Vërshon euro në treg, rekord i ri, zbret afër 134 lekë, më e ulëta në 8 vjet

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie gjatë ditës së djeshme në tregun e brendshëm, duke zbritur në 134.24 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 0.06 lekë më pak se një ditë më parë. Ky është një rekord i ri, pas atij të ditës së enjte, teksa euro ka arritur në nivelin më të ulët që prej 22 shtatorit të vitit 2009, kur këmbehej me 133.74 lekë. Edhe dollari ra në tregun e brendshëm, në 123.44 lekë. Në tregjet ndërkombëtare një euro u këmbye me 1.087 dollarë, me një rritje prej 0.11% në raport me ditën e mëparshme. Sjellja e kundërt e euros në tregun vendas, në raport me zhvillimet në bursat ndërkombëtare tregon se janë faktorët e brendshëm ato që po diktojnë në forcimin e ndjeshëm të lekut dhe rënien e monedhës së përbashkët. Në fakt, grafiku afatgjatë tregon se euro në tregun vendas nuk ndjek gjithnjë lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, por mjaftohet me ruajtjen e kursit të kryqëzuar (ruajtja e raportit Euro/USD në bursa). Aktorët e tregut nuk presin një rritje të euros, të paktën deri në datën 20, kur është edhe data e pagimit të sigurimeve shoqërore. Ata parashikojnë që në muajt e verës, kur tradicionalisht ka një shtim të ofertës për valutë nga turistët dhe emigrantët, euro të zhvlerësohet më tej, duke zbritur edhe në 132 lekë. Siç është përmendur edhe në shkrimet e mëparshme të “Monitor”, arsyeja kryesore lidhet me ofertën e lartë për valutë në tregun vendas, nga burime të dukshme e të padukshme. Nga burimet e padukshme është valuta e lartë që qarkullon, ku nga masivizimi i fenomentit të hashashit, një pjesë e të cilës hyn në treg. Një tjetër faktor i padukshëm, sipas ekspertëve është që me afrimin e zgjedhjeve kanë filluar shpenzimet zgjedhore, që këtë vit po kryhen edhe në valutë, duke rritur ofertën për euro. Ndërsa nga burimet e dukshme janë rritja e të ardhurave nga turistët, gjallërimi i lehtë i remitancave, rritja e lehtë e eksporteve (megjithëse kjo e fundit ka ardhur nga eksportet që tregtohen në dollarë, si për shembull, nafta) apo dhe kërkesa për monedhën vendase nga disa kompani të mëdha që përgatiten të paguajnë taksat, si për shembull, TAP. Dje ishte data 12 dhe po afrohet data 14 e TVSH-së dhe data 20 e pagesës së sigurimeve, ku çdo muaj konstatohet forcim i lekut me afrimin e këtyre datave. Ekspertët e agjencive valutore pohojnë se ndërkohë bizneset kanë raportuar rënie të xhiros dhe po detyrohen të përdorin depozitat në valutë. Një tjetër efekt është edhe ai psikologjik, ku një krizë besimi gjithnjë shoqërohet me zhvlerësim të monedhës vendase. Edhe Banka e Shqipërisë tha në raportin e djeshëm të politikës monetare se forcimi i lekut në muajt e parë të vitit është i lidhur me ofertën e lartë për valutë në vend.

Artikulli paraprakBilanci qesharak i investimeve, vetëm 19.3 km rrugë më 2016-ën
Artikulli tjetërTë huajt e TAP, një leksion për qeverinë dhe Vangjush Dakon e Durrësit