Zgjidhja në duart e qytetarëve nëse Rama pengon zgjidhjen me dialog…

Kastriot ISLAMI

Shqipëria është aktualisht në një situatë që kalon kufijtë e një krize politike. Kjo situatë s’është një krizë e thjeshtë politike, ndonëse nisi si e tillë. S’është vetëm ligjore e kushtetuese, ndonëse për të dalë prej saj do të duhet të ndërhyhet në Kushtetutë apo në Kodin Zgjedhor e ligje të tjera, Kjo s’po rezulton një krizë e thjeshtë e sistemit demokratik nga e cila mund të dilet me një marrëveshje politike mes palëve që kanë vullnetin për të dalë prej saj. Kjo është një situatë shumë më e komplikuar se ajo e një krize politike, kushtetuese, ligjore, sistemike. Kjo është një krizë që lidhet me marrëzinë e Ramës për pushtet të pakufishëm, të ruajtur me çdo mënyrë e mjet, madje duke eliminuar opozitën, duke “vrarë” pluralizimin dhe duke hedhur në erë demokracinë. Dhe të gjitha këto thjesht e vetëm për pushtetin e tij personal.  Fatkeqësisht  qytetarët shqiptarë nuk po e kuptojnë gravitetin e kësaj situate ndërkohë që ndërkombëtarët, për shkak edhe të problemeve të tyre të brendshme, po e trajtojnë këtë situatë të paprecedent si një krizë të zakonshme duke ofruar zgjidhjet standarde.
1. Shqipëria në një situatë të paprecedentë…
Shqipëria rrezikohet të largohet nga rruga e demokracisë. Të vrasë pluralizmin duke eliminuar  opozitën. Të orientohet drejt një regjimi autoritar të pakicës oligarkike, të lidhur me krimin dhe narkotrafikun për tu kthyer në një shtet mafioz që detyron një pjesë të qytetarëve të nënshtrohen dhe pjesën tjetër të emigrojnë. Kjo situatë ka rritur ndjeshëm shanset e trazirave sociale për shkak të reagimit qytetare dhe reagimit politik opozitar. Prandaj destabiliteti i vendit është një opsion me probabilitet të lartë po ashtu si edhe nënshtrimi ndaj këtij regjimi autoritar por që gjithnjë do të ishte gati për të shpërthyer.  Shqipëria ndodhet në këtë situatë për shkak se Edi Rama, përmes një projekti diabolik, ka fituar pushtetin dhe është i vendosur të bëjë gjithçka për të ruajtur atë me çdo kusht, mjet e mënyrë. Opozita politike me të gjithë mënyrat institucionale dhe mjetet demokratike s’ka mundur ta shmangë këtë situate që është përkeqësuar. Sepse në themel të këtij projekti janë i) lidhja e krimit me politikën, ii) kapja e kupolës së shtetit nga korrupsioni dhe iii) pjesëmarrja e policisë në kultivimin e kanabisit e trafikun e narkotrafikëve; dhe të gjithë këto dukuri të vendosura në funksion të manipulimit të zgjedhjeve. Shqipëria ndodhet në një situatë në dukje pa zgjidhje sepse kapja edhe e zgjedhjeve nga krimi, korrupsioni e narkotrafiku ka mbyllur rrugën e ndryshimit të kësaj situate përmes largimit të kësaj qeverisje me zgjedhje të lira e të ndershme që do të mund të organizoheshin vetëm nëse Rama do të largohej nga drejtimi i qeverisë. Ndërkohë që mospranimi i Ramës nga drejtimi i qeverisë e ka bërë situatën pa zgjidhje. Ky është edhe paradoksi i kësaj situate që përcakton edhe vështirësinë e kuptimit të saj dhe vështirësitë e deri pamundësinë e gjetjes së zgjidhjes me teknikat klasike të zgjidhjes së krizave politike.
2. “Votimet farsë”, rrezik për vazhdimin e thellimin e krizës…
Duke ju referuar situatës konkrete aktuale, opozita politike dhe qytetarët në protestë gjenden përballë dy skenarëve të Ramës, njëri më diabolik se tjetri, në vështirësi ekstreme deri në kufijtë e pamundësisë për të gjetur zgjidhjen adekuate. Skenari i parë i Ramës ishte ai i “votimeve farsë”, apo zgjedhjeve të manipuluara përmes angazhimit të kriminelëve, bartësve të parave të pista të korrupsionit dhe mekanizmit të kultivimit të kanabisit; përmes këtij mekanizmi, objektivi i Ramës ishte fitimi i mbi 71 mandateve duke nxjerrë jashtë lojë edhe LSI. Ky skenar u testua me sukses në Dibër, duke tjetërsuar mbi 8000 vota përfshi edhe 2875 votat e LSI. Ky skenar është i tejkaluar për Ramën por ai mund ti rikthehet nëse opozita do të pranonte të futej pa kushte në zgjedhje ose thënë ndryshe me “kushtet e Ramës”.  Ky “skenar” do ta kthente opozitën në një “fasadë”, pra në një opozitë me një numër deputetësh jo më të madh se ai i kuvendit të shkuar, për më tepër që Rama më skemën e manipulimeve mund të zotëronte i vetëm maxhorancën qeverisëse, hap të cilin e hodhi duke e “sistemuar Metën në presidencë” siç është deklaruar me kupolën e tij të ngushtë. Pra situata do të ishte shumë më e rëndë për opozitën sesa gjatë periudhës 2013-2017 përderisa me skemën e manipulimeve “krim-korrupsioni-kanabis” dimensioni i tjetërsimit të votës do të ishte pothuajse e pamundur të pengohej nga organizimi partiak i një partie politike, sado e organizuar të ishte, qoftë kjo edhe një vendi perëndimor të zhvilluar, nëse Rama do të organizonte zgjedhjet duke qëndruar në krye të qeverisë. Rama e ka vërtetuar këtë tezë kur nga aleati i është kërkuar të lëshojë karrigen e kryeministrit duke deklaruar se “nëse unë largohem nga kjo karrige, mua me bie sistemi” sepse realisht sistemi i “kriminelëve, oligarkëve dhe kultivuesve të kanabisit” i ideuar nga Rama mbahet në këmbë vetëm prej tij dhe lidhja mes tyre është një lidhje pengu reciprok.
