Europa mbështetje Bashës e protestës për zgjedhjet e lira

Lulzim Basha merr përkrahjen e udhëheqësve europianë për votën e lirë e të ndershme. Kryetari i opozitës Basha mori pjesë dje në Samitin e Partisë Popullore Europiane, forumi më i lartë politik i formacionit të djathtë në Europë, ku është takuar dhe ka me krerët e partive simotra dhe krerët e qeverive dhe institucioneve europiane.
Në këto takime është theksuar nevoja që ka Shqipëria për të ndalur planin e qeverisë për vjedhjen e cënimin e votës, e për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme. Gjatë këtyre takimeve, Basha ka parashtruar kërcënimin real të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri prej krimit, drogës dhe parave të pista, si dhe ka kërkuar mbështetjen europiane për këtë betejë që po zhvillon opozita. Kjo ishte tema e bisedës me Presidentin e PPE, Josef Daul dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, Antonio Lopez Isturiz.
Me ministrin e Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, Basha vuri në dukje rëndësinë themelore që kanë zgjedhjet e lira për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Basha tha se kjo betejë për vlerat europiane do të zhvillohet deri në fitore.
Basha u takua me Komisionerin europian për Sigurinë, Dimitri Avramopulos me të cilin ndanë shqetësimin e thellë për krimin e organizuar, drogën dhe trafiqet. Basha e njohu me planin e Partisë Demokratike për luftë pa kompromis dhe shtypje të krimit dhe trafiqeve dhe mori garancitë për mbështetjen e plotë dhe institucionale nga Komisioneri për Sigurinë, në luftën ndaj krimit në vend.
Në bashkëbisedimin me Pier-Ferdinando Cazini, kreu i Senatit italian e ka siguruar zotin Basha se do të ketë përkrahjen e tij për kauzën e votës së lirë. Basha argumentoi se e vetmja rrugëdalje është krijimi i një qeverie teknike që lufton drogën, paratë e pista, këput lidhjet me krimin dhe zbaton dekriminalizimin. Cazini e ka vlerësuar si të drejtë propozimin e opozitës shqiptare për daljen nga kriza.
I shqetësuar për situatën e krimit të organizuar dhe drogës është dhe kreu i opozitës greke Kyrjakos Micotaqis. Në takimin me Basha kryeopozitari grek u shpreh se e çmon dhe mbështet betejën që zoti Basha dhe opozita shqiptare po bëjnë për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.
Senatori italian Mario Mauro dhe kryetari i grupit Forza Italia në Senatin italian, Paolo Romani e njohin situatën në Shqipëri. Ata i thanë zotit Basha se qendrojnë në krah të tij dhe se përpjekjet e mëdha që po bëhen për votën e lirë, janë të drejta.
Në takimin me Presidentin e Këshillit të Europës, Pedro Agramunt, Basha ka theksuar se Shqipëria s’duhet lënë të bjerë në greminën e krimit të organizuar që ka kapur shtetin dhe të karteleve të drogës me lidhje qeveritare që kanë planifikuar mbajtjen e pushtetit, duke asgjësuar votën.
Basha mori garancinë e Agramunt për mbështetje që Shqipëria të mos bëjë kthim pas në standardet e demokracisë e votës së lirë.
Kryetari Basha u takua edhe me kryeministrin kroat Andre Plenkoviç, me fituesin e zgjedhjeve në Bullgari, Borisov me Doris Pack, që e njeh mjaft mirë gjendjen e krimit, të drogës dhe kërcënimin e votës në Shqiperi, me kreun e kristiandemokratëve holandezë Sybrand Buma, me kreun e Komisionit të Jashtëm në PE, David Mcallister me krerët e partive simotra të Suedisë dhe Sllovenisë, ministrin federal të Bujqësisë në qeverinë gjermane, Christian Schmidt. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po merr pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane (PPE) në Maltë, ku mbajti edhe një fjalë në seancën plenare. PPE është grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian dhe aktualisht përfaqësuesit e saj janë në krye të tre institucioneve kryesore të BE, në Parlamentin Europian, Këshillin Europian dhe Komisionin Europian.

Artikulli paraprakBerisha-Ramës: Fundi yt është burgu ose fataliteti!
Artikulli tjetërVrau dy vëllezërit për kromin, në burg përjetë