“Zhduken” bizneset, kreditorët, tatimet e punonjësit i kërkojnë

Janë me dhjetëra rastet, kur biznese, individë, organet tatimore apo dhe bankat i drejtohen gjykatës dhe përmbaruesve për të kërkuar një detyrim të pashlyer, por kompania borxhlie rezulton e larguar nga adresa zyrtare që ajo ka dhënë. Kjo e vështirëson marrjen mbrapsht të detyrimeve përmes organeve ligjore, ndërsa tregon informalitetin e lartë të bizneseve shqiptare, mungesën e korrektesës në marrëdhëniet mes palëve, nivelin e sipërmarrjeve të ekonomisë shqiptare, por dhe vështirësitë me të cilat po hasen shumë prej tyre, që shoqërohen me mbyllje e falimentime të sipërmarrjeve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpallur disa herë hapjen e procedurave të falimentit për kompaninë Kuid (pjesë e ish-grupit Taçi Oil), por në fletëthirrjen e dërguar rezulton shënimi “Larguar”. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 26 maj.
Edhe shoqëria Taçi Kontruksion Millenium rezulton me shënimin larguar, ndërsa kërkohet nga kreditori Alek Moçi (kompania në QKB rezulton e çregjistruar që në prill të vitit 2015). Të shumtë janë dhe punonjësit që kërkojnë marrjen e pagave tek shoqëria e naftës ARMO, por edhe njoftimet e tyre kthehen me shënimin se adresa nuk gjendet. Shoqëria Future Call, me aktivitet në call center, është paditur nga tre ish-punonjës të saj për detyrimin e pagimit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, por gjykata është detyruar të bëjë njoftim me shpallje, pasi kompania rezulton se nuk merr dijeni proceduralisht në adresën e shënuar Future Call rezulton në QKB që ka kaluar me status të pezulluar në fund të tetorit 2016. Future Call ishte krijuar në maj të vitit 2015 me aktivitet në shërbimet e call center “in dhe out-band”; -promovimin dhe menaxhimin e fushatave publicitare.
Arjan Zykollari, person fizik, kërkon likuidimin e një fature nga kompania “Albania Food Production”, por njoftimi drejtuar të paditurit ka ardhur me shënimin larguar. Probleme kanë edhe personat që kanë porositur për të blerë një shtëpi, por ndërtuesi nuk gjendet më. Arben Zenelaj ka paditur shoqërinë “Bitraj-98”, për përmbushjen e kërkesave të një kontrate porositëse të lidhur që në vitin 2008, si dhe shpërblim dëmi pasuror. Fletëthirrja është kthyer nga shërbimi postar me shënimin “larguar”. Kompania rezulton ende aktive në QKB, por urdhrat e sekuestros ndaj saj janë të shumtë. Një shqetësim të ngjashëm ka dhe Arjan Agaraj, i cili kërkon kthimin e një shume nga kompania ndërtuese Kristi Ko, por kjo e fundit sërish nuk gjendet në adresën e dhënë.

Artikulli paraprakAgjenti serb tek dhuna në Maqedoni
Artikulli tjetër3.5 milionë fletë votimi për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit