Masakra me by passin e Gjirokastrës, 5 milionë euro për të shkatërruar monumentet e kulturës

Vincent van Gerven Oei

Më 10 nëntor 2015, “Atelier Albania”, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Ministria e Kulturës hapën konkursin ndërkombëtar të arkitekturës për “Projektimin e by pass-it në qytetin e mbrojtur nga UNESCO, Gjirokastër”. Gjirokastra është ndërtuar në një zonë arkeologjike, me banesa të periudhës mesjetare të hershme. Gjithashtu, Gjirokastra është qyteti i ruajtur më mirë nga periudha otomane në Ballkan.
Gjatë prezantimit të konkursit dhe të tri finalistëve, drejtoresha e AKPT, Adelina Greca u vrenjt, kur fituesi i projektit, “Atelier 4” – klient i rëndësishëm i qeverisë Rama, u shpall përpara prezantimit dhe procesit të vlerësimit nga juria. Kjo firmë është përfshirë në shumë projekte, ku ndër to bën pjesë edhe ndërtimi i stadiumit “Qemal Stafa”. Projekti i by pass-it të Gjirokastrës financohet nga Banka Botërore nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Garuesit e tjerë ishin bashkimi i kompanive “SON Group”, “C+S Cappai Associates” dhe “F&M Ingeneria” në bashkëpunim me “Metropolis” dhe “Cultural Heritage Without Borders”, si dhe një organizatë jofitimprurëse e specializuar në ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore. Propozimi fitues i “Atelier 4” për by pass-in e Gjirokastrës u miratua më 13 shtator 2016, nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR), por tani duket se propozimi final ka ndryshuar nga ai fitues, duke u kthyer në një kërcënim për monumentet e kulturës të mbrojtura nga UNESCO.

Shkelje e zonave të mbrojtura

Në thirrjen e parë kërkohej që by pass-i “të vendosej në rrethinat e Qendrës historike dhe të zonës së mbrojtur”. Sepse duke ndërhyrë në brendësi të zonës së mbrojtur, projekti shkel ligjin e Trashëgimisë Kulturore, i cili parashikon se:
Zonat-muze, ansamblet-muze, qendrat historike, parqet arkeologjike janë kategori objektesh në grup, që ruhen në tërësinë e tyre si komplekse historiko-arkeologjike, monumentale, arkitektoniko-urbanistike dhe mjedisore. Në këto kategori objektesh është e ndaluar çdo lloj ndërtimi i ri, me përjashtim të rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionit.
Përveç kësaj, by pass-i i Gjirokastrës shkel Konventën e Shqipërisë për Restaurimin (VKM nr. 426, 13 korrik 2007). Pavarësisht kuadrit ligjor ekzistues, Rregullorja për Mbrojtjen, Ruajtjen dhe Administrimin e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur të Gjirokastrës e miratuar nga qeveria Rama me VKM, Nr. 619, më datë 7 korrik 2015, parashikon se, “Ndërtime të reja në qendrën historike përveç përmirësimit të infrastrukturës rrugore, rrjeti inxhinierik, si dhe rindërtimet e sipërmendura”. Me fjalë të tjera, vendimi i qeverisë Rama shkel Ligjin e Trashëgimisë Kulturore me qëllimin e vetëm për të lejuar zbatimin e projektit të by pass-it të Gjirokastrës, e tenderuar për një nga klientët e tij të preferuar. Le të shikojmë ku qëndrojnë shkeljet në këtë projekt.

Shkelje në termat e referencës

Përveç faktit që projekti i by pass-it të Gjirokastrës është tashmë në shkelje të ligjeve të vendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të paktën projekti i propozuar duhet të japë zgjidhje me impakt më të vogël në zonat e mbrojtura. Propozimi fitues i “Atelier 4” vendos 90 për qind të të gjithë by pass-it në zonën e mbrojtur, në qendrën historike të Gjirokastrës dhe vetëm një pjesë prej 10 për qind, të ashtuquajturën “Zonën Buffer”, jashtë saj. Nga të tria propozimet, propozimi i “Atelier 4” është ai që dëmton më shumë zonën e mbrojtur.

Shkatërrimi i monumenteve të kulturës

Projekti i “Atelier 4” përfshin shkatërrimin e dy monumenteve kulturore të Nivelit II, si dhe ndërhyrjen në themelet natyrore të Kështjellës së Gjirokastrës, e cila është planifikuar për gërmime arkeologjike. Duke vepruar në këtë mënyrë, propozimi thjesht zhvendos trafikun nga zona e pazarit në zonat përreth kështjellës, duke shkatërruar zonën e gjelbër për këmbësorët. Asnjë studim paraprak për transportin nuk është bërë dhe nuk ka asnjë provë se projekti i by pass-it do të lehtësojë realisht trafikun.

Dyfish më i shtrenjtë

Projekti i diskutuar dhe i miratuar nga KKR është thelbësisht ndryshe nga projekti i shpallur fitues në konkursin e “Atelier Albania”. Ai është dy herë më i shtrenjtë se sa projekti fillestar. Projekti tani kushton pesë milionë euro dhe më shumë se 50 për qind e planit është ndryshuar. Kjo në mënyrë automatike e nxjerr të pavlefshëm të gjithë konkursin. Figurat e mëposhtme tregojnë propozimin fillestar të “Atelier 4” dhe propozimin e miratuar nga KKR.

Aktiviteti sizmik

Të paktën tri studime të pavarura gjeologjike dhe sizmike të vitit 1980, 2006 dhe 2012, përfshirë një projekt të drejtuar nga Ministria e Kulturës, tregojnë se by pass-i është planifikuar mbi zonë sizmike. Ajo ndodhet mbi një çarje tektonike shumë të rrezikshme. Asnjë masë parandaluese në lidhje me rrezikun e aktivitetit sizmik nuk është parashikuar në propozim.
Përtej kërcënimit të menjëhershëm në trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës, efektet e zbatimit të projektit të by pass-it do të shtrihen në kohë. Sipas “Cultural Heritage Without Borders”, në Gjirokastër ka të paktën 169 monumente kulturore të kategorisë II dhe I të ndodhura brenda qendrës historike të mbrojtur, janë në kushte kritike.
Në vitin 2011, Qendra Botërore e Trashëgimisë UNESCO kërcënoi se do ta vendoste Gjirokastrën në listën e Trashëgimive Kulturore Botërore në rrezik, nëse qeveria nuk plotësonte kriteret. Por asnjë nga këto kritere nuk janë përmbushur nga qeveritë shqiptare. Paratë e shpenzuara në projektin e keqplanifikuar të by pass-it mund të ishin shpenzuar më mirë për restaurimin e monumenteve kulturore, të cilat janë në rrezik shembjeje.
Këtë verë, një ekip vlerësuesish ndërkombëtarë të ICOMOS po planifikojnë të vizitojnë Gjirokastrën për të vendosur për progresin e bërë për mbrojtjen e qytetit. Por, për qeverinë, të tregojë një rrugë të re, dy monumente të shkatërruara dhe 169 monumente të tjera në rrezik është nisja më e mirë për këtë vlerësim.

Artikulli paraprakZbardhet kredia skandaloze e KESH, Korporata kërkon rritje çmimi të energjisë
Artikulli tjetërRezoluta e PE: Zgjedhjet e lira, kusht kryesor për hapjen e negociatave të BE