Vërshojnë lejet për parqet e energjisë diellore

Parqet fotovoltaike janë shndërruar në një trend për bizneset, të cilët pasi kanë ezauruar HEC-et, u janë kthyer impianteve të tjera të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era. Ministria e Energjetikës nuk po ndalet në dhënien e lejeve për parqet që, në pjesën më dërrmuese të tyre, kanë kapacitet prodhues jo më shumë se 2 MW. Së fundmi shoqëria “RTS” sh.p.k., ka shprehur interesin për ndërtimin e një parku fotovoltaik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, në zonën në “Tren-Bilisht (Korçë)”.
Parku do të ketë sipërfaqe totale rreth 63,915 m² ku kapaciteti i instaluar do të jetë 2 MW, me një vlerë investimi rreth 321,671,661 ALL ose rreth 2.4 milionë euro. Shoqëria “RTS” sh.p.k. ka aplikuar për pajisjen me autorizim paraprak në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni”.
Ministria e Energjisë është në një fazë intensive të dhënies së lejeve për ndërtime HEC-esh dhe parqesh energjie diellore që prodhojnë me kapacitet 2 MW. Prodhimi i energjisë prej ujit, diellit dhe erës po tërheqin së fundmi shumë investitorë. Përveç HEC-ve, shumë kërkesa janë drejtuar në Ministrinë e Energjetikës për ndërtimin e parqeve që do të prodhojnë energji të pastër nga dielli. Shqipëria si një vend 240-300 ditë diell në vit, nuk e ka të zhvilluar prodhimin e energjisë nga burimet e diellit.
Ekspertët e energjisë e vlerësojnë të domosdoshme diversifikimin e prodhimit të energjisë, pasi 100% e prodhimit në vend kryhet nga HEC-et. Por edhe parqet e vogla të energjisë diellore nuk e zgjidhin këtë problem, teksa kosto e energjisë së diellit, sipas çmimit të miratuar nga ERE, e bën atë shumë të shtrenjtë për përdorim nga konsumatorët vendas.

Artikulli paraprakGjiganti Havzi Nela dhe liliputët që nderojnë komunistin Antonio Gramshin!
Artikulli tjetërBanka Botërore: Qeveria Rama dështoi me reformat