Raporti i KLSH, qeveria 826 milionë euro abuzime në 2017

Rreth 826 milionë euro dëm ekonomik në vitin 2017, abuzime, vjedhje dhe korrupsion, pothuajse çdo javë nga një kallëzim penal dhe asnjë të dënuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton disa drejtime, nëpërmjet të cilave po bëhet shpërdorimi i fondeve publike. Në analizën vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kreu i këtij institucioni Bujar Leskaj bëri me dije se, përgjatë vitit 2017 janë kryer plot 256 auditime, ndërsa dëmi ekonomik përllogaritet 11.5 miliardë lekë. Teksa bëri një pasqyrë të vitit që kaloi, Leskaj tha se, janë bërë 47 kallëzime penale për drejtues të nivelit të mesëm e të lartë. KLSH vijon të raportojë çdo vit e më shumë abuzime me fondet publike, por po kështu drejtësia vijon të mos dënojë asnjë përgjegjës për këto abuzime. Në analizën vjetore, kryetari Bujar Leskaj evidentoi se, sektorët me më shumë abuzime janë administrimi i pronës shtetërore, doganat dhe prokurorimet publike. Puna e Kontrollit të Lartë të Shtetit ka pasur këtë fat edhe gjatë vitit 2017, ku siç duket nga të dhënat, abuzimi me fondet publike ka qenë më i lartë se viti 2016, ku dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit ishte 534 milion euro. “Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 826 milionë euro”, tha Leskaj. Dhe bazuar në analizën vjetore, sipas kreut të KLSH rezulton se, administrimi i pronës shtetërore ka peshën kryesore në këtë dëm, e ndjekur nga doganat dhe prokurimet publike.

“Mungesa e inventarizimit të pronës publike vijon prej më shumë se 20 vite të jetë një nga problemet kryesore”, tha Leskaj. Si një institucion që jo vetëm konstaton, por edhe sugjeron, KLSH ka një këshillë për qeverinë: Të tregojë kujdes me programimet buxhetore, pasi borxhi publik nuk po ulet në nivelet e synuara. “Se vijohet me praktikat e programimeve jo realiste të buxhetit, sëmundje kjo e qeverive shqiptare në këto vite”, tha Leskaj. Qeveria ka nisur reformën e ujit, por për kreun e KLSH-së, Leskaj, abuzues të mëdhenj janë edhe drejtorët e Ujësjellësave. “Më përpara ky aksion pikë të parë duhet të ketë zbatimin e masave ndëshkuese ndaj drejtuesve abuziv në këto vite”.

Shifrat e KLSH

Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliardë lekë ose 85.8 milionë euro.
Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 99.05 miliardë lekë, afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliardë lekë afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo më eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.
Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 825,6 milionë euro.
c) Për vitin 2016 rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51,175 milionë lekë ose 41% më e lartë se viti 2015.
Në analizën vjetore për 2017-ën, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj ka evidentuar se abuzime të shumta ka me tenderat, ku mungon konkurrenca.
“Shkeljet më të mëdha janë me prokurimet publike, ku nuk ka konkurrencë të drejtë”, ka deklaruar Leskaj.
KLSH ka kritikuar qeverinë edhe për nivelin e lartë të borxhit, që pavarësisht angazhimit për ta ulur, duket se nuk po ia arrin dot. “Borxhi publik brenda dy vjetësh nuk është ulur, sipas objektivave. Kemi kërkuar angazhim maksimal të të gjitha institucioneve për të ulur borxhin publik. Duhet kujdes me programimin e investimeve”, është shprehur Leskaj.

Shkeljet sipas sektorëve

Shitja dhe dhënia me qira e pasurisë shtetërore 36%
Riblerja e pasurisë shtetërore 24%
Sektori i doganave 16%
Prokurimet Publike 14%
Sektori i Tatim-Taksave 3%

266 kallëzime penale asnjë ndëshkim për abuzuesit

Edhe pse qeveria e konsideron reformën territoriale-administrative si të suksesshme, KLSH ka vërejtje të forta për të. Sipas kreut të institucionit, bashkitë e reja po keqmenaxhojnë fondet publike. “Nga auditimi në qeverisjen vendore rezulton se, reforma territoriale nuk ka arritur synimet e vendosura. KLSH ka konstatuar keqmenaxhim, sidomos me pronat”, u shpreh Leskaj. Kreu i KLSH-së ka një koment edhe për drejtuesit e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, në kuadër të nisjes edhe të Reformës së ujit të pijshëm. “Ujësjellësat kanë detyrime të larta. Edhe pse ka nisur aksioni, të ketë në synim drejtuesit që kanë abuzuar, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Leskaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton se pavarësisht shkeljeve, nuk ka largime të drejtuesve nga detyra, gjë që sipas kreut të këtij institucioni, rrit kulturën e pandëshkueshmërisë. “Kemi kallëzuar 266 persona gjatë periudhës 2012-2017. Reforma në Drejtësi është e rëndësishme”, u shpreh Leskaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kritikuar qeverinë për buxhetin, duke deklaruar se për vitin 2017 ai nuk ka qenë realist dhe kjo ka bërë që të ndryshojë disa herë brenda vitit. Kritika ka pasur edhe për tatimet, ku KLSH evidenton një dëm të konsiderueshëm nga borxhi tatimor.

Artikulli paraprakTalibanët kërkojnë bisedime me Amerikën
Artikulli tjetërZaev: Maqedonia e gatshme për shtesë në emrin e vet