Roben kriset me Bajernin për kontratën e re

Ditë më parë flitej në superlativa për rinovimin e kontratës së dyshes së magjishme “Robberi”. Pra, bëhej fjalë për Riberi dhe Roben. Ndërsa në derbin ndaj Augsburgut doli në pah një dyshe tjetër e zjarrtë “Robandovski”, të cilët, përveçse shënuan, dhanë edhe asist.
Të dy kanë bërë paraqitje dinjitoze, në veçanti sulmuesi polak. Të tre lojtarët janë në bisedime për të qëndruar më gjatë në Mynih. Nga ngjarjet e fundit, diskutimet më të nxehta kanë qenë për holandezin Arjen Roben. Disa ditë më parë, ai pohoi se Rumenige dhe babai i tij nuk kanë folur ende për rinovim.
“Rumenige e ka numrin e telefonit të babai tim. Mund ta telefonojë çdo moment dhe ta ftojë për ndonjë kafe”, pati deklaruar Roben disa ditë më parë. Pas ndeshjes me Augsburgun, si Roben dhe Leva bënë humor me kontratat, duke i krahasuar ato me shtatzëninë. Leva pati thënë se është në muajin e tetë, ndërsa holandezi shtoi me humor se nuk kishte mbetur akoma. Mirëpo kjo temë ndryshon çdo ditë thelbin e saj. Televizioni sportiv “Sport1” ka zbuluar një prapaskenë mes Robenit dhe klubit bavarez.
Ndeshja ndaj PSV-së ka çekuilibruar balancat mes 32-vjeçarit holandez dhe drejtuesve të Bajernit. “Sport1” ka zbuluar se të dyja palët kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me rinovimin e kontratës. Holandezit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe dëshiron ta zgjasë atë edhe për dy vite. Ndërkohë, Bajerni kërkon të arrijë kompromisin për të rinovuar për një vit. Klubi bavarez nuk ka në plan të lidhë kontrata afatgjata me veteranët.
Sipas “Bild”, Robeni nuk mori pjesë as në banket në Eindhoven. Ai doli vonë nga stadiumi dhe u kthye në orën 01:12 të natës në hotel, pasi hëngri një doner. Të vërtetën mbi marrëveshjen e tyre do ta mësojmë më 25 nëntor, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Bajernit, kur do të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale.

Artikulli paraprakMarcelino te Interi
Artikulli tjetërZidan, në sulm për Agueron