Bolivi, lojtarët kërkojnë dorëheqjen e presidentit

Lojtarët e përfaqësueses së Bolivisë kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit të Federatës së Futbollit në vendin e tyre, Rolando Lopez, pas deklaratave të tij të pavërteta se FIFA i kishte kthyer skuadrës 4 pikët e hequra në dy ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës.
Më 1 nëntor, skuadra boliviane u ndëshkua me dy humbje në tavolinë, pasi kishte aktivizuar në mënyrë të parregullt një futbollist në sfidat e luajtura në muajin shtator, ku barazuan 0-0 përballë Kilit dhe fituan 2-0 ndaj Perusë.
Dënimi nga FIFA erdhi prej aktivizimit në ato ndeshje të Nelson Cabrera-s, mbrojtësit të lindur në Paraguaj. Pak ditë më pas, presidenti i Federatës së Futbollit në Bolivi tha përpara mediave se dënimi ishte hequr, një deklaratë e cila u shoqërua me përgënjeshtrimin e Konfederatës Botërore.
Në situatën e krijuar, lojtarët e përfaqësueses reaguan nëpërmjet sekretarit të Unionit të Futbollistëve, David Paniagua, që e cilësoi “non grata” presidentin Lopez dhe kërkoi dorëheqjen e tij të menjëhershme nga posti në krye të federatës.
I pranishëm në konferencën për shtyp ishte edhe mbrojtësi Cabrera, prej të cilit Bolivia u dënua me dy humbjet në tavolinë. Ai tha se, të gjithë në ekipin përfaqësues shpresojnë te largimi i drejtuesve, të cilat do t’i hapnin rrugën ndryshimeve të shumëpritura, si e vetmja mënyrë që Bolivia të ecë përpara.

Artikulli paraprakZidan, në sulm për Agueron
Artikulli tjetërVenger presion Granit Xhakës