Zbardhet kredia skandaloze e KESH, Korporata kërkon rritje çmimi të energjisë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke i bërë presion Entit Rregullator të Energjisë të rrisë çmimin e energjisë duke përdorur si mjet presioni, një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kredia prej 218 milionë euro u firmos në verën e vitit të kaluar për të zëvendësuar gati 30 miliardë lekë borxhe afatshkurtra, që KESH ka marrë nga bankat vendase. Por kushtet e kredisë janë të paprecedentë dhe cenojnë jo vetëm pavarësinë e institucioneve, por madje edhe sovranitetin kombëtar të vendit.
“SYRI.net” zbardh ekskluzivisht marrëveshjen e kredisë, anekset e së cilës imponojnë rritjen e menjëhershme çmimit të energjisë, që përfiton KESH dhe arrijnë deri aty sa të sanksionojë se për të shkarkuar drejtorin e KESH qeveria duhet të marrë lejen e BERZH. “Kjo kredi është e paprecedentë. Ajo jo vetëm që rrëzon plotësisht pavarësinë e Entit Rregullator duke imponuar me detyrim rritjen e çmimit të energjisë, por e zhyt sistemin energjetik të vendit në një situatë të rrezikshme”, u shpreh një nga ekspertët më të njohur të sistemit energjetik në vend, që nuk ka dashur të identifikohet.

Çmimi

Të tre kompanitë publike të energjisë kanë aplikuar për çmimet e reja të energjisë, por Enti Rregullator vendosi ta shtyjë vendimin për në mars. Burime nga ERE treguan për “Syri.net” se komisionerët e këtij institucioni janë vënë përballë një presioni të paprecedentë nga Ministria e Energjisë dhe KESH. Aktualisht KESH përfiton 1.45 lekë për çdo kilovat orë energji që prodhon nga kaskada e Drinit. Por KESH pretendon se kredia e marrë nga BERZH, të cilën Parlamenti e miratoi me ligj të veçantë, imponon që pjesa e saj e çmimit të rritet automatikisht në 2.5 lekë për kilovat orë. Për këtë arsye Korporata po përdor kredinë për t’i bërë presion Entit Rregullator.
Por nëse Enti do të rrisë çmimin për KESH, atëherë ka vetëm dy rrugë për ta amortizuar këtë vendim ose të rrisë sërish çmimin fundor që paguajnë qytetarët dhe biznesi, ose të ulë pjesën që marrin kompanitë e tjera publike, OSHEE dhe OST. Ekspertët thonë se në të dyja rastet pasojat për sistemin energjetik dhe ekonominë do të ishin thellësisht negative.

Investime të dyshimta

Investimet e OSHEE dhe ato të OST shkojnë për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë duke sjellë uljen e humbjeve, ndërsa ato të KESH janë investime, të cilat nuk kanë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Vitin e kaluar KESH i kërkoi Entit Rregullator ta autorizojë që të kryejë 7.3 miliardë lekë ose mbi 55 milionë euro investime me burime të brendshme. Shifra habiti shumë ekspertë të fushës, të cilët hodhën dyshime mbi eficencën se si përdoren këto fonde.
Vitin e kaluar Korporata shpenzoi 1.5 milionë euro vetëm për rindërtimin e godinës, ndërsa me kredinë e re nga BERZH ka autorizuar veten të investojë 10 milionë euro në turizëm, njësoj si të ishte një. Të gjitha këto shpenzime të padobishme godasin në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët dhe gjendjen e sistemit energjetik. Ato janë baza mbi të cilën llogaritet çmimi i energjisë, që paguajnë qytetarët dhe sa më të larta të jenë shpenzimet e padobishme, aq më shumë rritet çmimi që paguajnë konsumatorët.

