Tahiri manipuloi edhe me gjurmët e gishtave të Frrokut

Arrestimi i Arben Frrokut nga autoritetet holandeze është vonuar për shkak të shenjave të gishtërinjve të hedhura në faqen e Interpolit nga policia shqiptare. Autoritetet në Amsterdam kanë gjetur përputhshmëri në foton, gjeneralitetet e gjithçka tjetër, por jo tek shenjat e gishtërinjve. Policia shqiptare deklaroi, se ditët e fundit ka patur disa komunikime me autoritetet holandeze, por arrestimi i Frrokut u konfirmua të enjten. Problemet me shenjat e gishtërinjve të të shumëkërkuarit, Arben Frroku të hedhura në faqen e Interpolit nga Ministria jonë e Brendshme ka qenë shkaku i vonesës së arrestimit të tij nga policia holandeze.
Mësohet se policia holandeze nuk ka mundur të verifikojë menjëherë shkencërisht se personi i arrestuar ishte Arben Frroku, pasi nuk hapej sistemi ku ruheshin të dhënat e këtij personi të shpallur në kërkim, mes të cilave gjurmët e gishtave për të bërë krahasimin. Burimet bëjnë me dije se të dhënat për Frrokun jepnin problem dhe nuk hapeshin dhe kjo ka bërë që policia holandeze t’i kërkonte të dhëna të reja policisë shqiptare, por edhe asaj greke, për shkak se personi që kishin ndaluar mbante pasaportë greke, por i lindur në Korçë.
Autoritetet holandeze kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare dosjen e të dhënave të Arben Frrokut të arrestuar që më 6 mars. Nga ajo datë dhe deri ditën e denoncimit që bëri ish-Kryeministri Berisha, policia shqiptare kishte heshtur. Arsyeja e kësaj zvarritjeje nga ana e Tahirit ishte e thjeshtë. Ai kërkonte që të lirohej vrasësi Frroku dhe për këtë i duhej që ta vononte përgjigjen për autoritetet holandeze deri më 17 maj, kohë kur përfundonte edhe koha e paraburgimit në Holandë të Frrokut.
Vetëm pas deklaratës së ish-Kryeministrit Berisha, Interpol Tirana ka komunikuar me homologët e tyre në Hagë. Frroku është ndaluar në datë 6 mars, si i dyshuar për mbajtjen e një pashaporte të falsifikuar. Në çdo rast të tillë, elementi identifikues janë shenjat e gishtërinjve të personit. Duket se këtu ka çaluar procedura, pasi teorikisht, duhet të pranohet fakti se gjurmët e gishtave të të dënuarit Arben Frroku janë në sistemin ndërkombëtar, si person i dënuar dhe me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.
Nisur nga fakti se procedura për identifikimin e tij ka zgjatur thuajse dy muaj, ndërkohë që skanimi i gjurmëve të gishtave kërkon vetëm pak minuta, atëherë ky është momenti kur mund të ngrihen aludimet më të mëdha. Ose autoritetet holandeze nuk e kanë kryer për rreth 50 ditë skanimin e gjurmëve të gishtave, gjë që tingëllon jo shumë realiste, ose, në sistemin ndërkombëtar të personave në kërkim, gjurmët e gishtave të Arben Frrokut nuk gjenden.
Në njoftimin zyrtar, Policia shprehet se vetëm në këto ditët e fundit ka komunikuar me autoritetet holandeze, ndërkohë që ai ishte ndaluar që në 6 mars. Ky deklarim krijon dyshimin se, në sistemin ndërkombëtar të personave në kërkim, gjurmët e gishtave të Arben Frrokut nuk kanë qenë fare ose nuk kanë qenë të aksesueshme nga ana e autoriteteve të huaja. Deklarimi publik i Berishës ka detyruar autoritetet shqiptare për të vepruar. Fillimisht, sipas burimeve ka pasur një impenjim të menjëhershëm të diplomacive perëndimore, të cilat janë pasuar me veprime po të shpejta të Interpol Tirana. Por shpejtësia e veprimeve ka nisur vetëm në tre ditët e fundit, ndërkohë që Arben Frroku prej 50 ditësh gjendej i ndaluar, si person i dyshuar me pashaportë falso, nën emrin Renato Tsepa.
Në tre vitet e fundit, çdo gjë që ka pasur lidhje me vëllezërit Arben dhe Mark Frroku, ky i fundit deputet deri sa u arrestua si autor i dyshuar i një vrasjeje në Belgjikë, është shoqëruar me polemika të forta lidhur me rolin e Policisë së Shtetit në informacionin për ata. Edhe në rastin e arrestimit të Arben Frrokut në Holandë, sërish policia e Tahirit ka manipuluar shenjat e gishtërinjve me qëllim mos arrestimin dhe ekstradimin e tij nga Holanda.
Lajmi për arrestimin e Frrokut u publikua para tre ditësh. Frroku ishte ndaluar që më 6 mars në aeroportin Shiphol të Amsterdamit me dokumenta greke, me identitetin e shtetasit Renato Xhepa. Por autoritetet vendase dyshuan se ky është pikërisht i kërkuari i drejtësisë shqiptare, për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, në shkurt të vitit 2013. Autoritetet shqiptare deklaruan arrestimin e Frrokut dy ditë pasi ish-Kryeministri Berisha e deklaroi në një intervistë në televizion se, Frroku ishte arrestuar në Holandë, duke shtuar se Tahiri nuk po dërgonte dosjen e plotë të të dhënave të Frrokut.

R.POLISI

Artikulli paraprakDekriminalizimi, 40 deputetë e 27 kryebashkiakë nuk e plotësojnë
Artikulli tjetërZyrtarë dhe gjyqtarë, të implikuar të implikuar me Shullazin për “Vollgën”