Votoi skllavi

Edison YPI

Për shkak të rezultateve surprizuese, tollovia pas-zgjedhore po është aq e zhurmshme dhe kaotike sa të shtyn të bësh pyetje tronditëse; Si ka mundësi që shumica e shqiptarëve voton partinë me prejardhje direkte nga diktatura dhe përbërje njerëzore nga nomenklatura?! Në fund të fundit, kush votoi e kush fitoi?! Harta e sotme e ndarjes sociale dëshmon një të vërtetë ulëritëse. Kudo në botë, e inkriminuar është pakica.
Për shkak të trashëgimisë kriminale diktatoriale, në Shqipëri e inkriminuar është shumica. Që kjo anomali të ndodhë në kushte specifike, për shembull në kohë lufte ose gjatë një diktature, çoroditja katastrofike në fjalë është sa fatkeqe dhe turbulluese, por meqenëse si e tillë është destinatë apo fatalitet, bëhet deri-diku e kuptueshme, në një pikëpamje të përgjithshme dhe e pranueshme.
Brenda këtij paradoksi të kobshëm ndodh praktikisht çdo event shqiptar post-diktatorial. Edhe zgjedhjet që sapo përfunduan u determinuan nga mbipesha e shumicës së inkriminuar qysh gjatë diktaturës ndaj pakicës së vuajtur gjatë po asaj diktature si viktima të së parës.
Është e kuptueshme të ndjehesh më i shëndetshëm, më i fortë, më i freskët, pasi kthehesh, ta zemë, nga disa ditë pushimi apo nga spitali ku u mjekove. Po aq e kuptueshme është edhe të dalësh i lodhur e i drobitur nga internimi apo burgu ku të mbyllen me dhjetëra vite. Këto dy tipologji u ndeshën në zgjedhjet e fundit. Vazhdimi dhe rezultati nuk kërkojnë asnjë fantazi, merren me ment nga çdo budalla.
Nëse nuk je dakord me konstatimin e mësipërm, punët e kokës nuk i ke në rregull. Prej shqiptarëve, Shqipërisë, botës, njerëzimit, njerzillëkut, nuk ke kuptuar dhe zor se do të kuptosh gjë. Leximin e këtij shkrimi ndale. Gazetën palose. Kompjuterin mbylle. Celularin fike. Ik në kafene llafosu me të ngjajshmit e kudondodhur. Je përfaqësues tipik i shumicës së inkriminuar që ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë dhunë të gjithfarshme ndaj pakicës së qytetëruar, ka folur në mbledhjet e kolektivit, ka duartrokitur “fitoret”, vazhdon të votojë nostalgjinë, domethënë skllavërinë, domethënë kurvin. Në garat elektorale pluraliste post diktatoriale, socialistët liberalë erdhën nga favoret, nga lidhjet e turlillojshme.
Demokratët erdhën nga lemeria, nga internimet dhe burgjet ku u iku rinia dhe jeta, nga bodrumet ku rrinin strukur. Prandaj garat elektorale i fiton hordhia e shëndetshme e skllevërve nostalgjikë që votojnë kurvin e ngordhur, dhe jo bartësit e të vërtetës dhe të meritës, pakica e persekutuar. Ka ndodhur, megjithatë, që ky rregull është prishur si përjashtim që e përforcon. Disa nga këto gara i kanë fituar demokratët. Jo si rutinë. Si fat, si “aksident i këndshëm”, si “rastësi e lumtur”. Lidhet me ekzistencën e një Gjeniu, Doktorit, për të cilin banakierët e shitur televizivë me fantazira dhe abrakadabra ja fusin si kau pelës. Ka qenë Doktori dhe vetëm Doktori, i cili me zotësinë dhe talentin e tij ka bërë të mundur ardhjen në pushtet të demokratëve dhe kryerjen e gjithë atyre punëve.
E kotë të kërkohet ndonjë lidhje apo marrëdhënie mes Doktorit dhe përfaqësuesve të sotëm të konservatorizmit. Nuk ekziston ajo lidhje. Ekziston vetëm gjenialiteti i Doktorit përballë konservativëve të lodhur. Brenda tollovisë shumëngjyrëshe, mediokrit e çoroditur që mbahen sot për konservativë, ca groteskë të lodhur shijet e mjera artistikëve të të cilëve nisin te devolliu bejtexhi e mbarojnë te patetiku Esenin, ndërsa erudicioni politik u nis e u bitis i tëri te Mit’hat Frashëri, përballë Doktorit janë ca liliputër aq të mjerë sa kur i mendon të ikin lotë, po t’i marrësh seriozisht pendohesh pas pak, po t’i kritikosh i bën të famshëm.
Me Doktorin dhe mbeturinat e mjera të konservatorizmit historik, spjegohen disa dukuri të sotme. Mes tjerash, fakti se pse në vendin më të vogël se gjysma e Romës gjatë fushatave nuk vlen shpalosja e asnjë programi dhe e asnjë “oferte elektorale”, por mjafton e tepron retorika autoritative.
Gjenialiteti i Doktorit, që si çdo gjenialitet gjasën për t’u përsëritur e ka zero, e vështirëson tej mase zgjidhjen e ekuacionit me shumicë të kriminalizuar të papërgjegjshme dhe pakicë serioze. Nuk mund të vazhdohet me votime skllevërish nostalgjikë dhe fitore kurvi. Diçka duhet bërë.
Për ta ndryshuar tablonë dëshpëruese me hordhi skllevërish që votojnë kurvin e vdekur, duhet gjetur një zgjidhje. Mendësia prej nga buron kurvizmi, mendësia e mercenarit të përjetshëm brenda llogores me baltë me gavetë në dorë, që ha groshë, gromësin e tymos duhan të dredhur duke pritur luftën që nuk vjen kurrë, pak nga pak duhet mposhtur. Hordhitë e skllevërve që vazhdojnë të votojnë kurvin edhe kur kurvi ka ngordhur, duhen së paku kuptuar. Duket sikur ajo çka mungon dhe duhet të bëhet prezente, ardhja në vete e shumicës kriminale për ta zbutur apo humanizuar sadopak qëndrimin ndaj pakicës normale, është e pamundur edhe në rrethanat hipotetike më optimiste.
Edhe po të hyjmë me të drejta dhe detyrime të plota në Europë, edhe po të ndërtohen të gjitha autostradat, edhe po ta kalojmë ekonomikisht Zvicrën, asgjë nuk ka për të ndryshuar. Ky është pragu dëshpërues. Ky është çmimi që refuzojnë ta paguajnë. Derisa të kapërcehet kjo humnerë, derisa të hiqet nga fyti ky litar, kështu do vazhdojë. Asgjë shpresëdhënëse nuk mund të ndodhi derisa shumica e kriminalizuar, edhe për të mirën e vet, të nisi të zbutet, të fillojë të kuptojë. Jo si mëshirë. Si tjetër qasje e shumicës së errët ndaj pakicës së ndritur, që do japi tjetër zgjidhje në të mirë të të gjithëve.

Artikulli paraprakRishikimi i rendit global
Artikulli tjetër“Platforma”, takohen liderët e partive shqiptare në Maqedoni