Rama sfidon Strasburgun, çon sërish kunatin e Xhafës, dy herë i rrëzuar

Pas dy refuzimesh qeveria shqiptare ka çuar sërish tri kandidatura për në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Janë mësuar edhe 3 kandidaturat e reja, që në fakt janë dy të reja dhe një i vjetër: Sokol Berberi, i cili është refuzuar dy herë nga Këshilli i Europës. Dy kandidaturat e tjera janë Suela Meneri dhe Markeljan Koca. Komisioni i GJEDNJ në prill të këtij viti i ktheu përgjigje negative Shqipërisë për kandidaturën e Berberit, por emri i tij dërgohet sërish nga qeveria. “Jo të gjithë emrat janë mjaft mirë të kualifikuar”, thuhej në përgjigjen e refuzimit. Kujtojmë se edhe më herët në shtator 2016 janë rrëzuar tre kandidaturat, për në Gjykatën e Strasburgut. Sokol Berberi ka qenë gjyqtar i Kushtetueses deri pak muaj më parë, kur dha dorëheqjen pasi ishte kundër rrëzimit të ligjit të vetingut. Pra, kundër PD-së dhe pro PS-së. Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës rrëzoi në shtator të vitit të kaluar dhe në prill të këtij viti listën e qeverisë me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, në fillim Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, udhëtuan në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, por ata janë shpërfillur krejtësisht, duke u informuar se asnjëri prej tyre nuk ishte i pranueshëm dhe nuk do të intervistohej fare. Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e gjykatës.

Artikulli paraprakKonsensus në Maqedoni për qeverinë e re
Artikulli tjetërVettingu, 193 kandidatë për prokurorë dhe gjyqtarë në sitën e Komisionit