3. “Votimet moniste”, rrezik për destabilizimin e vendit ose nënshtrimin e qytetarëve
Skenari tjetër i Ramës, pasi opozita ngriti çadrën dhe tentoi të shmangte skenarin e parë, ishte ai i “votimeve moniste” pra i zgjedhjeve pa opozitën. Kërkesës së qytetarëve në protestë apo opozitës për “kushte minimale” që do të garantonin zgjedhje të lira e të ndershme përmes rrugës së “butë” të përcaktuar nga një zgjidhje politike e cila do të përmbante 3 elementë: i) qeveri teknike/besimi/kujdestare të zgjedhjeve; ii) shtyrje e arsyeshme të datës së zgjedhjeve dhe iii) identifikim biometrik/votim-numërim elektronik, Rama ju përgjigj me taktikat e hedhjes në erë të çdo negocimi që mundësonte pikërisht këtë “zgjidhje të butë e konsensuale”. E thënë ndryshe Rama vendosi të shkonte në zgjedhje pa opozitën, madje edhe pa LSI nëse ajo do t’i bashkohej opozitës.
4. Përse kjo situatë nuk po kapërcehet me mjete standarde…?
Shqipëria sipas planeve të Ramës do të ishte në periudhën 2017-2021 ose një “regjim autoritar i oligarkisë, krimit dhe  narkotrafikut”  i kontrolluar nga një individ. Ose një “regjim monist” e drejtuar nga një parti e “krimit, drogës dhe korrupsionit” me disa copëza opozitare fasadë të emëruara përmes zgjedhjeve farsë pa opozitën reale. Prandaj Rama s’është aspak i interesuar për asnjë lloj negocimi që çon në pranimin e një zgjidhje që garanton kushtet minimale për zgjedhje të lira e të ndershme. Me sa duket Rama e ka ndarë tashmë mendjen të shkojë në zgjedhje pa opozitën reale. Pasi Rama ka refuzuar propozimin e “rrugës së butë” përmes një qeverie teknike pa Ramën Kryeministër, zgjidhja standarde duket e pamundur. Sepse kjo krize nuk është më thjesht politike por në realitet bëhet fjalë për një situatë të paprecedent, bëhet fjalë për një situatë kur një partie politike apo opozitë politike do ti duhej të pengonte/anihilonte/shndërronte me mjete politike e demokratike një regjim antidemokratik, një regjim oligarkik apo monist. Kjo gjithnjë e më shumë po bëhet e pamundur të zgjidhet me mjete politike klasike, me mjetet që zotëron një sistem ligjor demokratik.
5. Roli i ndërkombëtarëve…?!…
Deri tani shumica e përfaqësuesve të ndershëm dhe me eksperiencë të pasur nga vende demokratike e kanë pasur mesa duket të pamundur të kuptojnë realisht këtë situatë dhe të japin një formulë të suksesshme për zgjidhjen e saj. Deri tani propozimet kanë qenë standarde  dhe retorika tradicionale diplomatike. S’po flas për ata që nuk e njohin mirë situatën apo për një pjesë tjetër që ndodhen në anën tjetër të barrikadës. Ka pasur edhe ndonjë propozim për zgjidhjen e kësaj situate duke i bërë presion opozitës të tërhiqet përmes artikulimit të “legjitimitetit të zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e opozitës”…?! Për të mos përmendur disa të tjerë që e shohin zgjidhjen brenda kornizave të stabilitetit duke pasur bindjen se demokracia është një lojë e vështirë për vendet e Ballkanit. Pyetja që shtrohet më të drejtë është: Cbëhet në këtë rast?
6. A ka dhe cila mund të ishte zgjidhja…?
Natyrisht nëse Rama tërhiqet nga opsionet e tij, ka ende hapësirë për zgjidhje përmes dialogut, gjë që duket shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur. Përndryshe do të mbeste vetëm një mekanizëm: të ndërgjegjësohen qytetarët për të gjetur vetë zgjidhjen e kësaj situate, pra për të marrë në dorë fatin e tyre. Përndryshe vendi do të zhytej në një regjim monist. Koha është një parametër i rëndësishëm; pra kjo duhet bërë sot, sepse nesër do të jetë shumë vonë. Konteksti i jashtëm është i disfavorshëm sepse perëndimi ndodhet i përfshirë në një betejë historike mes Establishmentit e Anti-Establishmentit.   Ky është një vendim historik për shqiptarët.

Artikulli paraprakBerisha: Kavaja mposhti Noriegën e Shqipërisë
Artikulli tjetërLlogaria ku gaboi Rama