Zidan, në sulm për Agueron

Reali i Madridit mori një leksion ndaj Legias së Varshavës, kur barazoi 3-3. Në fakt, pikëpyetjet që u ngritën kishin të bënin me modulin e përdorur, pasi skuadra zbriti në fushë me skemën 4-4-2, ku dyshja e repartit të avancuar Morata-Benzema mbështetej prej Bejlit dhe Ronaldos nga krahët. Kjo u dha mundësinë spanjollëve që të kenë efikasitet, por njëkohësisht të lënë shumë hapësira në prapavijë, që u shfrytëzuan maksimalisht prej polakëve.
Trajneri Zinedin Zidan u kritikua se zgjodhi skemën e gabuar të lojës, por duket se francezi nuk ka ndër mend të tërhiqet. Ai dëshiron që të punojë më tepër për këtë modul dhe ka përzgjedhur futbollistin e duhur, që do e bënte akoma më të suksesshme. Bëhet fjalë për Serxho Agueron, i cili do shërbente si një sulmues me rol të dyfishtë, pasi ka aftësi për të marrë topin edhe më afër mesfushorëve të qendrës, ndryshe nga Karim Benzema.
Francezi mund të jetë i sakrifikuari në merkaton e verës, për të siguruar një fond të mjaftueshëm që do ndihmonte edhe për akordin me Mançester Sitin për argjentinasin. Aguero ka pasur disa probleme aktivizimi kohët e fundit, kur Guardiola ka preferuar të tjerë lojtarë, mes të cilëve edhe të riun Iheanaço. Për kartonin e tij, madrilenët mund të paguajnë afro 70 milionë euro, por që të paktën 50 mund t’i sigurojnë prej shitjes së Benzemasë.
Së bashku me Moratën, ata do të formonin një dyshe perfekte dhe duke i bashkuar këtu Ronaldon me Bejlin nga krahët, Madridi do ishte një makineri e papërballueshme në sulm. Gjithsesi, Zidan duhet të tregojë se mund të fitojë trofe këtë edicion, për të ruajtur edhe pozicionin e tij, që varet në mënyrë direkte prej rezultateve.

Artikulli paraprakRoben kriset me Bajernin për kontratën e re
Artikulli tjetërBolivi, lojtarët kërkojnë dorëheqjen e presidentit