Mogherini takon Thaçin e Vuçiçin në New York

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, takoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në New York, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se, “ata vazhduan diskutimet mbi periudhën e re të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian mbi normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, në vazhdim të takimeve të zhvilluara në muajt korrik e gusht. Ata rishikuan përparimin e arritur në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë, që ka të bëjë me gjykatat në veriun e Kosovës, e cila duhet të zbatohet më 17 tetor, siç është arritur pajtimi në takimin e fundit”.
Zonja Mogherini mirëpriti përkushtimin e të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ritheksoi se përparimi i të dyja palëve drejt integrimeve evropiane, është i lidhur ngushtë me përparimin në bisedime.
Në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, presidenti serb, Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Thaçi, u pajtuan për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.
Në muajin korrik presidenti serb paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane.
Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane, por edhe të ruajë lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serbë që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Më shumë se dy vjet më parë, në maj të vitit 2015, presidenti serb, atëbotë kryeministër i Serbisë, kishte paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ai kishte thënë atëbotë në të përditshmen “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e Kushtetutës serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret që në përmbyllje të bisedimeve të dyja palët të njohin njëra-tjetrën dhe t’i japin fund një periudhe të gjatë të armiqësive.
Ai ka bërë thirrje për ekip uniteti në Kosovë që do të përfshihej në bisedime, ndërsa ka paralajmëruar se çfarëdo marrëveshje që të arrihet me Serbinë, do ta hedhë në referendum.

Ekip të Unitetit për dialogun me Serbinë
Krijimi i një Ekipi të Unitetit në Kosovë për fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë, nga analistët politikë po konsiderohet si një mision i pamundur. Një ekip i tillë, thonë ata, do të mund t’i zgjaste edhe më tepër bisedimet.
Ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i cili pas takimeve të fundit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pati kërkuar nga të gjitha instancat politike në vend krijimin e një baze të gjerë përfaqësuese.
Thaçi kishte deklaruar se çdo zgjidhje përfundimtare do të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Por, politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se një ekip gjithëpërfshirës mund të sigurojë një konsensus politik, por jo një ekspertizë dhe një profesionalizëm të theksuar.
“Nuk jam përkrahës i ekipit gjithëpërfshirës. Ky ekip mund të sigurojë një transparencë, por jo ndonjë cilësi në bisedime dhe ndonjë efektivitet. Përkundrazi do t’i prolongojë dhe do të zgjasë dialogun apo bisedimet”.
“Unë mendoj që Kuvendi është vendi ku duhet të harmonizohet dhe të arrihet konsensus i përgjithshëm, ndërsa qeveria si ekzekutiv edhe si strukturë më profesionale mund t’i udhëheqë bisedimet në sektorët përkatës, secila ministri me secilën ministri”, thekson Tahiri.

Artikulli paraprak200 të vdekur nga tërmeti në Meksikë
Artikulli tjetërBasha me Walter Gloss, për ligjin e ndalimit të simboleve të komunizmit dhe modernizimin e PD