Vrau dy vëllezërit për kromin, në burg përjetë

Gjykata e Kukësit dënoi me burgim të përjetshëm Muharrem Bugjisha, për vrasjen me armë të vëllezërve Emri dhe Bilbil Batusha, si edhe plagosjen e Arbër Batusha, pas një konflikti verbal mes tyre, lidhur me përdorimin e një hapësire tokë krom-mbajtëse në fshatin Kalimash. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur mesditën e 25 korrikut të vitit 2014.
Nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se i akuzuari Muharrem Bugjisha, në vijim të një debati verbal ka qëlluar 7 herë me pistoletë, nga të cilat ka mbetur i vdekur në vend Emri Batusha, ndërkohë që është plagosur rëndë dhe ka vdekur rrugës për në spital, Bilbil Batusha. Ndërkohë, nga plumbat ka mbetur i plagosur edhe Arbër Batusha. Pas krimit, i akuzuari është larguar dhe gjatë periudhës së hetimit, ai nuk është mundur të arrestohet.
Autori i akuzuar është vetëdorëzuar në kohën kur Prokuroria e Kukësit dërgoi kërkesën për gjykim ndaj tij, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Gjatë gjykimit, i pandehuri dhe mbrojtja e tij kanë pretenduar se Muharrem Bugjisha ka pasur probleme me shëndetin mendor, si në kohën e kryerjes së krimit, po ashtu edhe në periudhën në vijim.
Por, siç sqaron Prokurorira, pas kryerjes së ekspertizave ligjore është konkluduar se i pandehuri nuk ka probleme të shëndetit mendor dhe se ai e ka kryer krimin në vijim të konfliktit për të ndarë zonat e kërkimit të kromit në zonën e Kalimashit. Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Kukësit dhe dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin.

Artikulli paraprakEuropa mbështetje Bashës e protestës për zgjedhjet e lira
Artikulli tjetërVrasja në Belgjikë, Mark Frroku rrezikon dënimin me 25 vjet burg