Zenga: De Biasi trajneri i Italisë

Emri i Gianni De Biasit vazhdon të mbetet shumë i përfolur përtej Adriatikut. Valter Zenga ish- portieri legjendar i Interit dhe përfaqësueses së kaltër vë bast madje është i bindur se De Biasi do të jetë trajneri i ardhshëm i Italisë, duke pasuar kështu në stolin e 4-herë kampionëve të Botës, Antonio Conten, i cili do të largohet pas përfundimit të Euro 2016-të. Në një intervistë për “Sport Mediaset” Zenga la të kuptohet se De Biasi do të jetë trajneri i ri i përfaqësuses së kaltër. Por për 59-vjeçarin interesohet edhe Lazio. Simone Inzaghi me shumë gjasa do të largohet nga drejtimi i klubit bardhekaltër në përfundim të këtij sezoni, dhe siç raporton e përditshmja italiane “Il Messaggero”, përveç Cesare Prandellit dhe Sinisa Mihajloviç një kandidaturë e fortë për t’u ulur në pankinën e Lazios është edhe De Biasi.
59-vjeçari është nën kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në vitin 2017-të, megjithatë ky fakt nuk e pengon aspak presidentin e Lazios, Claudio Lottito të shfaqë haptazi interesin e tij për De Biasin. Edhe pse për momentin Prandelli dhe Mihajloviç janë më të avantazhuar numri 1 i stolit të Shqipërisë ka shanset e tij për të marrë drejtimin e skuadrës kryeqytetase. Së fundmi, mediat italiane kanë raportuar edhe për një takim mes trajnerit italian dhe drejtorit sportiv bardhekaltër Igli Tare, por vetë De Biasi i intervistuar nga mediat italiane ka mohuar gjithçka, duke nënvizuar se ka rreth një vit që nuk e takon Taren. Trajneri i Kombëtares Kuqezi ka shtuar gjithashtu se nuk ka asgjë mes tij dhe klubit të Lazios.

Artikulli paraprakRonaldo mungon në ndeshjen e kthimit me Citin
Artikulli tjetërMilan, 30 vite, 820 milionë euro shpenzime