Liberalizimi i tregut, “konflikt” KESH, OST dhe OSHEE për ndarjen e fitimeve

Ministria e Financave pohon se kredia 218 mln euro e BERZH lëvrohet direkt nga KESH, me plotësimin e konventave të parashikuara në marrëveshje. Por një nga këto kushte ka të bëjë pikërisht me çmimet e rregulluara të prodhimit dhe ato të shumicës!
Qeveria është në hapat finalë të liberalizimit të tregut të energjisë, por kompanitë publike OSHEE, OST dhe KESH janë vënë gati në një situatë konfliktuale me njëra-tjetrën se cila do të sigurojë fitimet më të larta nga “torta e liberalizimit”. Nga ana tjetër, në kontratën e garancisë për kredinë 218 mln euro dhënë KESH, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka kërkuar, krahas liberalizimit edhe rishikimin e çmimeve të rregulluara të prodhimit të energjisë dhe atyre të shumicës (të konfirmuara me shkrim), duke kushtëzuar lëvrimin me këto kushte.
Liberalizimi kërkon që kompanitë do të tregtojnë mallin dhe shërbimet me çmime të liberalizuara, në kushtet kur çmimi për konsumatorin fundor nuk do të ndryshojë. Kjo do të thotë se të ardhurat që realizohen nga shitja e energjisë elektrike do të shpërndahen në mënyrë të barabartë me kushte që asnjëra nga kompanitë të mos subvencionojë tjetrën. Duket se nga kjo situatë kërkon të fitojë KESH, e cila mësohet se po përdor dhe kredinë e fundit të BERZH prej 218 milionë eurosh (që zëvendësoi kreditë tregtare të bankave), ku BERZH ka kërkuar që KESH të ketë tregues të lartë financiarë, që mund të jenë të arritshme vetëm nëse rritet çmimi me të cilin ai i shet energjinë Operatorit të Shpërndarjes. Aktualisht KESH një kilovator energji e shet 1.45 lekë ndaj Operatorit të Shpërndarjes (OSHEE). Por me liberalizimin e tregut, OSHEE këtë energji që e merr nga KESH do ta shesë ndaj klientëve 35 kilovolt me çmime importi.
Agron Hetoja, drejtor i KESH, tha për “Monitor” se për të mbuluar kostot që vijnë nga amortizimi i aseteve dhe shlyerja e kredive që KESH ka marrë për gjithë sistemin, i duhet një tarifë shitjeje 2.8 lekë për kilovatorë.
Ardian Çela, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, tha se tashmë çmimet finale për konsumatorin familjar janë të vendosura dhe nuk bëhet fjalë të ketë rritje. Enti Rregullator i Energjisë ka metodologjinë e vet të llogaritjes së çmimit dhe dokumenti është miratuar tashmë nga qeveria. Për shpërndarjen nuk do të ketë rritje tarife. Ai tha se OSHEE ka propozuar një variant që të paguhet një pjesë e kësteve të kredisë që BERZH ka dhënë për shlyerjen e borxheve të KESH në banka. Çela pohoi se Ministria e Energjisë po udhëheq negociatat në mënyrë që rishikimi i tarifave të mos cenojë konsumatorin fundor dhe të gjendet një zgjidhje e pëlqyeshme për të gjithë.
Ndërsa drejtori i KESH, Agron Hetoja, tha se modeli i tregut të energjisë, që ka në thelb liberalizimin, duhet të aplikohet edhe për KESH. Hetoja tha se logjikisht në një treg të liberalizuar, fitimet shkojnë për atë që shet mallin dhe më pak për ofruesit e shërbimit, ndaj sipas tij, kjo logjikë duhet të ndiqet edhe për tregun e energjisë. Hetoja tha se, për të mbuluar kostot që vijnë nga amortizimi i aseteve dhe shlyerja e kredive që KESH ka marrë për gjithë sistemin i duhet një tarifë shitjeje 2.8 lekë për kilovatorë.
Enti Rregullator i Energjisë në relacionin për mosndryshimin e tarifave vitin e kaluar ka vënë në dukje se OSHEE ka realizuar më 2015 fitime 10 herë më të larta se sa ishte parashikuar nga ERE në relacionin kur janë miratuar çmimet e reja të energjisë më 2014.

Kredia e BERZH lëvrohet automatikisht kur plotësohen kushtet, po cilat janë ato?!

Në fund të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë 218 ndërmjet KESH dhe BERZH. KESH, përmes kësaj huaje synon ristruktimin e borxheve, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e bilancit. Sipas relacionit, ai synon shlyerjen e borxhit të shtrenjtë afatshkurtër ndaj bankave tregtare vendase, nëpërmjet një huaje afatgjatë, shumë më të lirë nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke krijuar kështu mundësinë e çlirimit vit pas viti të buxhetit të shtetit nga garancitë qeveritare që ka dhënë për KESH-in (pagesat vjetore të principalit do të shkojnë për reduktimin e volumit  të garancive qeveritare).
Kredia nuk është lëvruar ende. Burime zyrtare nga Ministria e Financave pohuan se “kredia e BERZH lëvrohet direkt nga KESH, me plotësimin e konventave të parashikuara në marrëveshje”.
Po cilat janë këto kushte? Sipas kontratës zyrtare të përkthyer, një nga detyrat për të cilat qeveria është angazhuar, krahas liberalizimit të tregut, është se garantuesi (qeveria) do të “Rishikojë çmimet e rregulluara për prodhimin e energjisë elektrike dhe çmimet e tregut të shitjes me shumicë në linjë me përfundimin e kontratës afatgjatë për furnizimin/blerjen e OSHEE/KESH-it, me të ardhura në nivelet e tarifës për KESH-in të konfirmuara me shkrim në mënyrë të pëlqyeshme për BERZH” .
Pikërisht kjo pikë ka ngjallur dhe debat, teksa BERZH merr atribute për të vënë detyra të tilla si rishikimin e çmimeve, në një kohë kur me ligj një detyrë të tillë e ka Enti Rregullator i Energjisë (ERE).
Burimet nga Ministria e Energjetikës dhe OSHEE pohojnë se kredia 218 milionë euro që BERZH ka dhënë për KESH ka marrë në konsideratë që kompanitë do të operojnë me kushtet të tregut me çmime të liberalizuara, por në asnjë rast BERZH nuk vendos për çmimet, ato janë atribut i ERE.
Ligji i ri për energjinë i miratuar që ka hyrë në fuqi në vitin 2015 detyron kompanitë të operojnë me çmime të tregut dhe kjo reformë përfshin kompaninë e prodhimit të energjisë.

Artikulli paraprakBllokimi i linjës energjetike Kosovë-Shqipëri, çështja do të diskutohet në Bruksel
Artikulli tjetërMasakra me by passin e Gjirokastrës, 5 milionë euro për të shkatërruar monumentet e kulturës