hap nga qeveria në këtë drejtim. Me ndërtimin e një aeroporti të ri në vend, do të rritej konkurrenca dhe për pasojë do të kishim bileta më të lira. Aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) që nga tetori i 2016 janë blerë nga një kompani kineze me bazë në Hong Kong.

Çmimi i biletave 4-fish më i lartë se vendet e rajonit

Të udhëtosh me avion nga Shqipëria drejt Europës të kushton jo vetëm shumë më shtrenjtë se nga Maqedonia apo Mali i Zi, por edhe alternativat janë më të pakta. “Monitor” ka bërë një “udhëtim virtual” nëpër Europë, duke krahasuar biletat vajtje-ardhje për disa destinacione kryesore. Për krahasim janë marrë variantet më të lira të biletës, të rezervuara në faqet përkatëse të internetit të kompanive ajrore (pa bagazh dhe opsione të tjera shtesë).
Nga Shqipëria drejt Evropës, biletat janë minimalisht 50% më të shtrenjta, edhe kur bëhet fjalë për të njëjtët operatorë, për shembull, me Austrian Airlines. Në destinacionet që në aeroportet e Shkupit e Podgoricës operohen nga kompani low cost, si Milano, Venecia, Londra, qytetet e Gjermanisë, çmimet nga Rinasi janë disafish më të shtrenjta. Sidomos në Maqedoni, biletat janë të lira për disa arsye. Në të ka operatorë low cost si Wizz Air; shteti subvencionon kompanitë; dhe taksat aeroportuale janë më të lira se në Shqipëri. Nga Shkupi për shembull, mund të gjesh biletë vajtje-ardhje edhe më pak se 100 euro për disa destinacione (65 euro në Milano e Bruksel, Berlin 70 euro apo 85 euro në Paris e Venecia), ndërsa në Shqipëri tarifa minimale për një biletë tashmë është mbi 150 euro nga operatorët low cost (Blue Panorama) dhe mbi 250 euro nga operatorët e tjerë, AlItalia, Austrian Airlines, Lufthansa, që ofrojnë pjesën më të madhe të destinacioneve. Në Podgoricë veprojnë dy operatorët low cost, Ryan Air dhe Easy Jet, nga të cilët mund të gjesh alternativa të lira, sidomos për kthimin nga Londra (më pak se 50 euro).

Artikulli paraprakVarfëria, s’ka para, bie konsumi, janë 57 miliardë lekë më pak
Artikulli tjetërMbetjet toksike, sëmundjet kancerogjene janë dyfishuar