Mbetjet toksike, sëmundjet kancerogjene janë dyfishuar

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike bëri dje një paralajmërim serioz: “Miq, gazetarë nga SHBA, mbrëmë njoftuan se janë shumë afër zbulimit të skandalit të plehrave që mafia ka zbuluar në Shqipëri. Nëse këto fakte shpalosen ashtu siç janë zbuluar, nëse këto fakte janë të vërteta, atëherë ai atje duhet të zbresë dhe t’u shpjegojë shqiptarëve përse zbritën këto mijëra tonë helme që mund të kenë filluar që tani të helmojnë bukën, ajrin e shqiptarëve”, tha ai. Më tej shtoi, se në ditët dhe javët në vazhdim do të jenë përcaktuese për zbardhjen e këtij megaskandali siç e quajti ai, dhe se kemi të bëjmë me një genocid ndaj shqiptarëve. Dhe s’kish si ndodhte ndryshe. Rama nuk mund të lerë pa hyrë në një industri që qarkullon më shumë se 213 miliardë euro në vit, siç është ajo e depozitimit të mbetjeve toksike. Nga ky trafik vendi fqinjë Italia përfiton rreth 22 miliardë. Në Shqipëri, sipas mediave italiane janë groposur apo djegur diku mes 28-32 mijë ton mbetje toksike, ku për një sipërfaqe sa kjo e jona është një shifër vërtet e frikshme.

Dyfishimi i sëmundjeve kanceroze

Në rast se skandali vërtetohet atëherë, zbardhet dhe misteri përse shqiptarët po sëmuren çdo ditë e më shumë nga kanceri. Një kancer i një lloji të veçantë të ngjashëm me simptomat që zbulohen tek ata persona që jetojnë dhe punojnë në vende me përqendrim të lartë rrezatimi. Raportime vijnë ngado dhe duket sikur kanceri është shndërruar në një epidemi. Aq shumë është shtuar ky fenomen, sa pritet të kalojë dhe numrin e vdekjeve që vijnë si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare të zemrës. Nga të dhënat e hulumtuara nga gazeta “Shëndeti”, rezultonte se në vitin 2015, numri i personave që prekeshin nga sëmundjet kanceroze kish kaluar shifrën 5 mijë, ose rreth 2 mijë persona më shumë se në vitin 2013. Atëherë çfarë ka ndodhur që shqiptarët, po vdesin me ritme të shpejta. Çfarë ka ndodhur që, spitalet tona po diagnostikojnë çdo ditë e më shumë të prekur nga sëmundjet kanceroze? Shifrat tregojnë vetëm rritje, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Industria po mbyll dyert çdo ditë e më shumë, pra ndikimi i tymrave në ajër po reduktohet jo për meritë të qeverisë, por për shkak të krizës! Gjithsesi frika e sëmundjeve të këtij lloji vazhdon të rrethojë shqiptarët.

Rastet e leuçemisë

Veç të tjerave provë është dhe shtimi me ritme të shpejta të sëmundjes së leuçemisë. Mjekët akuzojnë faktorët ambjentalë për shtimin e përvitshëm të sëmundjeve malinje të gjakut. Sipas tyre një qytetar që jeton pranë zonave urbane, industriale dhe atyre minerare të ndotura nga çlirimet e gazrave, është më i riskuar të preket nga sëmundjet kanceroze të gjakut, se ai që jeton në zona të qeta rurale. Kjo demonstrohet edhe në Pavionin e Hematologjisë në QSUT, ku të prekurit vijnë nga 10 pikat më të ndotura të Shqipërisë. Faktorët e riskut që akuzohen më shumë për sëmundjet malinje të gjakut janë ndotja ambjentale. Një përqendrim më  i madh haset në zonat që kanë afër industrinë e përpunimit të naftës të pasura me benzin apo ato që kanë hidrokarburet, zonat pranë minierave, si psh në Elbasan, Laç ku ka qenë Uzina e Superfosfatit, në Pogradec, ku kanë qenë 50 miniera. Vargu i Dibrës dhe Kukësit, si zonë minerare, Fieri dhe Lushnja si zona naftëmbajtëse. Incidencën më të madhe e ka Tirana, por kjo është relative, pasi shumica kanë migruar në Tiranë. Në zyrën e statistikave të QSUT, për shërbimin e Hematologist, të prekurit nga sëmundjet malinje të gjakut kanë si vendlindje 10 pikat më të ndotura të Shqipërisë, ndërsa vendbanim Tiranë. Brenda një viti regjistrohen rreth 200 raste të reja me sëmundje malinje të gjakut dhe incidenca shkon nga 3 deri në 5 për 100 mijë banorë. Nga këto vetëm 5% i përkasin trashëgimisë genetike shpesh pacientët të mbeten pa trajtimin e duhur sipas protokollit.

