Shqipëri europiane do të thotë Shqipëri e njerëzve të lumtur

Nga Flutura Açka

Fjala e mbajtur sot në Kuvendin Zgjedhor, Elbasan 11 maj 2024

Të nderuar demokratë të degës së Elbasanit të pranishëm në këte sallë, dhe kudo që të jeni!
Të nderuar delegatë të këtij Kuvendi Zgjedhor që sot jeni mbledhur për festë, por edhe të ushtroni përgjegjësinë tuaj të lartë!

Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike dhe kolegë të mi deputetë!
I nderuar z. Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë!

Të nderuar kryetarë të degëve të Partisë Demokratike të qarkut, z. Sako, z. Cani, z. Vreto, z. Kuqja, z. Çarshiu dhe z. Ozuni!
I nderuar z. Enkelejd Alibeaj, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, e nderuar zonja Bakiu!

Në emër të Kryesisë së Partise Demokratike, Dega Elbasan, ju uroj mirëseardhjen dhe ju falenderoj që iu bashkuat këtij tubimi të mrekullueshëm!

Kur tre vjet më parë pata nderin të çel fushatën elektorale të Partise Demokratike, nuk e dija edhe aq saktë se pushteti dhe fitorja mund të të grabitet; se partia mund të të pushtohet nga çeta antiligjore, se deputetë të mandatuar prej jush, të cilëve Kushtetuta shqiptare, ju vetë, dhe shqiptarët, u kanë dhënë të gjitha privilegjet, kur iu duhet të zgjedhin mes parimit dhe përdorimit, zgjedhin këtë të fundit; se në skuta të errëta të politikës mund të deformohet vetë politika dhe demokracia shqiptare; se në rrugën për t’u vetëshpallur kinse liderë të demokratëve, dikush, të cilin e rrisim me duart tona, është gati të na nxjerrë edhe sytë.

Partia Demokrarike kaloi në një shkundje të plotë, në një çartisje që gati na theu më dysh, dhe në plagët që na u hapën në tre vjet betejash mes llojit tonë, kanë hedhur kripë me zell të madh edhe socialstët, me ndihmën edhe të ndonjë mercenari mes nesh.

Sepse kundërshtari ynë politik na do të dobët, ndaj zgjedh më të dobëtit për të na bërë edhe më të dobët.

Të nderuar demokratë, në jetëshkrimin tonë politik kemi pasur edhe gabimet tona, kemi kthyer në demokratë dhe politikanë demokratë edhe njerëz që e shohin politikën si tender, si leje ndërtimi, si licensë shfrytëzimi e leje grabitjeje të taksave të shqiptarëve.

E, zaten, ngaqë kanë qenë kështu, dhe ngaqë është kështu edhe sot me pushtetin, duan ta mbajnë akoma kështu. Por kështu nuk mund të vazhdojë gjatë, sepse nuk hyn dot në Europë me çeta e banda politike e kriminale.

Sepse që të hysh në Europë, duhet të sillesh si europian: me shtetin, me financat, me natyrën, me qytetarët e tu që sot i ke braktisur.
Ndaj, të nderuar demokratë, jo çdo e keqe vjen për keq, dhe këtë shkundje të plotë që na ndodhi në këta tre vjet, mos e shihni të gjithën si fatalitet.

Mbase kishim nevojë ta shohnim më qartë veten, ta bënin këtë shkundje për ta nisur nga e para sërish. Nga e para, por tashmë jo të zbrazur, por me përvojën tonë më të mirë.

Nga e para, të qartë, me moral!
Ky moment ka ardhur, pra!
Ky moment është tani!

Duhet ta ndiejmë, ta pranojmë dhe ta përdorim këtë moment të gjithë bashkë, dhe nga sot secili prej nesh të kuptojë që është misionar i një politike ndryshe, i një partie Demokratike të reformar, që e ka kauzë të saj një shtet ndryshe, një Shqipëri ndryshe. Një Shqipëri që nuk grabitet, që nuk trajtohet si mall pa zot, që iu shërben qytetarëve të saj, e cila, në fund të fundit, ndërton njerëz të lumtur.
Shqipëri europiane do të thotë Shqipëri e njerëzve të lumtur.

Për këtë duhet të luftojmë ne dhe duhet të fillojmë nga sot. Ne duhet t’ia kthejmë besimin shqiptarëve të drejtësia, te politika, te administrata, te Parlamenti.

Europa nuk është formulë e gatshme, as hajmali që ta varim në qafë, por ëndrra dhe vendi i njerëzve të barabartë para ligjit, para së drejtës së punës, taksimit, shërbimit mjekësor, kulturës.

E përsëris, Europa është vendi i njerëzve të lumtur!

Europa janë norma të thjeshta humane, ku njeriu i shërben njeriut, jo grabitje e njeriut që nuk mban asnjë përgjegjësi.

Ndaj mos dëgjoni propagandën që mban erë milionash, sepse, siç edhe dihet, kanaçet e zbrazura bëjnë shumë zhurmë. Nga sot ne kemi për detyrë të vëmë nderin tonë në besë të shqiptarëve, të trokasim derë më derë, të bindim ata që dyshojnë, të rrokim në qafë të idhnuarit nga proceset e vështira ku ka kaluar Partia Demokratike.

Po jua them troç, si njeriu që ka luftuar mes jush dhe që ju nderon me përulje të madhe: të keqen nuk e kemi krijuar ne – frymët e pastra që e mbajnë gjallë demokracinë – por politika e keqe.

Ejani t’ua themi shqiptarëve kush jemi dhe çfarë misioni kemi: të pastrojmë politikën shqiptare, siç bëri dikur Herkuli me stallat e Egjeut, të cilat i pastroi nga pisllëku tridhjetëvjeçar.

Heroi i dikurshëm përdori lumin, por neve nuk na duhet lumi, Shkumbini, na duhet besimi dhe zgjedhja e drejtë mes klubit të të mirëve dhe klubit të hajdutëve, mes lirisë dhe kontrollit, mes demokracisë dhe demokraturës fashiste që kemi në prag.

Tani e dimë se çfarë duam. Thjesht të mos ngatërrojmë më rrugën!
Faleminderit!

Elbasan, 11 maj 2024

FB IMG 1715445463581

FB IMG 1715445459244

FB IMG 1715445456524

IMG 20240511 WA0004

Artikulli paraprakVizita e Ramës në Athinë, si formë shpërqendrimi nga korrupsioni!
Artikulli tjetërPD, Karabina: Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku administrata anëtarësohet me detyrim në partinë në pushtet