Dhoma Amerikane kryqëzon doganat

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka listuar problemet me Administratën Doganore në një takim me këtë të fundit. Një nga shqetësimet e anëtarëve të Dhomës Amerikane, i cili është ringritur në vite është aplikimi i çmimeve të referencës nga ana e doganës. “Ne tashmë kemi një Kod të ri Doganor, i cili hyri në fuqi në 1 qershor 2017 dhe dispozitat zbatuese të Kodit Doganor të miratuar me VKM, të cilët përmbajnë parashikime të qarta për mënyrën e përcaktimit të vlerës doganore. Gjithashtu, ministri i Financave dhe Ekonomisë ka miratuar udhëzimin përkatës për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore. Megjithatë edhe më parë ne kemi patur parashikime të qarta në legjislacion për këtë çështje. Problematika e çmimeve të referencës nuk ka të bëjë me mungesën e legjislacionit, por me zbatimin e gabuar në praktikë të dispozitave nga Administrata Doganore”.
Duke iu referuar sistemit rregullator, i cili përcakton qartë se kur përdoret nga dogana vlera e transaksionit dhe kushtet në të cilat kalohet për rivlerësim, të cilat zbatohen sipas radhës, dhe duke iu referuar udhëzimit të fundit të ministrit të Financave, i cili përcakton se kur ekziston një ndryshim i dukshëm midis vlerës së deklaruar dhe çmimeve të Database Kombëtar apo të të dhënave të disponueshme nga bursat, Dhoma Amerikane sqaron se ky përbën një indikator risku dhe rrjedhimisht në praktikë duhet të ketë sipas saj një rivlerësim të vlerës së transaksionit.

Shqetësimi tjetër i biznesit amerikan ka të bëjë me mosrespektimin e procedurave të nevojshme për rivlerësimet doganore. Kjo ka të bëjë me rivlerësimin e iniciuar nga dogana, por edhe rastet kur operatori ekonomik kërkon rishikimin e një deklarate doganore të dorëzuar më parë. Rishikimi mund të ndodhë në rastet, kur ka një ndryshim të vlerës (skonto) pas çlirimit të mallrave në import, ose një ndryshim të vlerës doganore në eksport (qoftë në rritje apo ulje), në rastet kur eksportimi bëhet mbi bazën e një fature pro-forma dhe çmimi final përcaktohet në një moment të dytë.
Kontrabanda në vlera të vogla që kryhet në pikat doganore kufitare, është kthyer në një shqetësim tjetër për anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Gjithashtu sipas tyre, Administrata Doganore nuk ka një procedurë të konsoliduar dhe një praktikë të mirëfilltë që mund të ndiqet ndryshe nga praktika e punës në Administratën Tatimore sa i takon procedures së apelimit në doganë. Ata theksojnë se janë vënë re raste kur nuk zbatohet dispozita proceduriale (afati, kushtet e tjera) për rastet e apelimit në doganë. Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon që të bëhet konsolidimi i praktikës që ndiqet nga drejtoria që shqyrton apelimet në mënyrë që të shmangen vendimet, kur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave sipas anëtarëve të dhomës, me pa të drejtë nuk e shqyrton apelimin, në mënyrë që më pas të diskutohet për themelin e çështjes që ankimohet.

Artikulli paraprakZaev: Maqedonia e gatshme për shtesë në emrin e vet
Artikulli tjetërBrexit, mashtrimet e Boris Johnson