Pasojat katastrofike

Specialistët thonë se në rast se 32 mijë tonë mbetje kimike, do të groposeshin apo asgjësoheshin në një vend me sipërfaqe 28 mijë kilometra katrore, atëherë pasojat do ishin katastrofike. Një sasi e tillë helmi, qoftë nga asgjësimi me djegie, qoftë me groposje do sillte pasoja të parikuperushme në organizëm. Shqipëria është jo pak e ndotur dhe pa marrëveshjet me mafian e plehrave. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim për këtë çështje, nëse ato 1300 konteinerë kanë kaluar nëpër Shqipëri. Lajmi i nxjerrë nga “Pianeti Italia”, u mundua që fillimisht të injorohej nga mediat pranë Ramës, më tej konsullja jonë në Milano, do të shantazhonte gazetën. Por, pas “Pianeta Italia” investigimet i kaluan gazetës më të vjetër  italiane “Roma”, ndërsa më pas, lajmi do jepej dhe në CNN apo Reuters, megjithë pretendimet Ramës, apo zyrës së tij të shtypit të cilët mundoheshin ta injoronin apo kundërshtonin këtë fakt. Gjithsesi hetimet në shtetin fqinj kanë filluar dhe tashmë mbetet të shihet se sa i shtrirë është ky fenomen, dhe ku janë zonat që janë groposur mbetjet kimike.

Denis Dyrnjaja ngre alarmin: Kush po i vret shqiptarët

Duke folur për sëmundjen e kancerit dhe problemet e shëndetësisë në Shqipëri, gazetari i Denis Dyrnjaja ka rrëfyer një histori. Një 40-vjeçar i cili nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen e tmerrshme, kancerin. Sipas gazetarit, mjekët onkologë italianë ndërsa përpiqeshin të ndryshonin fatin e jetës së tij kishin konstatuar se ai kishte rrezatim të lartë radioaktiv në trup.
“Ishte te 40-at. Ndoshta kishte arritur të fitonte betejat më të rëndësishme në jetë, por nuk fitoi dot betejën më të rëndësishme, atë për jetën. Jo për fajin dhe shkakun e tij në fakt. Kanceri e mundi. Por ky nuk është më lajm për shqiptarët. Mjekët onkologë italianë, ndërsa përpiqeshin të ndryshonin fatin e jetës së tij kishin konstatuar se ai kishte rrezatim të lartë radioaktiv në trup.
Dhe e pyetën: punon në ndonjë fabrikë apo jeton pranë ndonjë zone me rrezatim dhe përgjigja që morën i habiti. Punoj në një bankë në qendër të Tiranës. Ata thanë se nga Shqipëria po kurojnë raste me lloje të rrallë kanceri. Kush po i vret shqiptarët, pa luftë, por me një bilanc lufte çdo vit? Ushqimet, ajri i ndotur, uji i pijshëm, produktet e tjera të konsumit të përditshëm, ilaçet e dyshimta, materialet që përdoren për ndërtimin e banesave ku jetojmë, antenat celulare që na rrethojnë ngado?! Por derisa s’ka kush t’iu japë një përgjigje të bazuar dhe provuar siç duhet këtyre pyetjeve do vazhdojmë të presim e të shohim njëri-tjetrin si vdesim”, shkruan gazetari.

