Vettingu, 193 kandidatë për prokurorë dhe gjyqtarë në sitën e Komisionit

Komisioni parlamentar i Verifikimit të Kandidatëve për institucionet e vettingut ka nisur dje intervistimin e 193 kandidatëve për në Komisionin e Pavarur të Kualifikimeve (KPK), Kolegjin e Apelimit (KA) dhe Komisionerët Publikë. Komisioni duhet të dëgjojë të gjithë kandidatët dhe deri më datë 1 qershor duhet t’i paraqesë komisionit të radhës listën me gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë të tjerë të sistemit të drejtësisë nga ku do të përzgjidhen anëtarët përfundimtarë të tri institucioneve të vettingut. Nga 193 kandidatët që do të intervistohen, Avokati i Popullit ka kualifikuar 84 prej tyre, ndërkohë që 109 të tjerë nuk i plotësonin kriteret e vendosura. Gjatë seancës komisioni mori parasysh disa ankesa nga kandidatët dhe u kërkoi të paraqesin dokumente shtesë. Ndërkohë shumica e kandidatëve ishin të vetëdijshëm që s’i plotësonin kriteret dhe nuk paraqitën asnjë ankesë. Gjatë seancës kishte dhe kandidatë që ONM kishte dhënë rekomandim negativ, por që nuk paraqiste asnjë dokument për nxjerrjen e këtij konkluzioni. Ndërkaq përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, është shprehur se kandidatët duhet të njihen me arsyet se pse ONM nuk i ka kualifikuar. “Në vend të ONM kemi një shkresë pa përgjigje nga delegacioni i BE në Tiranë. Kandidatët duhet të njihen me arsyet pse ONM nuk i ka kualifikuar”. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka dhënë  67 rekomandime pozitive dhe 17 rekomandime negative nga 84 kandidatë të kualifikuar. Gjithsesi Komisioni parlamentar i Verifikimit të Kandidatëve ka të drejtë të lëvizë kandidatët e skualifikuar në listën përfundimtare me shumicë votash. Duke supozuar se komisioni do të marrë dy ditë pune 8-orëshe për të intervistuar të gjithë kandidatët, dhe një ditë për të shkruar raportin e saj, çdo intervistë do të zgjasë më pak se 5 minuta. Nëse të gjitha afatet kushtetuese respektohen, institucionet e vettingut duhet të jenë funksionale përpara zgjedhjeve të 25 qershorit.

Artikulli paraprakRama sfidon Strasburgun, çon sërish kunatin e Xhafës, dy herë i rrëzuar
Artikulli tjetërVeliaj, 16 milionë euro për pllaka të thyera në Sheshin ‘Skënderbej’