Banka Botërore: Qeveria Rama dështoi me reformat

Banka Botërore deklaroi se ulja e borxhit publik në Shqipëri është shtyrë me disa vjet, pasi qeveria nuk arriti të realizojë objektivat fiskalë sipas marrëveshjes së rënë dakord me Fondin Monetar në vitin 2013. “Në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, borxhi publik i Shqipërisë parashikohej të arrinte kulmin 71.7 për qind në vitin 2014 dhe të ulej në 69.3 për qind brenda vitit 2016. Por në vend të kësaj treguesi u rrit në 73.7 për qind në vitin 2015 dhe nuk parashikohet të zbresë nën nivelin 70 për qind deri në fund të këtij viti”, deklaroi BB, në një dokument ku analizon ecurinë e marrëveshjes me Shqipërinë.
Sipas Bankës Botërore, arsyet se pse qeveria shqiptare dështoi të ulë borxhin sipas programit janë disa, përfshirë rritjen e ulët ekonomike. “Shkaqet përfshijnë zhvlerësimin e lekut ndaj dollarit, rritjen ekonomike më të ulët nga parashikimet dhe performancën e dobët në mbledhjen e të ardhurave”, shkruan BB.

Reforma energjetike
Por ulja e borxhit nuk ishte treguesi i vetëm me të cilin qeveria dështoi. Sipas Bankës Botërore, edhe reforma në energjetikë ka rezultuar problematike. “Implementimi i reformave të energjisë ishte gjithashtu më i ngadaltë nga sa pritej, veçanërisht barazimi i tarifave me koston dhe miratimi i legjislacionit dytësor. Por veçanërisht, reforma filloi të humbasë momentum në fund të ciklit të zgjedhjeve”, deklaron BB.
Sipas Bankës, qeveria shqiptare dështoi të ulë humbjet e energjisë dhe projekti i rimëkëmbjes së sektorit ka dalë tashmë jashtë objektivave. Sipas programit 5-vjeçar të rimëkëmbjes, që qeveria dakortësoi me Bankën Botërore në fund të vitit të kaluar, humbjet e energjisë duhet të ishin ulur në 26 për qind. Por shifra faktike e humbjeve ka rezultuar 28 për qind, ose 2 pikë përqindje më shumë se sa objektivi. “Uljet e energjisë në 2016-ën u ulën me 3.3 për qind, nga 31.3 për qind që ishin në 2015-ën në 28 për qind. Megjithatë, ato janë 2 pikë përqindje më lart se objektivi i dakortësuar prej 26%”, deklaron Banka Botërore. Sipas të dhënave, humbjet e energjisë kanë mbetur edhe këtë vit në nivelin 28 për qind, kur duhet të ishin tashmë 22 për qind.

Dyshime për zbatimin e kredisë 150 milionë dollarë për energjinë
Nga kredia e Bankës Botërore 150 milionë dollarë për ringritjen e sistemit energjetik, e cila është bërë efektive qysh në janar të vitit 2015, në vitin e tretë të zbatimit të saj janë disbursuar vetëm 13.7 milionë dollarë. Sipas të dhënave zyrtare nga projekti, Banka Botërore ka vlerësuar si rreziqe mjaft të larta për zbatimin e saj kapacitetet teknike për aplikimin e projektit të kredisë. Banka i vlerësoi komponentët teknikë të zbatimit të projektit, ato të mbikëqyrjes dhe angazhimin e palëve të interesit me risk të lartë.
Në vlerësimin e projektit, më herët gjatë qershorit të këtij viti, zbatimi i projektit u vlerësua me rrezik të lartë, duke marrë në konsideratë punën e më shumë se tri viteve për zbatimin e tij. Në dokumentin e vlerësimit, Banka pohon se, një paketë prej 46 milionë eurosh është në proces prokurimi për investimet në rrjet. Ndërsa shuma e mbetur prej 50 milionë eurosh pritet të prokurohet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017. Nënprojektet kryesore janë nënstacione dhe investime në sistemin e matjes për balancën e energjisë elektrike.
Banka thotë se, performanca e sektorit të energjisë është përmirësuar ndjeshëm nga rritja e arkëtimeve në mbi 92% dhe borxhet ndërmjet kompanive janë fashitur, teksa OSHEE ka investuar nga fondet e veta më 2015-2016 rreth 80 milionë euro.
Banka pohon se pozita financiare e kompanive është përmirësuar, por kërkon që të bëhet më shumë punë për të siguruar që këto arritje të jenë të qëndrueshme në afat të gjatë dhe të përfshijnë ndër të tjera përditësimin e kuadrit rregullator ekzistues dhe metodologjinë e tarifave. Por që nga muaji qershor, kur banka bëri vlerësimin, sektori energjetik dhe kompanitë të përfshira në projekt po përjetojnë një situatë emergjencë që ka krijuar mungesa e reshjeve. Harxhimet për importet e verës deri në fund të shtatorit kërkojnë së paku 70 milionë euro, shumë kjo përveçse angazhon të gjithë fitimin e kompanive, shkurton planet e tyre të investimeve dhe rrezikon t’i çojë ato në akumulimin e detyrimeve të reja nëse thatësira do të zgjasë.

Artikulli paraprakVërshojnë lejet për parqet e energjisë diellore
Artikulli tjetërHavzi Nela, Berisha: Rama të kërkojë ndjesë publike