Veseli në Serinë A

Një tjetër shqiptar transferohet në Serinë A. Frederik Veseli do t’i bashkohet skuadrës së Empolit për sezonin e ri të kampionatit italian të futbollit. 23-vjeçari që u largua nga zviceranët e Luganos, gjeti marrëveshjen me drejtuesit e klubit toskan, për kontratë dy vjeçare, me opsion rinovimi edhe për dy vjet të tjerë.
Veseli do të hedhë zyrtarisht firmën në kontratë, menjëherë, pasi të përfundojë vizitat mjekësore, të cilat janë parashikuar të zhvillohen në klinikën e klubit në orët në vijim. Me këtë transferim, futbollisti i lindur në Renens të Zvicrës, por që zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, rikthehet në nivele të larta, pasi në filimet e karrierës ishte pjesë e Manchester City-t dhe Manchester United.
Veseli bëhet lojtari i tretë i Kombëtares që transferohet nga Superliga zvicerane në Serinë A gjatë vitit 2016. Përpara tij, këtë rrugë e ndërmorën Arlind Ajeti fillimisht te Frosinone dhe tashmë te Torino dhe Berat Gjimshiti te Atalanta.
Veseli bëhet lojtari i tetë kuqezi që në sezonin e ri do të militojnë në elitën e futbollit italian, me koloninë shqiptare që përbëhet edhe nga Elseid Hysaj te Napoli, portierët Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha te Lazio, si edhe Ledian Memushaj e Rey Manaj te Pescara.
Ndërkohë, Armando Sadiku vazhdon të jetë pjesë e Zyrihut dhe ndonëse ka shumë klube që interesohen për futbollistin shqiptar, asnjë prej tyre nuk ka bërë një ofertë zyrtare për sulmuesin 25-vjeçar. Fillimisht u përfol për një interesim të klubeve italiane dhe atyre gjermane, ndërsa së fundmi dolën në skenë emra skuadrash si Gallatasaraj në Turqi dhe Karabak në Azerbajxhan. Për këtë të fundit, flitej se kishte “shkes” Ansi Agollin, ndërsa klubi e kërkonte si përforcim për pjesëmarrjen në aktivitete ndërkombëtare. Vetë sulmuesi shqiptar, në një prononcim të dhënë për portalin azerbajxhanas “Qafqazinfo.az”, ka shpjeguar se si është situata me këto zëra të merkatos. “E kam lexuar në media që emri im është përmendur te Karabak, por nuk kam marrë asnjë ofertë zyrtare nga ky klub. Edhe një gazetar turk më ka pyetur për interesimin e Gallatasarajit, por unë nuk kam marrë asnjë ofertë të tillë”, shpjegoi lojtari.
Sadiku pranoi se ka interesim për të nga klube të tjera, por për momentin nuk kishte asgjë konkrete. “Gjithsesi, di të them se ka disa klube, të cilat kanë shfaqur interes. Por për momentin nuk ka asgjë të re”, deklaroi sulmuesi i përfaqësueses shqiptare. Futbollisti kërkon të largohet nga Zyrihu, pasi nuk dëshiron të vazhdojë të luajë në kategorinë e dytë në Zvicër. Por për momentin, duket se çmimi i lartë që i ka vënë kartonit të tij klubi, mbi 7 milionë euro, mban larg skuadrat e interesuara për të siguruar shërbimet e tij.

Artikulli paraprakArin e parë olimpik e fiton SHBA, Rama e 48-ta në 10 metra pushkë
Artikulli tjetërMurinjo kritikon Klop dhe Venger