Ku mund të jenë fshehur mbetjet toksike?

Në Shqipëri numërohen rreth 700 mijë bunkerë dhe tunele të kohës së komunzimit. Shumë prej tyre, janë përdorur nga diktatura, për të magazinuar LHL (Këndë helmuese luftarake), por sërish këto sdo të mjaftonin për të depozituar të gjithë arsenalin prej 28  mijë tonësh. Ish-Kryeministri Berisha në dy statuse të tij ka dhënë dhe dy versione ku mund të jenë groposur mbetjet, për të cilat flet media italiane. “Tronditje e madhe e banorëve të fshatrave rreth malit Shpirag, pasi ata kanë të dhëna se: – në tunelet, bunkerët dhe galeritë e asaj zone dhe zonave përreth janë groposur helmet kimike dhe lëndët radioaktive të ardhura nga Italia – banorët e zonës kanë parë në fundin e gushtit fillimin e shtatorit 2016 autokollona kamionësh të shoqëruara nga ushtria! I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetojë me përgjegjësinë më të madhe këto informacione tronditëse “Përshëndetje zoti Berisha. Unë jam pedagog universiteti desha të ju informoj se banorët e fshatrave pranë malit Shpirag janë shumë të tronditur mbasi ata kanë dyshime shumë të forta që një pjesë e konteinerëve me helme kimike dhe radioaktive nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit mund të jenë futur në tunelet e komunizmit. Po në këtë periudhë ka banorë që thonë se kanë konstatuar lëvizje shumë të dyshimta komionash të huaj dhe autokollonash të shoqëruara nga ushtria”, shkruan kryeministri në postimin e tij të datës 9 mars 2017. Më vonë në një tjetër postim, Berisha shpreh shqetësimin e një banori të Prrenjasit, i cili flet për lëvizje konteinerësh në galeritë e braktisura të krimit atje.

Erjona Rusi: Çfarë dreqin po na vret

Është kjo pyetja që na lind të gjithëve, kur dëgjojmë për aq shumë raste të sëmundjeve me kancer. Të njëjtën pyetje ka shtruar edhe gazetarja Erjona Rusi, e cila, duke marrë shkas nga rrëfimi i kolegut të saj, Denisa Dyrnjaja për ndarjen nga jeta të mikut të tyre të përbashkët, ngre të njëjtin shqetësim: çfarë dreqin po na vret? Dje, takova pas kaq vitesh shokët e gjimnazit, por nuk u mblodhëm për mirë, por për mort, sepse përcollëm Ilirin, një shok, një djalë të mrekullueshëm, gjithmonë buzagaz e të çiltër që kanceri i mori jetën ende pa e filluar mirë e pa i dhënë mundësinë as të shohë dy fëmijët e tij që po vijnë në jetë. Një tragjedi nga ato që të lë të mekur. Por pse po e ndaj me ju që nuk patët fatin ta njihnit Ilirin? Sepse ka diçka që po na vret pak nga pak të gjithëve. Mjekët në Itali janë të çuditur me rastet e sëmundjeve kancerogjene që mbërrijnë nga Shqipëria. Sot lexova shkrimin e kolegut Dyrnjaja dhe kuptova se kam njësoj si ai një pyetje: çfarë dreqin po na vret? Flitet për rrezatim të lartë, për miell jashtë standardeve e për shumë e shumë të tjera. Po a s’kemi të drejtë të dimë vërtetë se çfarë po ndodh me jetët tona? Përse nuk flasin ekspertët, përse ka vdekur kërkimi shkencor që të tregojë arsyet e vdekshmërisë së lartë tek moshat e reja dhe llojet e sëmundjeve kancerogjene që po na vrasin, që të kuptojmë shkaqet e të dimë të ruhemi, apo të paktën të ruajmë fëmijët tanë?

Artikulli paraprak202 euro taksë për çdo fluturim nga Rinasi, çmimi i biletave drejt rritjes
Artikulli tjetërRama e Veliaj presin shiritat e projektit-Basha me Pazarin e Ri