Zyrtarë dhe gjyqtarë, të implikuar të implikuar me Shullazin për “Vollgën”

Avokati i Ylvi Beqajt, administratorit të kompanisë arabe, që i “dhuroi” 20% të pronës së ish-hotel “Vollgës” në Durrës Emiljano Shullazit, i është drejtuar me një letër kryeprokurorit Adriatik Llalla. ABC News ka arritur të sigurojë një kopje të kësaj letre, ku avokati Roland Samarxhiu rendit me detaje, të gjitha të dhënat e kësaj prone, që nga blerja e saj në vitin 1994, zhvillimin e 15 proceseve e kundër proceseve gjyqësore dhe deri te kalimi i 20% të saj në emër të Shullazit. Në letrën 8 faqeshe, avokati Samarxhiu që në fillim i kujton kryeprokruorit Llalla, se pronari i vetëm i kësaj prone është arabi me shtetësi shqiptare Abdulazziz Al-Nowaiser njëherazi konsull nderi i Shqipërisë në Arabinë Saudite dhe pjesëtar i familjes mbretërore.
Avokati, e cilëson të turpshme, që për më shumë se 10 vite gjykatat dhe zyrtarë të hipotekave nuk respektuan ligjin për regjistrimin e pronës, që tentuan t’ia vjedhin individë të caktuar me mbrojtje edhe në sistemin e drejtësisë. Në letër, avokati kërkon nga Prokurori i Përgjithshëm, që të hetohen ata persona që me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës së dhënë nga gjyqtarë të caktuar, tentuan t’i vjedhin pronën konsullit të nderit të Shqipërisë në Arabinë Saudite. Sipas avokatit, Zamir Hasa, 3 avokatë, zyrtarë të administratës së Hipotekës dhe 6 gjyqtarë të Shkallës së Parë dhe Apelit në Durrës si dhe një anëtare e Gjykatës së Lartë, duhet të hetohen për afera korruptive me qëllim përfitimin e pronës së ish-hotel “Vollgës” së kompanisë arabe.
Avokat Samarxhiu, në letër ka renditur emrat e të gjithë këtyre personave, duke mos përjashtuar edhe anëtaren e Gjykatës së Lartë, por që për arsye etike nuk i përmend emrat e tyre, për të cilët i kërkon kryeprokurorit të hetohen. Sipas avokatit, me ndërhyrjet e tyre dhe vendimet e dhëna në kundërshtim me ligjin, është bërë e mundur që në vitin 2006 ish-hotel “Vollgës” t’i ndërrohet pronësia. Më pas, shton avokati u deshën 15 procese të ndryshme gjyqësore nga viti 2006 deri në 2014, që prona të rikthehet e regjistruar në Hipotekë në emër të kompanisë arabe. Por ky regjistrimin, sipas avokatit, nuk mund të bëhej nëse administrator i kompanisë arabe Ylvi Beqja nuk do të kontaktonte Emiljano Shullazin.
Sa i përket hetimit të nisur nga Prokuroria e Durrësit ndaj gjyqtarëve që urdhëruan regjistrimin e pronës në emër të kompanisë arabe, avokati thekson se vendimi i tyre ishte mëse i drejtë. Sipas avokatit, nuk ka asnjë vendim të Gjykatës së Lartë që urdhëron apo pezullon regjistrimin e pronës së ish-hotel “Vollgës” në emër të kompanisë arabe. Por një vendim i tillë, ekziston ku urdhërohet pezullimi i regjistrimit të pronës në emër të pretenduesit Zamir Hasa, me dyshimin e falsifikimit të dokumenteve.

Artikulli paraprakTahiri manipuloi edhe me gjurmët e gishtave të Frrokut
Artikulli tjetërDeklaratat e Lu për Frrokun dhe Shullazin 5 muaj më parë