Vrasja në Belgjikë, Mark Frroku rrezikon dënimin me 25 vjet burg

Gjykata e Tiranës ka shtyrë për në 12 prill seancën për Mark Frrokun. Shkak është bërë kërkesa e avokatëve të ish-deputetit, të cilët kërkuan kohë për të përgatitur mbrojtjen. Ish-deputeti Mark Frroku rrezikon të dënohet me 25 vite burg. Prokuroria paraqiti në Gjykatën e Tiranës konkluzionet përfundimtare të hetimit dhe gjykimit. Gjithashtu për ish-deputetin u kërkua edhe heqja për 10 vite e të drejtës për të kryer funksione publike.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës apelon vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila shpalli të pafajshëm Kristjan Marinaj, i akuzuar si bashkëpunëtor i ish-deputetit Mark Frroku për vrasjen në Belgjikë. Më 15 mars 2017, pas rreth një viti gjykimi, Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm. Marinaj u vu nën akuzë për vrasjen e Aleksandër Kurtit, krim për të cilin gjykohet veçmas edhe ish-deputeti.
Për 42-vjeçarin, i cili ka qenë i shpallur në kërkim nga policia, Prokuroria kishte kërkuar më herët 16 vjet burg, në bazë të materialeve të ardhura nga shtetit belg ku dhe është kryer vrasja. I dyshuari, emri i të cilit ndodhet në listën e personave të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, njihet edhe me disa emra të tjera, si Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina. Megjithëse policia shpalli kërkimin e tij, Marinaj nuk u arrit të prangosej.
Ngjarja për të cilën akuzohet ish-deputeti i mazhorancës, Mark Frroku ka ndodhur më 05 mars të vitit 1999 në Bruksel. Vëllai i viktimës i ka thënë Prokurorisë belge se Arben Frroku, kishte paguar 10 mijë dollarë për vrasjen e Aleksandër Kurtit e kryer nga vëllai i tij, Mark alias Besnik Morina. Sipas këtij dokumenti, motivi i vrasjes ishte: “Raporti midis viktimës dhe shtetases L.S, po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër”.
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint-Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sofrani. Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S, kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Kristian Marinaj, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisen jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.

Artikulli paraprakVrau dy vëllezërit për kromin, në burg përjetë
Artikulli tjetër43 kg drogë dhe armë në Greqi, arrestohet shqiptari