200 të vdekur nga tërmeti në Meksikë

Tërmeti prej 7.1 shkallësh që goditi të martën Meksikën duke rënuar ndërtesa, la pas vetes mbi 200 të vdekur dhe një numër të panjohur të njerëzve të mbetur nën gërmadha.
Shefi i agjencisë për mbrojtjen civile, Luis Felipe Puente, shkroi në Twitter se, 117 veta kanë humbur jetën në Meksiko Siti, 72 në shtetin Morelos, 43 në shtetin Puebla, 12 në shtetin Meksiko, tre në Guerrero dhe një në Oaxaca.
Epiqendra e tërmetit ishte në Puebla, 123 kilometra në jug të kryeqytetit.
Presidenti Enrique Pena Nieto vizitoi një shkollë të rrënuar, një nga një duzinë ndërtesat që u shkatërruan nga tërmeti. Sekretari i Arsimit në Meksikë, Aurelio Nuno, tha se shumë veta humbën jetën në shkollë, ndërsa 30 ende janë të zhdukur.
Mediat lokale raportuan për shkatërrime në shkallë të gjerë dhe zjarre gjithandej Meksiko Sitit, një nga zonat më të populluara në botë.
Civilët sikurse edhe ekipet e shpëtimit janë vënë në përpjekje për të nxjerrë trupat nga gërmadhat.
Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në rrjetin Twitter: “Zoti i bekoftë qytetarët në Mexico City. Jemi me ju dhe do të jemi aty për ju”.
Autoritetet meksikane pezulluan fluturimet në aeroportin ndërkombëtar dhe mbyllën shkollat.
Tërmeti goditi pak orë pasi shumë njerëz morën pjesë në stërvitjet për mbrojtje nga tërmeti në përvjetorin e tërmetit që vrau mijëra njerëz në Mexico City në vitin 1985.
Vetëm 12 ditë më parë një tërmet në jug të Meksikës la pas vetes 98 të vdekur.

Artikulli paraprakNetanyahu: Nuk do të lejohet që Irani të ketë baza në Siri
Artikulli tjetërMogherini takon Thaçin e Vuçiçin në New York