Zaev: Maqedonia e gatshme për shtesë në emrin e vet

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, thotë se vendi i tij dhe Greqia kanë bërë progres të rëndësishëm kah zgjidhja e kontestit për emër, që po zgjat për një periudhë të gjatë.
Zoti Zaev tha dje se qeveria e Maqedonisë është e gatshme ta shtojë një “përcaktues gjeografik” në emrin e vendit, një ndryshim që është kërkuar nga Greqia.
Por, ai theksoi se ka edhe çështje të tjera kontestuese, përfshirë atë se si do të quhet zyrtarisht gjuha maqedonase.
Maqedonia dhe Greqia për më tepër se 25 vjet kanë mospajtim të ashpër lidhur me të drejtën për emrin Maqedoni.
Greqia thotë se duke e përdorur atë, vendi fqinj shpreh pretendim ndaj provincës greke me të njëjtin emër, raporton “AP” nga Shkupi.
Lidhur me këto çështje, ministrat e Jashtëm të të dy vendeve janë takuar këtë javë në Vjenë, së bashku me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz.

Artikulli paraprakRaporti i KLSH, qeveria 826 milionë euro abuzime në 2017
Artikulli tjetërDhoma Amerikane kryqëzon doganat