Të huajt e TAP, një leksion për qeverinë dhe Vangjush Dakon e Durrësit

Ndërkohë që në “Velierën” e famshme të Durrësit, që po ndërtohet me beton mbi një mur bizantin dhe në zonë arkeologjike të disa epokave, vazhdojnë punimet me intensitet, punonjësit e TAP kanë zbuluar një vendbanim të lashtë në Turan të Korçës. Sipas deklaratës që vjen nga kompania, punimet në këtë zonë janë ndërprerë urgjentisht dhe arkeologët kanë marrë në dorë situatën. “Sipas vlerësimeve paraprake nga ekspertët e trashëgimisë kulturore në TAP, mendohet se bëhet fjalë për një vendbanim, i cili daton që nga periudha e hershme e epokës së hekurit (shek. X–IX para erës sonë) e deri në periudhën e vonë romake (shek. IV–V të erës sonë), duke vlerësuar materialet prej qeramike të gjetura. Gjatë Mesjetës (shek. XII–XV), kjo hapësirë duket që është përdorur si varrezë, duke ju mbivënë funksioneve që ka patur në periudhat e mëparshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të TAP. Mësohet gjithashtu, se ekspertët arkeologë që monitorojnë ndërtimin e tubacionit gjigant në vendin tonë kanë ndërprerë punën, derisa të përfundojë gërmimi nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë. Sipas TAP, trashëgimia kulturore është shumë e rëndësishme dhe ekipi i punës ka marrë të gjitha masat për të minimizuar ndikimin negativ mbi trashëgiminë kulturore, mjedisin apo komunitetet. Të gjitha artefaktet dhe gjetjet arkeologjike u janë dorëzuar autoriteteve përkatëse shqiptare, të cilat sigurojnë ekspozimin e tyre për publikun. Ky është një leksion nga biznesmenë të huaj, për qeverinë dhe kryetarin e Bashkisë së Durrësit, që pavarësisht protestave të shumta të shoqërisë civile dhe një vendimi gjykate për ndërprerjen e punimeve në atë zonë ku janë zbuluar arkefakte, vazhdojnë në mënyrë të kundërligjshme të hedhin paleta betoni. Edhe në muajin korrik të vitit 2016, TAP zbuloi në zonën e Skraparit një kapitel të shekullit VI, duke ndërprerë punimet në atë territor dhe shmangur gjurmën e tubacionit. Kurse “Veliera” prej betoni e Edi Ramës dhe Dakos vazhdon të ngrihet, pa pyetur për pasurinë e trashëguar të shqiptarëve. Edhe të huajt e vlerësojnë dhe e duan më shumë se Rama dhe Dako pasurinë arkeologjike të vendit tonë.

Artikulli paraprakVërshon euro në treg, rekord i ri, zbret afër 134 lekë, më e ulëta në 8 vjet
Artikulli tjetërPasojat e votimeve pa opozitë